2015-03-02 15:56:00

Film i ri për Papën Piu XII: shpëtoi 800 mijë hebrenj


Në përvjetorin e lindjes (2 mars 1876) e të zgjedhjes në fronin e Shën Pjetrit (2 mars 1939) të Papës Piu XII, u paraqit në Romë, para se të dalë në sallat e gjithë botës, filmi “Shades of Truth” (Hije të vërtete), me regjizore Liana Marabini. Filmi do të projektohet në maj, në Festivalin e Kanës e në shtator, në Filadelfia, me rastin e Takimit Botëror të Familjeve. I realizuar me dëshmitë e panjohura të disa hebrenjve të shpëtuar nga Eugenio Pacelli, për të cilin vijon procesi i lumnimit, filmi synon të tregojë sa pa bazë është legjenda, sipas së cilës Papa Piu XII heshti përballë tragjedisë së Shoah. Protagonist është David Milano, një gazetar italo-amerikan me origjinë hebre, të cilit i besohet një artikull për Papën Pacelli, fryt i një hetimi të gjatë.  Është personazh, që ekziston vërtet, hebre njujorkez, që e urrente Piun XII, por pas studimit të dokumenteve ndryshoi aq shumë mendje, saqë themeloi një fondacion, i cili pjesërisht merret me punë kërkimore për Papën Pacelli. Pikërisht ai i vuri në dispozicion regjizores arkivin e vet shumë të pasur.

“Ka qenë Schindler-i i Vatikanit” deklaron regjizorja, duke kujtuar se Piu XII shpëtoi nga kthetrat e nazistëve mëse 800 mijë hebrenj. Shifra është e bazuar në dokumente historike, të cilat, me hapjen e Arkivave Sekrete të Vatikanit, mund t’i konsultojnë të gjithë. Natyrisht, thekson me ironi Liana Marabini, shumë pak prej kritikuesve të Papës Pacelli ka shkuar në Vatikan për t’i shqyrtuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.