2015-02-28 14:05:00

Ballafaqimi mbi fenë të mos bëhet ideologji


“Civiltà Cattolica” mblodhi disa nga reflektimet, që pati shkruar Papa Bergoglio, kur ishte rektor i Kolegjit të Madh të San Josè në San Miguel, në vitin 1984.San Miguel është kryeqendra e provincës argjentinase me të njëjtin emër, në brigjet e lumit Salì, me 527.607 banorë. Atje shërbente jezuiti i atëhershëm, atë Jorge, kur  i shkroi këto reflektime me rëndësi aktuale të dorës së parë për jetën e Kishës.

Si është e mundur të ruhet uniteti i dëshmimit të fesë, duke i hapur, njëkohësisht udhën, pluralizmit teologjik? Mbi këtë problem reflektonte, në vitin 1984, Papa Françesku, Jorge Mario Bergoglio, asokohe rektor i Kolegjit Maximo të San Josè në San Miguel të Argjentinës, në një tekst të gjetur e të përkthyer nga revista e mirënjohur e jezuitëve “Qytetërimi Katolik”,  të cilin e paraqiti shkurtimisht gazeta “Corriere della Sera” e 19 shkurtit të kaluar.

Në reflektimin e hollësishëm, Papa uron që ballafaqimi mbi fenë të mos bëhet ideologji. Bergoglio pyet si mund të ruhet “uniteti i nevojshëm i dëshmimit të fesë”, pranë e pranë me pluralizmin e kultivuar në tepri. Zgjidhja e këtij problemi, kujton, është shpjeguar edhe me përfundime të dyshimta. Nga njëra anë është gabimi, që ka prirjen ta vërë gjithçka nën një emërues të përbashkët, gjë që, në fund të fundit, nënkupton se pluralizmi duhet shikuar si realitet negativ, duke krijuar frymën e reagimit,  të konformizmit, të “gheto-s!”. Në këtë mënyrë “idetë zënë vendin e njerëzve”, duke i hapur rrugën ideologjisë. Ndërkaq, nga ana tjetër, nëse nuk do të shqetësoheshim për unitetin e fesë, kjo do të çonte në “heqjen dorë nga e vërteta”.“Pluralizmi i mirëfilltë, shkruante Papa i ardhshëm, duhet të jetë i ndërgjegjshëm se është pjesë, e kurrë gjithçka. Teologu duhet të bëjë ç’është e mundur që e vërteta e tij të gjejë vend në hapësirën e Kishës së vetme. Nga ana tjetër, bashkimi i Kishës mund të garantohet vetëm nëse ajo shprehet qartë në zhvillimin konkret të reflektimit teologjik. E këtu hyjnë në lojë tri elemente vendimtare: “lidhja e vazhdueshme me Shkrimin Shenjt, parë si themel; njohja e traditave të mëdha të krishtera dhe kuptimi aktual i njeriut e i botës”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.