2015-02-27 18:46:00

Willy, Njeri i pastrehë, varroset në Vatikan


Në vitet ‘800, kur Karli i Madh mori, pak hapa larg Varrit të Shën Pjetrit, një copë tokë nga Papa, për t’u siguruar varrim të denjë shtegtarëve gjermanë, vdekur në Romë, nuk do të kishte mundur as ta përfytyrojë se 12 shekuj më pas, ndërmjet varreve të princave e kalorësve, princeshave e dukeshave, do të pushonte në paqe edhe një njeri i pastrehë, që jetoi rrugash, pa kurrgjë pas shpirtit. E pra, kjo ndodhi më 9 janarin e kaluar, ndërsa lajmi u bë i njohur vetëm dje, kur plaku, që jetonte rrugëve, me origjinë fiaminge, Willy Herteleer, që vdiq nga mesi i dhjetorit, për shkak të të ftohtit, u varros në Varrezën Teutonike, në Vatikan. Për shumë njerëz, që kalonin në Sheshin e Shën Pjetrit, Willy ishte figurë familjare, që prekte gjithkënd me mirësinë e dinjitetin e tij. Ndërmjet miqve të njeriut të rrugës, ishte edhe imzot Americo Ciani, kanonik i Bazilikës së Vatikanit. Në një intervistë, dhënë radios sonë, ndalet pikërisht tek figura e Willy-t e, sidomos, tek domethënia që ka varrosja e tij brenda mureve të Vatikanit.  E ndoshta-ndoshta, ashtu si varrosja e të pastrehut në Vatikan është rast për t’u vënë në dukje, për t’u vënë në dukje është edhe kjo intervistë e rrallë, që ndiqet në një emitente, prej mikrofonit të së cilës  flasin e flitet për prelatë të të gjitha shkallëve e burra shteti të të gjitha rangjeve. Ndërsa sot, për një njeri që vdiq nga e ftohta e u varros pranë fisnikëve ardhur nga viset e tija veriore, që shtegtonin drejt Romës për ndjesë e që nuk mund të mos e kenë pritur me dashamirësi Njeriun, të cilin duhet ta ketë pushtuar me krahë hapur vetë Krishti…

Përgjigje: - Willy ishte shpirt i lirë, me fe të paluhatshme. Njeri që lutej vazhdimisht. Vinte në Kishën e Shën Anës, në Vatikan e ndiqte gjithnjë dy meshë. Më pas vendosej në Rrugën e Portës Engjëllore e, i mbështetur mbi karrocëzën e tij,  vështronte njerëzit, që kalonin. Shpesh i ndalonte e i pyeste: “Po ju, a rrëfeheni ndonjë herë? Shiko, duhet të rrëfehesh, sepse ndryshe nuk mund të shkosh në Parajsë.” Jetonte thjesht, pa pretendime sepse, mbi gjithçka, donte lirinë. Vdekjen e tij e mora vesh nga famullitari i Shën Anës, atë Bruno Silvestrini. Po nuk e dija ku kishte shkuar për të pushuar në paqe. E mora vesh më vonë nga disa miq.  Me që Willy ishte fiaming e katolik i vdekur në Romë, ekzistonte mundësia të varrosej në varrezën teutonike, ku edhe pushon në paqe që nga 9 janari 2015. Meshën dritës për të e kremtova unë, në kapelën teutonike. E falënderova Zotin që më kishte dhënë hirin të njoh një njeri, në dukje të vetmuar, por që në të vërtetë, nuk ndjehej kurrë i vetëm, sepse në shpirtin e tij ishte gjithnjë i pranishëm hiri hyjnor. Lutej, lutej shumë, e thoshte gjithnjë “Ilaçi im është Kungimi”.                       

Pyetje: - Një gjë që të prek, është se Willy, njeri pa plëng, pa shtëpi, pa familje, pushon tani në paqe ndërmjet princërve, kalorësve, zonjave të mëdha…  varri i tij është ndërmjet varrezave shekullore, veshur me myshkun e kohës, ndërmjet fijeve të blerta të të cilit lexohen emra të njohur në historinë e  njerëzimit e të kulturës së tij….

Përgjigje: - Natyrisht, jemi në përkim të plotë me mesazhin kaq depërtues të Papës Françesku, kur flet për njerëzit e përjashtuar, për ata, që në shoqërinë tonë nuk kanë strehë as varr, që shikohen si numra, por që, në të vërtetë janë në zemër, jo vetëm të Papës, por mbi të gjitha, të Krishtit Zot, që i ka dashur gjithnjë fort e fort  më të varfrit.

Pyetje: - Kjo ngjarje, besoj se duhet të na nxisë ne të gjithë t’i shikojmë me sy tjetër të pastrehët, që i takojmë ditë për ditë rrugësh. Edhe në zonën e Shën Pjetrit, ku flenë, jetojnë, vdesin e, tani,  një prej tyre edhe varroset….

Përgjigje: -  E saktë. Unë prej vitesh pikturoj; organizoj edhe ekspozita për të ndihmuar misionarët. I pata thënë edhe Willyt: “Shiko, nuk rri pa ta bërë portretin një ditë”. E ai qeshte e kënaqej kur i flisja kështu. I bëra dy portrete: një akuarel e një pastel. Kur u kremtua Mesha e Dritës, i vendosa tek këmbët e elterit të dy portretet: një më të djathtë e tjetrin, më të majtë të trupit të tij të vdekur, që bëhej gati të varrosej aty, ku nuk i kishte shkuar kurrë mendja.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.