2015-02-27 13:51:00

Fondacioni “Centesimus Annus”: ekonomisë i duhet etika


Fondacioni “Centesimus Annus – Pro Pontefice” paraqiti në Sallën e Shtypit të Vatikanit, fituesit e edicionit të dytë të Çmimit “Ekonomia dhe shoqëria”, që i jepet çdo dy vjet studiuesve, të cilët zbatojnë Doktrinën Shoqërore të Kishës në botën financiare dhe ekonomike. Këtë vit, çmimi u fitua nga francezi Pierre de Lauzun, me veprën “Një perspektivë e krishterë. Nga banka mesjetare tek globalizimi financiar” (“Un regard chrétien. De la banque médiévale à la mondalisation financière”, Les Plans sur Bex, Embrasure, 2013)

Të reformohet ekonomia e tregut

         Fondacioni i themeluar në vitin 1993 nga shën Gjon Pali II është gjithnjë i mendimit se nuk është aspak utopi përdorimi i normave etike në ekonomi. Presidenti i fondacionit, Domingo Sungranyes Bickel, u shpjegoi gazetarëve “Projektin e reformës etike të financës”, që njihet me emrin “Propozimet e Dublinit”: 18 pika të hartuara nga Fondacioni, që shkojnë nga raporti i bankave me ekonominë, tek lufta kundër korrupsionit e tek mbrojtja e konsumatorëve. Ta dëgjojmë:

         “Sot, kur flasim për luftë kundër varfërisë e për preferencë ndaj të varfërve, ç’duam të themi praktikisht? Kjo do të thotë të reformohet ekonomia e tregut, sepse historia na mëson se aty ku ka lulëzuar ekonomia e tregut, aty është luftuar fort kundër varfrisë, nga pikpamja sasiore. Prandaj, nuk është fjala për utopi, por për të ndrequr ato të këqia të njohura të ekonomisë së tregut, që nuk e lejojnë t’i shërbejë si duhet shoqërisë”.

Ekonomia, më e lirë me etikën

         Duke folur për librin e fituesit të çmimit, sekretari i Jurisë së Çmimit, prof. Michael Konrad, citoi disa pohime të Pierre de Lauzun:

         “Tregu është pak si sporti, ka nevojë për rregulla loje e ato nuk mund të vendosen gjatë lojës: duhet të hartohen më parë, sipas logjikës së lojës. Nga ana tjetër, çdo sistem rregullash ka nevojë për moralitetin e njerëzve. Mund të shtohet edhe se, shpesh, sa më të moralshëm të jenë njerëzit, aq më pak kanë nevojë të përdorin rregullat kolektive, të cilat mbeten gjithnjë të nevojshme. Në afate të gjata, moraliteti mundëson një liri më të madhe”.

Kriza, si mundësi

         Presidenti i Fondacionit, Bickel, nënvizoi së fundi se ekonomia, siç thotë Kisha prej vitesh, mund të zhvillohet edhe pa diktaturën e “shtimit”, pra të konsumit si parametër kryesor:

         “Reforma po vijon, në fushën e financës, në atë të përgjegjësisë shoqërore të ndërmarrjeve, por i mungojnë rrënjët, baza, shpirti. Prandaj, kurrë më shumë se tani, mesazhi i Papës Françesku në OKB është i nevojshëm e i mirëpritur. Ka dëshirë të madhe për reforma e institucionet janë në kërkim të frymëzimit të duhur. Pra, mundësia është”.

Çmim iu dha edhe dy punonjësve të rinj shkencorë të Doktrinës Shoqërore të Kishës, në një seksion të veçantë për ta. Janë uruguajani 34-vjeçar, Arturo Bellocq Montano, për studimin lidhur me natyrën shkencore të Doktrinës, si edhe austriaku 32-vjeçar, Alexander Stummvoll, për studimin mbi ndikimin e Doktrinës Shoqërore të Kishës në marrëdhëniet ndërkombëtare.








All the contents on this site are copyrighted ©.