2015-02-27 14:27:00

Boko Haram: në Kamerun, me mijëra kërkojnë azil


Mëse 200 milicë të Boko Haramit janë vrarë nga trupat e Çadit në Nigeri, në kuadrin e operacioneve shumëkombëshe kundër këtij grupi terrorist. Por edhe xhihadistët vijojnë të godasin. Dje, mëse 30 vetë mbetën të vrarë në dy atentate. Ndërkaq, në veri të Kamerunit, janë me dhjetra mijëra njerëzit, që kapërcejnë kufirin, për t’i shpëtuar dhunës. I pret misionari i Pime-s në Yagoua, fra Fabio Mussi, i cili flet për gjendjen, në mikrofonin tonë:

         Gjendja ka ndryshuar që prej një muaji, pas ardhjes së ushtrisë së Çadit e pas hyrjes së koalicionit në territorin nigerian. Mund të themi se vërehet një rënie në numrin e refugjatëve, por gjendja bëhet më e rëndë, sepse njerëzit që mbërrijnë këtu janë edhe më të rraskapitur. Pjesa më e madhe e njerëzve janë gra, fëmijë e të moshuar. Mungojnë burrat e nuk dihet se ku kanë përfunduar, nëse në radhët e Boko Haramit, apo diku tjetër. Refugjatët janë edhe më të rraskapitur, sepse vijnë nga zonat e brendshme të vendit. Kur mbërriti kontingjenti nga Çadi, hyri në Nigeri për të spastruar zonën kufitare e, Boko Harami u shty më në brendësi të vendit. Në fshatrat, që s’ishin prekur akoma, kjo shkaktoi të njëjtën gjëndje, që më parë ekzistonte në kufi, pra, masakra, plaçkitje… Natyrisht, popullsia ikën nga sytë këmbët.

         Sipas jush, ndërhyrja e forcave të Çadit po sjell rezultate?

         Duket se po. Mendoj se duhet konsideruar me etapa. Javën e kaluar u takuan krerët e shteteve të Nigerisë, Çadit, Nigerit, Beninit dhe Kamerunit, të cilët vendosën të krijojnë një forcë me ushtarë nga vende të ndryshme. Më pas, ndërhynë rreth 10 mijë ushtarë. Aktualisht, forca e koalicionit përbëhet kryesisht nga kontingjenti i Çadit, i cili po vepron me dorë të hekurt, megjithëse tani për tani, vetëm në zonën kufitare, në pritje që të zbatohet vendimi për të ndërhyrë edhe brenda vendit – vendim i miratuar tashmë. Ne kemi pritur këtu dhjetra mijëra refugjatë, që më pas dërgohen në kampin e Minauao-s, administruar nga OKB-ja. Aty strehohen rreth 50 mijë vetë.








All the contents on this site are copyrighted ©.