2015-02-26 17:43:00

Presidenti Nishani kërkon hapjen e dosjeve të sigurimit komunist


Me rastin e përkujtimit të 25-vjetorit të rënies së komunizmit në Shqipëri, Presidenti Bujar Nishani, gjatë një konference shtypi, kërkoi miratimin e një ligji për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit.

Sipas Presidentit Nishanit, dosjet duhet të hapen jo vetëm për drejtuesit, por dhe për bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Nishani kërkoi nga Kuvendi i vendit miratimin e një ligji për hapjen e dosjeve dhe lustracionit: “I bëj ftesë qeverisë, parlamentit, opozitës ti bashkohet aktiviteteve për celebrimin e 25 vjetorit të rënies së regjimit komunist. Në këtë vit është periudha më e mirë që Parlamenti të miratojë një ligj të gjerë dhe të thellë për hapjen e dosjeve jo vetëm të drejtuesve të Sigurimit të Shtetit, por edhe të gjithë bashkëpunëtorëve duke qetësuar njëherë e përgjithmonë shpirtrat e shqiptarëve. Është viti më i përshtatshëm që Parlamenti të bëjë një ligj të thellë edhe për lustracionin”, tha Presidenti Nishani.

“Janë mbi 80 të rinj dhe të reja që janë ekzekutuar në kufij, madje pas ndryshimeve ligjore që bëri regjimi i kohës. Pavarësisht kësaj periudha u pasua me vrasje makabre në kufij vetëm për faktin se këta të rinj kërkonin lirinë, kërkonin perëndimin, kërkonin të shkonin dhe të integroheshin në botën e qytetëruar. Është një moment që kërkon një refleksion të madh jo vetëm në identifikimin e akteve, jo vetëm në gjetjen e përgjegjësve, por edhe të simbolikës së madhe që reflektonte akti i këtyre shqiptarëve”, tha Presidenti Nishani.

Sipas Presidentit të Shqipërisë, duhet të caktohet një datë, për kujtimin e krimeve të komunizmit dhe propozoi që kjo datë të jetë 27 shkurti 1951, kur nga regjimi komunist u pushkatuan 22 intelektualë, të akuzuar për hedhjen e bombës në ambasadën e Bashkimit Sovjetik.








All the contents on this site are copyrighted ©.