2015-02-26 14:22:00

Papa lutet për të krishterët në Siri. Zenari: ndjehen të braktisur


Papa Françesku ndodhet në Ariccia për ushtrimet shpirtërore të Kreshmëve, por ndjek me shqetësim edhe gjendjen në Siri, nga ku vijnë lajme dramatike për popullsinë civile e në veçanti, për pakicën e krishterë. Përparimi i xhihadistëve të të vetëquajturit Shtet Islamik në verilindje të Sirisë ka sjellë shkatërrime e pengje në fshatrat e shumta të banuara nga të krishterët. Integralistët kanë kapur rreth 220 të krishterë, megjithëse numri është akoma i përkohshëm. Të dëgjojmë nuncin apostolik në Damask, imzot Mario Zenari:

         Është e qartë se Papa jeton duke menduar vazhdimisht për ne, për gjendjen e të krishterëve e të gjithë këtyre njerëzve, që vuajnë. Informohet gjithnjë dhe lutja e tij përkon përherë me vuajtjen e këtyre njerëzve e të të krishterëve, në veçanti.

         Në këtë gjendje, të krishterët kanë më tepër frikë, apo jo?

         Natyrisht, këto ngjarje shkaktojnë frikë, sidomos në grupet pakicë, që janë më të ekspozuara, që janë hallka e dobët e zinxhirit. Këto fakte nuk ndihmojnë aspak të kemi besim në të ardhmen. Prej kohësh bashkësia e krishterë jeton në një situatë tensioni e kjo kuptohet. Por, përveç të krishterëve, të gjithë njerëzit kanë frikë nga ngjarjet, që ndodhin në zonat nën kontrollin e xhihadistëve. Jo vetëm të krishterët, por edhe të tjerët, kanë frikë e nëse munden, ikin.

         Të krishterët e ndjejnë veten të braktisur nga bashkësia ndërkombëtare?

         Këtë shoh këtu, ky është perceptimi i të gjithë njerëzve dhe i të krishterëve, në veçanti. Fatkeqësisht, nuk ka rezultate të prekshme, prandaj, është i kuptueshëm ky lloj ankimi. Bashkësia ndërkombëtare po përpiqet të zbatojë disa linja, si për shembull, ndërprerja e furnizimeve që u mbërrijnë xhihadistëve, kontrolli i llogarive bankare, kontrolli mbi naftën, ose ndalimi i atyre, që ua kanë bërë mendjen dhallë me këtë ideologji e që nga Evropa vijnë në këto zona. Pra, ka disa masa, por duhet vazhduar për ta ndryshuar situatën.

         Si është gjendja humanitare?

         Ashtu siç e përshkruan, tashmë prej kohësh, bashkësia ndërkombëtare dhe OKB-ja: është katastrofë humanitare nga më të rëndat pas Luftës II Botërore. E kanë para syve të gjithë! Duhet ndalur e zgjidhur konflikti civil, por duhet ndalur edhe përparimi i kalifatit. Në Siri kemi dy fronte e njëri është më i rëndë se tjetri. Kemi frontin e luftës civile, që tashmë, zgjat prej më shumë se katër vjetësh, sepse pas tre javësh do të hyjmë në vitin e pestë. Kjo luftë ka shkaktuar mëse 200 mijë viktima, mëse një milion të plagosur, mëse 7 milion të shpërngulur të brendshëm e mëse 4 milion refugjatë. Nuk duhen harruar dëmet e vdekjet e përditshme, të shpërngulurit e refugjatët, që janë rezultat i përditshëm i luftës civile. Nga ana tjetër, kemi këto fakte kaq mizore e të tmerrshme në zonat nën kontrollin e kalifatit. Janë dy fronte, njëri më i keq se tjetri!








All the contents on this site are copyrighted ©.