Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët, do
të dëgjojmë e meditojmë së bashku, leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore,
të dielës së dytë të kohës së Krezhmëve, që paraprin dhe përgatit kremtimin e mundimeve,
të vdekjes e të ngjalljes së Jezu Krishtit, Shpëtimtarit të njerëzimit.
Liturgjia e Fjalës Hyjnore e kësaj së diele të dytë të Krezhmëve, na propozon misterin
e Shndërrimit të Jezu Krishtit Zot. Kështu edhe ne, si apostujt, jemi të ftuar ta
përqendrojmë vështrimit tonë mbi Jezusin e mbi lavdinë e tij pashkore. Jezus Krishti
në udhën e Krezhmëve shfaqet para dishepujve të vet i lavdishëm, në mënyrë që t’i
përgatisë ata ta kuptojnë e tejkalojnë shkandullin e kryqit. Është pra një thirrje
për të shpresuar e pasur besim në planet e Zotit.
Po pyesim, pse kjo ngjarje e e Shndërrimit të Jezu Krishtit Zot marrë nga Marku ungjilltar,
na propozohet brenda kohës së kreshmëve? Përgjigjen na jep vet Jezus Krishti, kur
i kërcënohet Pjetrit, Jakobit e Gjonit të mos i tregojnë askujt për atë çka kanë parë
e përjetuar, deri në ngjalljen e Tij. Reagimi i tre nxënësve është mrekullimi dhe
kureshtja: çka do të thotë të ngjallesh prej së vdekurish? Është e njëjta pyetje që
shpesh bëjmë edhe ne.
Trupi i shndërruar i Jezusit nuk është gjë tjetër përveç se dëftim e zbulim i atij
imazhi që do të jetë fati i njerëzimit, pra fati jonë, pas vdekjes, që është ringjallja.
Të vendosësh këtë të vërtetë në kohën e Krezhmëve, është një anticipim i Pashkëve,
është një motiv shprese, se as vuajtja, as vdekja nuk do të munden të na asgjësojnë
përgjithmonë. Është e njëjta bindje e Shën Palit me të cilën në Letrën e Parë drejtuar
Korintianëve (13,1-3) ai përpilon të famshmin “Himn të dashurisë” . Asgjë e askush
nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Krishtit, sepse Ai, i vdekur e i ngjallur,
tani ulet në të djathtën e Hyjit e ndërmjetëson për ne. Ai është qengji i vërtetë
i flijuar që zëvendëson flijimet e njeriut: kështu e kujton ngjarja e Zanafillës,
në të cilën Abrahami është i gatshëm të flijoi djalin e vetëm, Izakun, mirëpo Zoti
e ndalon.
Kështu pra, leximet biblike të dielës së dytë të Kreshmëve flasin për fenë, përmes
së cilës do të mund të shijojmë premtimet e Zotit, siç na dëshmon shembulli i Abrahamit,
për të cilin flet leximi i parë nga Libri i Zanafillës ( 22,1-2.9. 10-13.15-18); dhe
për gëzimin e paqen e Krishtit të Gjallë, siç na pohon shembulli i përjetimit të tre
apostujve bashkë me Jezusin, Mësuesin Hyjnor mbi malin tabor, për çka fletë pjesa
ungjillore e kësaj së diele nga Marku (9,2-10).
Në këtë diele, pra, Hyji Atë edhe një herë na thërret ta dëgjojmë të Birin e Tij,
Jezusin, ta ushqejmë fenë tonë me Fjalën e Tij Hyjnore, t’ia hapim zemrën tonë Shpirtit
Shenjtë Zot, në mënyrë që edhe ne të mund të shndërrohemi, duke u bërë shenja të besueshme
të pranisë e të dashurisë së tij Hyjnore në histori.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë Zan 22, 1-2.9.10-13.15-18
Hyji i kërkon Abrahamit të ofrojë birin e tij. Kjo nuk është e çuditshme nëse mendojmë
për sakrificat e fëmijëve që bëheshin në ato kohë. Por Hyji shpëton Izakun për t’i
treguar popullit të tij që Ai dënon disa tradita. Megjithatë lejon që Abrahami të
arrijë deri në pikën e sakrifikimit për të provuar besimin e tij. Besimi i Abrahamit,
i gatshëm të dhurojë atë që ka më të dashur, arrin këtu pikën më të lartë. Këtë ofertë
që Hyji nuk e ka dashur nga Abrahami, e ka kryer Ai vetë në vdekjen e Birit të tij.
Lexim prej Librit të Zanafillës
Në ato ditë, Hyji e vuri në provë Abrahamin e i tha: “Abraham!” Ai i përgjigji: “Tek
jam!” I tha: “Merre djalin tënd të dishirit, Izakun, të cilin e do e shko në trevën
Moria, e atje ma kushto fli shkrumbimi mbi njërin ndër kodrat që do të ta tregoj.”
Kur arritën në vendin që Hyji ia kishte dëftuar, Abrahami aty e ndërtoi lterin dhe
mbi të i renditi drutë. E shtriu dorën dhe e mori thikën për ta flijuar djalin e vet.
Kur, qe, prej qiellit bërtiti engjëlli i Zotit: “Abraham, Abraham!” Ky iu përgjigj:
“Urdhëro!” Engjëlli i tha: “Mos e ço dorën tënde mbi fëmijën tënd dhe mos i bëj farë
dëmi! Tash po e shoh se ia ke drojën Hyjit dhe për shkak tim nuk e kurseve as djalin
tënd të dishirit.”
Abrahami i çoi sytë lartë dhe e pa një dash të ngatërruar për brirësh në një shkurre.
E mori këtë dhe e kushtoi fli shkrumbimi në vend të të birit. Engjëlli i Zotit e thirri
Abrahamin për të dytën herë prej qiellit e i tha: “Pasha mua - është fjala e Zotit
– pasi e bëre këtë gjë dhe nuk të është dhembshur djali yt i dishirit, unë po ta fal
bekimin tim dhe do të bëj që pasardhësit e tu të shtohen porsi yjet e qiellit, porsi
rëra në bregun e detit. Ndërsa pasardhësit e tu do t’i pushtojnë dyert e armiqve të
vet dhe në farën tënde do të jenë të bekuar të gjithë popujt e tokës pasi ti ma dëgjove
fjalën.”
Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin.
Psalmi 116
Do të eci para Zotit në tokën e të gjallëve
Besoj edhe atëherë kur më duhet të them:
“Jam i pafat për së tepërmi!”
E çmueshme është para Zotit
vdekja e shenjtërve të tij.
O Zot, unë jam shërbëtori yt,
shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate.
Ti i këpute hekurat e mi:
Ty do të ta kushtoj flinë e lavdit,
me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit
në praninë e mbarë popullit të tij,
në oborret e Shtëpisë së Zotit,
midis teje, o Jerusalem!
Leximi i dytë Rom 8, 31-34
Pali imagjinon se besimtarët paraqiten në gjykatën e Hyjit për tu gjykuar mbi tradhëtitë
dhe pabesnikëritë e tyre. Por gjithashtu pohon se askush s’mund të na akuzojë, nga
momenti që gjykatësi është nga ana jonë. Me kusht që edhe ne të jemi në anën e tij.
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, çka të themi tjetër lidhur me këtë? Nëse Hyji na përkrah, kush do të jetë
kundër nesh? Ai as Birin e vet nuk e kurseu, por e dorëzoi të flijohet për të gjithë
ne, e si atëherë, bashkë me Të, nuk do të na japë çdo gjë? Kush do t’i padisë të zgjedhurit
e Hyjit? Hyji shfajëson! Kush do të dënojë? Krishti Jezus vdiq, për më tepër edhe
u ngjall! Ai qëndron në të djathtën e Hyjit: Ai ndërmjetëson për ne! Fjala e Zotit.Falënderojmë
Hyjin.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Prej resë që shkëlqente u dëgjua një zë:
“Ky është Biri im. Atë dëgjoni!”
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Ungjilli Mk 9, 2-10
Jezusi i shndërruar është fytyra e vërtetë e Hyjit dhe e njerëzve. Po a është e mundur
që Mesia të jetë ky njeri që vazhdimisht përndiqet dhe në fund kryqëzohet? Është ky
aspekti më tronditës i Ungjillit. Siguritë tona të besimit mbështeten mbi përvojën
e vetme të apostujve. Nuk do të ketë përveç Jezusit një Mesi tjetër të kryqëzuar që
shpëton njerëzit.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Në atë kohë, Jezusi i mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i çoi vetëm ata në
vetmi, në një mal të lartë, dhe u shndërrua para tyre. Petkat e tija u bënë ndriçuese
të bardha, sa që asnjë zbardhues mbi tokë nuk mund t’i zbardhojë ashtu. Atyre ju dukën
Elia me Moisiun e po bisedonin me Jezusin. Pjetri atëherë mori fjalën e i tha Jezusit:
“Rabbi, për ne është mirë të qëndrojmë këtu. Po i ndërtojmë këtu tri tenda: një për
ty, një për Moisiun e një për Elinë.” Në të vërtetë s’dinte çka të thoshte tjetër,
sepse ishin trembur keqas. Ndërkaq u duk një re dhe i mbuloi me hijen e vet e prej
resë u dëgjua një zë: “Ky është Biri im – djali i Dishirit! Atë dëgjoni!” Menjëherë
shikuan rreth e rrotull e nuk panë askënd tjetër, përveç vetëm Jezusit me ta. Ndërsa
po zbritnin nga mali, Jezusi u urdhëroi që të mos i tregojnë askujt çka panë deri
që Biri i njeriut të mos ngjallet prej së vdekuri. Ata e mbajtën porosinë, por njëri-tjetrin
e pyesnin çka do të thotë ajo fjalë: “të ngjallet prej së vdekuri." Fjala
e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht.
Meditim. Lutu me Ungjillin e së dielës:
Ti na ke ftuar të gjithëve, o Zot,
në Malin e shndërrimit.
Atje ne pamë lumninë tënde,
dëgjuam zërin tënd.
Në atë majë na duk se feja
ishte e lehtë, e natyrshme,
pa ankthe e pa kryqe.
Ndihmona të zbresim nga mali,
e hap pas hapi ta ndjekim Jezusin
udhë të tjera pa kërkuar,
udhë të shkurtra, pa mundim:
me bindjen se agu i Pashkëve,
kalon nëpër udhën
e së Premtes së Madhe!
Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së dytë të krezhmëve,
mund të dëgjoni këtu....
All the contents on this site are copyrighted ©. |