2015-02-25 11:59:00

Thirrjet rregulltare: shikojmë Papën, shembull force


Thirrjet për jetën rregulltare, rënia e numrit të të rinjve që u përgjigjen atyre, ndjenja se jemi në prag të një lulëzimi të ri. Këto janë të dhënat dhe përshtypjet, që shoqërojnë Konferencën Ndërkombëtare për baritorinë e thirrjeve të jetës së shuguruar, e cila vijon në Romë deri të premten. Takimi, me ekspertë nga kontinente të ndryshme, organizohet nga “National Religious Vocation Conference” (Konferenca Kombëtare e Thirrjeve Rregulltare) e Çikagos – shoqatë katolike amerikane, e impenjuar prej 27 vjetësh në promovimin e thirrjeve. Intervistuam njërin nga pjesëmarrësit, sekretarin e Bashkimit të Eprorëve të Përgjithshëm, atë David Glenday:

         Jemi akoma në fillim. Do të flasim për ndryshimet e mëdha kulturore, që kanë ndodhur e po ndodhin; për ndikimin e tyre mbi familjet; për vështirësitë e të rinjve që të angazhohen “ad vitam” (për gjithë jetën); për sfidën që ka përpara jeta rregulltare, e cila duhet të paraqitet, të shpjegojë arsyet e ekzistencës së vet. Natyrisht, kandidatët janë më pak, por ndjehet një lloj zjarri, që djeg nën prush. Jemi në orët para agimit. Është e nevojshme ta jetojmë këtë çast me shpresë, me besim, me energji.

         Sot për sot, të rinjtë duket sikur nuk tërhiqen nga jeta rregulltare. Në ç’mënyrë mund të ndryshojë kjo gjendje?

         Është dëshmia, dëshmia tërheq: dëshmia e gëzimit, e paqes, e interesimit për të fundmit, e iniciativës. Falë Zotit, kjo dëshmi jepet akoma. Pastaj, duhet pasur besim, duhet mbjellë, pa pritur rezultate të menjëhershme. Një motër franceze tha në konferencë se, kur të rinjtë shkojnë në Lurdë, pyeten nëse kanë menduar ndonjëherë të bëhen rregulltarë, apo rregulltare. 40% e tyre përgjigjet pozitivisht. Kemi pasur dëshmi të mrekullueshme edhe nga të rinjtë amerikanë. Pra, kjo është shpresa, ky është zjarri, ky është treguesi që Shpirti Shenjt po punon. Kjo konferencë është fryt i fillimit të Vitit kushtuar Jetës Rregulltare, dashur nga Papa Françesku.  Na nxit e na gjallëron shembulli i tij, sepse jemi të vetëdijshëm se Papa është rregulltar: nuk e fsheh këtë, e jeton haptas thirrjen e vet e na fton të angazhohemi më shumë, më rrënjësisht. Kjo na ndihmon.








All the contents on this site are copyrighted ©.