2015-02-25 15:59:00

Papa nuk donte t’i prekte ndjenjat e popullit meksikan


Saktësim i drejtorit të Sallës vatikanase të shtypit, atë Federiko Lombardi, lidhur me shprehjen “të shmanget meksikanizimi”, përdorur nga Papa në një email privat dhe informues, duke iu përgjigjur një miku argjentinas shumë të angazhuar në luftën kundër drogës, që e kishte përdorur këtë frazë.

“Sekretaria e Shtetit të Vatikanit i dorëzoi një notë ambasadorit të Meksikës pranë Selisë së Shenjtë, përmes së cilës sqaron se me shprehjen “të shmangë meksikanizimin”, Papa nuk e kishte fare në mend t’i prekte ndjenjat e popullit meksikan, të cilin e do shumë, e aq më pak, të nënvleftësonte angazhimin e qeverisë meksikane në luftën kundër trafikut të drogës.

Siç dihet, shprehja “të shmanget meksikanizimi”  u përdor nga Papa në një email me karakter ngushtësisht privat e informues drejtuar një miku argjentinas shumë të angazhuar në luftën kundër trafikut të drogës, i cili e kishte përdorur këtë frazë.

Nota vë në dukje se Papa, natyrisht, nuk kishte qëllim tjetër, veç atij të vënies së theksit mbi trafikun e drogës, parë si fenomen shumë i rëndë, që i shkakton vuajtje Meksikës dhe vendeve të tjera të Amerikës Latine. E pikërisht sepse është fenomen i rëndë, Qeveria e shikon si përparësi luftën kundër trafikut të drogës, për t’iu kundërvënë dhunës e për t’i rikthyer paqen e qetësinë familjeve meksikane, duke zhdukur shkaqet e kësaj plage.

Është fjala për një fenomen, si të tjerë në Amerikën Latine, për të cilët, në shumë raste, edhe në takimet me ipeshkvijtë, Ati i Shenjtë ka tërhequr vëmendjen mbi nevojën e adoptimit të politikave të bashkëpunimit e të konkretizimit”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.