2015-02-25 16:49:00

Me një Letër baritore, ipeshkvijtë e Paraguait njoftojnë vizitën e Papës Françesku


“Lajmtar i gëzimit dhe i paqes”: kështu e quajnë ipeshkvijtë e Paraguait Françeskun në një Letër, me të cilën japin zyrtarisht njoftimin për vizitën e Papës, korrikun e ardhshëm, në kontekstin e një shtegtimi, që duhet të përfshijë edhe Bolivinë e Ekuadorin. Ipeshkvijtë shtojnë se datat e sakta të këtij shtegtimi, i teti ndërkombëtar, i dyti në zonën latinoamerikane,  do t’i njoftojë vetë Ati i Shenjtë.

Për episkopatin e Paraguait, Papa do të shkelë në këto troje si misionar, që dëshiron ta shoqërojë popullin në trevjetorin kushtuar ungjillëzimit të familjes. Kjo vizitë, vijon Letra e prelatëve, i jep hov të ri shpresës sonë për shndërrimin e thellë shpirtëror, që mund të vihet në jetë vetëm përmes kthimit të vërtetë kah Krishti. Prej këndej, paraguaianët duhet ta ndjejnë fort ndikimin shndërrues të vizitës apostolike të Atit të Shenjtë, nënvizojnë ipeshkvijtë.

Së fundi, episkopati i vendit jugamerikan i nxit të gjithë ta përgatisin vizitën me lutje, me thellimin e përshpirtërisë së thjeshtë, personale, familjare e komunitare, “që shtegtimi i Papës të jetë burim bekimesh të begata për mbarë popullin”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.