2015-02-25 16:37:00

Dita IV e Ushtrimeve Shpirtërore për Papën


Dita e katërt e Ushtrimeve Shpirtërore për Papën e Kurien Romake, në Shtëpinë e Mësuesit Hyjnor, në Ariccia. Tema e meditimit të ditës është: “Lëreni Zotin t’ju befasojë”. Meditimi i parë, me temë “Zëri i lehtë i heshtjes: Hyji është ndryshe e gjetiu”, u mbajt paradite, duke nisur nga ora 9.30. Ndërsa pasdite, në orën 16.00, meditimi i dytë, me temë. “Ma jep tënd bir: të varfrit ungjillëzojnë”.

Dje pasdite  tema e Ushtrimeve Shpirtërore ishte: “Ta flakim tutje maskën”, shtjelluar duke ndjekur përvojën e dy profetëve të mëdhenj të Besëlidhjes së Vjetër: Elisë e Abdisë. Filli i kuq i meditimit: të dalim haptas, t’u japim fund qëndrimeve të dykuptimta e të marrim guximin për të jetuar një jetë vërtetësisht të krishterë. E pyetja themelore, ajo që bën Elia nga thellësitë e shekujve: “E deri kur do të vijoni të kaloni nga njëra anë, në tjetrën?”. I drejtohet një populli,  të cilit sistemi ia ka mbytur ndërgjegjën. Prej këndej, rri e bën sehir duarkryq ç’ndodh rreth tij, duke u mbyllur në jetën e vet fetare. Ndërsa duhet të marrë guximin e të dalë haptas. Ta thotë të vërtetën për vetveten, duke e flakur maskën, që ia vë në gjumë ndërgjegjen. Të heqë dorë nga   qëndrimet, që e bëjnë njeriun të luhatet nga njëra anë, në tjetrën. T’i hapë rrugën Zotit e fesë së vërtetë. Kjo do të thotë t’u japësh fund idhujve. Po cilët janë? Lista është tejet e gjatë: “Krenaria, ambicja, karriera, etja për fitim, dhuna…”. U nënvizua se dhuna, tejet e përhapur sot, mund të marrë pamje nga më të ndryshmet. Mund të jetë me, por edhe pa shpatë. Mund të ketë edhe pamjen e mjeteve të komunikimit, sepse, u kujtua: “Nganjëherë tastiera vret e pret më shumë se shpata”.








All the contents on this site are copyrighted ©.