2015-02-24 11:45:00

Imzot Zanella për ushtrimet shpirtërore: nga Papa, shembull i vlefshëm për të gjithë


“Shtigje lirie”: kjo është tema e sotme, dita e tretë e Ushtrimeve Shpirtërore të Papës Françesku me Kurien Romake, në Shtëpinë e Mësuesit Hyjnor në Ariccia, pranë Romës. Meditimet e propozuara nga atë Bruno Secondin, i Urdhërit të Karmelitanëve, janë një interpretim baritor i Elisë profet, përshkuar nga ideja “Shërbëtorë e profetë të Zotit të gjallë”. Ushtrimet do të përfundojnë të premten paradite. Mbi rëndësinë e tyre për të gjithë të krishterët, duke u nisur nga shembulli i Atit të Shenjtë, i kërkuam një koment sekretarit të Federatës Italiane për Ushtrimet Shpirtërore, imzot Danilo Zanella. Ta dëgjojmë:

         Sigurisht, Papa e bashkëpunëtorët e tij na japin një shembull të madh. Na thonë të kërkojmë – në mesin e frenezisë, edhe baritore – heshtjen, ku banon Shpirti Shenjt e të gjejmë çaste kundrimi, në mënyrë që të jemi më të frytshëm në veprimet e mëpasme. Papa nuk i ka folur Kishës, në mënyrë të veçantë, për ushtrimet shpirtërore, por nga mësimet e tij, nga ndërhyrjet e tij, ndjehet baza jezuite e të madhit Shën Injac të Lojolës. Uroj që edhe në dioqeza, në famulli, në “menynë shpirtërore” të besimtarëve, të programohet, së paku një herë në vit, për meshtarët, për seminaristët, për familjet, të rinjtë, animatorët, kjo ndalesë, ky reflektim, ky meditim për çka kremtojmë e çka jetojmë. Edhe ne priftërinjtë rrezikojmë të jemi aktorë teatri, pra të dukemi, t’i bëjmë mirë gjërat, por pa u kujdesur për shpirtin.

         Ju keni marrë pjesë e keni organizuar shumë kurse e ushtrime shpirtërore. Si ndryshojnë njerëzit pas tyre?

         Kohët e fundit kam udhëhequr, në ushtrimet shpirtërore, një grup meshtarësh nga jugu i Italisë. Qe çast i bukur, vëllazëror, por në përgjithësi, ushtrimet shpirtërore janë vërtetë një “kairos” (rast i volitshëm): ka nga ata që e gjallërojnë fenë, ata që zgjidhin problemet me thirrjen meshtarake, dikujt i rizgjohet dëshira për jetën, sepse gjen në fe atë gëzim, për të cilën flet Papa në Enciklikën e vet… Ungjilli  i gëzimit! Pra, të imagjinojmë një shtëpi, ose një kuvend, në qetësi, në heshtje, …Zotin që e ndjen afër, që të jep forcë për të përballuar vështirësitë e kësaj shoqërie “të lëngshme”, pra të karakterizuar nga relativizmi moral. Për të shpallur Lajmin e Mirë të Ungjillit, nuk ka “klinikë” më të mirë se një shtëpi përshpirtërie!








All the contents on this site are copyrighted ©.