2015-02-20 12:38:22

Kishat evropiane kundër nacionalizmit, që përjashton


Në një çast kritik për historinë evropiane, Kishat janë të thirrura të japin një kontribut më konkret për ndryshimin e mendësisë, për favorizimin e dialogut e për bashkëjetesën paqësore ndërmjet feve dhe etnive. Zgjedhjet e fundit në Evropë vunë në dukje se po shkohet drejt një nacionalizmi, vërtet në variantin e mijëvjeçarit të tretë, por që nxjerr në pah mbylljen në vetvete të popujve, kundër emigracionit e kundër vetë Bashkimit Evropian si institucion. Parti e lëvizje të ndryshme politike i mëshojnë levës së frikës për të ardhmen e të kërcënimit integralist në portat e kontinentit të vjetër.
Në këtë gjendje, të Mërkurën e Përhime, u mblodh në Bruksel, Komisioni “Drejtësi e Paqe” i Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (Comece), i cili diskutoi mbi temën “Nacionalizmat e përjashtimit”, për të hartuar një dokument, që së shpejti, do të jetë mbi tryezat e të gjithë politikanëve dhe administratorëve të Evropës. Teksti paraqet një thirrje të guximshme për organizatat e shoqërisë civile e ato fetare, në mënyrë që të kundërshtojnë e të vënë në diskutim të gjitha shprehjet e retorikës nacionaliste, si në sferën private, ashtu edhe në atë publike. U është dhënë edhe një plan veprimi të gjitha komisioneve kombëtare për Drejtësinë e Paqen, që fton të diskutohen e të vlerësohen programet dhe metodat e partive nacionaliste e ksenofobe, shtet për shtet.
Vërejmë daljen në dritë të interesave kombëtare në dëm të së mirës së përbashkët, lexohet në dokument, ndërsa “si të krishterë, jemi të thirrur të marrim pjesë aktivisht në jetën publike dhe të punojmë për mirëqënien e krejt familjes njerëzore”. Ipeshkvijtë theksojnë se njerëzit kanë dinjitet të barabartë e duhen trajtuar me të njëjtin respekt. Një farë krenarie kombëtare është e natyrshme, nënvizojnë ata, por vetëm nëse bën pjesë në kuadrin më të gjerë të së mirës së bashkësisë globale. “Nacionalizmi i përjashtimit – shkruajnë prelatët e Evropës – është i sëmurë, sepse mohon drejtësinë e të drejtat themelore, duke u nisur nga baza kombëtare e racore, ose nga arsye fetare: ai paraqet kërcënim për kohezionin shoqëror dhe për ruajtjen e paqes ndërmjet shteteve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.