Abati i madh i Mirditës Imzot Preng Doçi në përvjetorin e vdekjes Më 22
shkurt kujtojmë përvjetorin e vdekjes së Abatit të Oroshit të Mirditës, imzot Preng
Doçin. Abati i madh imzot Preng Doçi lindi më 8 shkurt të vitit 1846 në fshatin Bulgër,
ndërroi jetë më 22 shkurt të vitit 1917 . U shkollua në Shkodër e në Romë. Më
25 tetor të vitit 1888, Papa Leoni XIII me dekretin “Supra montim Mirditarum” e rimëkëmbë
Abacinë e Oroshit në Mirditë dhe për Abat emëron imzot Preng Doçin. Përtëritja e kësaj
Abacie Kishtare e sidomos ardhja e imzot Preng Doçit, ndikuan shumë në jetën fetare,
kulturore dhe politike të Mirditës e të mbarë Vendit e kombit shqiptar. Në fushën
e jetës fetare kishtare, imzot Doçi punoi shumë për përhapjen e Ungjillit, për
përforcimin e vetëdijes kombëtare e fetare të shqiptarëve dhe për pjesëmarrjen e besimtarëve
në Sakramente. Po kështu imzot Doçi derisa punonte për kultivimin e vlerave shpirtërore
e kombëtare, në anën tjetër luftonte për dukuritë e këqija që ekzistonin ndër shqiptarë,
si vrasjet, hakmarrjen, konkubinatin (martesat joligjore), e dukuritë tjera që pengonin
përparimin e rritjen e vlerave tek populli. Në fushën e jetës kulturor,
imzot Preng Doçi në vitin 1899 themeloi shoqërinë letrare “Bashkimi” me qëllim të
zgjidhjes së çështjes së alfabetit në bazë të shkronjave latine dhe për përhapjen
e shkollave e botimin e librave në gjuhën shqipe, që asokohe ishin pak e shumë të
luftuara nga armiqtë e popullit shqiptar, sidomos turqit. Ishte kjo një nevojë e madhe
e për imzot Doçin qe një program për Rilindjen Kombëtare, për t’i dhënë një hov të
ri me shkolla e dije Shqipërisë e në mënyrë të posaçme zonës së Mirditës. Nga ato
pak vepra që kemi, flasin qartë për ndjenjat e forta njerëzore, fetare, atdhetare
e kulturën e gjerë që kishte Abati i Oroshit. Një nga veprat e tij është edhe
“Shqipëria nën zgjedhën turke”, dhe “Shqipëria në robni”. Në fushën e jetës
kombëtare politike, imzot Preng Doçi dha një kontribut të jashtëzakonshëm, e bashkoi
Mirditën dhe i dha një njësi të vetme. Në “relacionin e tij mbi gjendjen e Abacisë
së Shën Llezhdrit të Mirditës”, imzot Doçi mes tjerash shkruan se Mirdita është “si
një shtet i vogël autonom” popullsia e së cilës është krenare për lirinë e vet. Për
këtë arsye Mirdita duhet të jetë një nukleus - qelizë e një shteti shqiptar. Kjo ëndërr
e tij qe kohëshkurtër, sepse turqit e shuan kryengritjen e mirditorëve të cilën e
organizoi ai. Për këtë arsye turqit e internuan në Stamboll, nga ku me ndërmjetësimin
e kardinali armen Azarian lirohet dhe shkon në Romë, ku Selia e Shenjtë e dërgon me
misionin diplomatik në SHBA e vende tjera, derisa me ndërmjetësimin e kardinajve të
Vatikanit Aliardi e Jakobini, më 1888 u kthye në Shqipëri si Abat i Mirditës. Më 1911
- 1912 udhëhoqi kryengritjen e Mirditës kundër osmanlinjve. Pa e prekur kurrë misionin
e tij fetar, nën ndikimin e zgjimit kombëtar të popullit dhe të ngjarjeve të mëdha
politike të kohës, ai u bë një nga paraardhësit e letërsisë së Rilindjes në Shqipëri.
Dy nga poezitë më të rëndësishme të tij janë "Një kushtrim shqiptarëve"
dhe "Shqipnia nën zgjedhën turke", shprehin shqetësimin, dhimbjen për gjendjen
e mjeruar të popullit, të vendit dhe krenarinë e Abatit Doçi për të kaluarën. Duke
gjykuar me mprehtësi situatën politike, nuk mungon të bëjë edhe thirrje të zjarrta
për luftë kundër turkut pushtues: N'qafë ma zgjedhën kush e bán? Kambëve
prangat lidhë na i kanë, Osmanllia edhe na shán, Na pin gjakun,
mishtë na e han. Shqyptár trima, zgjedhën lshoni Kputni prangat
e luftoni! Abati i madh i Mirditës hyri në histori si meshtar i zellshëm, atdhetar
i flaktë, mbrojtës i popullit e vendit, si poet, studiues e prijës trim. Ndërroi jetë
më 22 shkurt të vitit 1917. Së bashku me imzot Gaspër Krasniqin nga Kosova, imzot
Preng Doçi u angazhua me mish e shpirt në luftën kundër pushtimit të turqve dhe për
përparimin kulturor e të gjithanshëm të popullit shqiptar e Vendit.