"Feja e shoqëria”në Shqipëri: një vështrim i priftit arbëresh Mons. Eleuterio
Francesco Fortino. Duke marr shkas, nga situata kritike ndërkombëtare, që rrëfen
për keqpërdorimin e fesë dhe të emrit të Hyjit, vetvetiu del në pah aktualiteti dhe
vlera e jashtëzakonshme e shembullit të bashkëjetesës paqësore e vëllazërore të komuniteteve
fetare në përgjithësi e asaj ndër shqiptarë në veçanti. Shembulli shqiptarëve që
edhe një herë u vu në pah në shtatorin e kaluar në Tiranë nga Papa Françesku. E pikërisht
mbi këtë çështje duam të ju propozojmë mendimin e një prifti e intelektuali të shquar
arbëresh, i cili ndërroi jetë në shtator 2010, atë të ndjerit imzot Eleuterio Fortino,
për bashkëpunimin ndërmjet feve në Shqipëri. Pjesa është marrë nga shkrimi i tij me
titull “Feja dhe shoqëria”, botuar në librin “Papa në Shqipëri” botuar më
1993, përgatitur nga kryeredaktori programit shqip të Radio Vatikanit, don David
Gjugja.
Shkruan imzot Fortino: “Detyrat e feve në shoqërinë shqiptare, pavarësisht
nga besimi i secilës prej tyre, mund të çojnë në një rol të përbashkët të paktën në
tre fusha: trashendenca, etika dhe shoqëria”.
Përsa i përket trashendencës,
imzot Fortino vinte në dukje s shoqëria shqiptare e kohës komunizmit e reduktoi njeriun
vetëm në përmasën e tij materiale. Ana shpirtërore, “jo vetëm është injoruar, por
është çligjëruar, i është bashkangjitur ambientit të përrallave e legjendave, apo
fushës së supersticioneve të mbijetuara nga e kaluara”. Gjithashtu, vërente imzot
Fortino, jeta është reduktuar vetëm në fazën e saj tokësore, nuk ka asnjë shpresë
ringjalljeje, pasi Zoti nuk ekzistonte për komunizmin. “Ndërsa fetë – shkruan imzot
Fortino- si ajo e krishterë (katolike dhe ortodokse), ashtu edhe ajo islamike, i hapin
njeriut horizontin e trashendencës. Njeriu është krijuar nga Zoti, jeton në Zotin,
rilind për jetën e pasosur, rikthehet tek Zoti, i cili jo vetëm ekziston, por është
Zot i mëshirës dhe i dashurisë. Zoti është në horizontin e njeriut, madje ndërhyn
në mënyrë të mistershme në vetë historinë e njeriut. Për këtë hapje ndaj trashendencës
mund të bashkëpunojnë fetë”. Kërkimi i së vërtetës është i përbashkët për të gjitha
fetë, nënvizon imzot Fortino, i cili, në shkrimin e tij, citon dekretin konciliar
“Nostra Aetate”, ku Koncili II i Vatikanit konfirmon marrëdhëniet e mira të Kishës
Katolike me fetë e tjera, të cilat, të gjitha e orientojnë jetën e njeriut drejt trashendencës,
drejt hyjnores. “Kjo hapje drejt hyjnores – thekson imzot Fortino – i jep domethënien
e fundit jetës njerëzore dhe fatit përfundimtar të njerëzve. Prej saj vjen edhe pikpamja
mbi njerëzimin si familje e Zotit dhe pikëpamja mbi njerëzit si vëllezër të së njëjtës
familje njerëzore”. E më poshtë vijon: “Kjo pikëpamje shpjegon edhe sjelljen e
organizatave bamirëse katolike, si Karitasi, që interesohen për të gjithë njerëzit
në nevojë, pa dallime. Tek ata shihet vëllai në vështirësi, vëllai që vjen nga Zoti
dhe kthehet tek Zoti. Sigurisht, është më mirë ta bëjmë së bashku këtë rrugë. Mund
të shmangen disa gremina. Mund t’i tregohen njëri-tjetrit shtigjet e Zotit”.
Edhe
në fushën etike, fetë mund të bashkëpunojnë pa probleme, shkruan imzot Fortino, duke
përshkruar fillimisht shpërbërjen etike të regjimit komunist dhe çorientimin, që pasoi.
“Mungesa e një ndërgjegjeje qytetare është fryt i drejtpërdrejtë i mungesës së formimit
të ndërgjegjes vetjake, formim, i cili është i mundur vetëm nëse bazohet në parime
të forta, të asimiluara në nivelin personal – denoncon arbëreshi i shquar. Edhe
nga pikëpamja kombëtare, mungesa e etikës duket nga dukuritë alarmuese të korrupsionit,
të largimit në masë nga vendi… Shpërbërja etike sjell edhe shpërbërjen shoqërore”. Pastaj
vazhdon: “Fetë kanë një mesazh të madh etik për të ofruar, duke i zbuluar njeriut
dinjitetin e vet, të drejtat dhe detyrat e veta themelore… Kjo vjen nga fakti se njeriu
është krijuar sipas pamjes dhe shëmbëlltyrës së Zotit. E pikërisht prej këtej, rrjedhin
të gjitha arsyet e dinjitetit, të drejtave dhe detyrave të tij… Fetë bien në një mendje
përsa i përket parimeve bazë të etikës, që Jezu Krishti i ka përmbledhur në dy urdhëresa
themelore: “Duaje Zotin tënd me gjithë zemër. Duaje të afërmin tënd si veten”. Nga
këto dy urdhëresa varet i gjithë ligji dhe profetët (Mt 22,37-40)”. E prej këndej
rrjedh edhe etika shoqërore, analizon imzot Fortino: “Mbështetja e tillë tek e vërteta
e përjetshme i jep etikës përmbajtje dhe qëndrueshmëri. Vizioni i përgjithshëm i njeriut
– njësim jetësor i trupit dhe i shpirtit – që vjen nga konsiderata thellësisht fetare,
gjeneron edhe një qëndrim të përbashkët kundrejt problemeve kyçe të shoqërisë së sotme,
si ato të lidhura me kontrollin e lindjeve, me problemin e abortit dhe të eutanazisë
e në përgjithësi, me problemin e jetës dhe të dinjitetit të saj”. Fusha e tretë
e bashkëpunimit ndërmjet feve, sipas imzot Fortinos, është ajo shoqërore. Qysh Koncili
II i Vatikanit u bën thirrje të krishterëve dhe myslimanëve të harrojnë ndarjet e
problemet e kaluara dhe të mbrojnë e të përkrahin sëbashku drejtësinë shoqërore, vlerat
morale, paqen e lirinë për të gjithë njerëzit. “Pas periudhës së monologut marksist
– shkruan imzot Fortino – Shqipëria ka nevojë pikërisht për një dialog shumëpërmasor,
në mënyrë që asnjë zë të mos mbetet i pashprehur dhe asnjë mundësi njerëzore, e shtypur.
Për një Shqipëri moderne, me rolin e vet në bashkësinë e popujve evropianë, nevojitet
pjesëmarrja e të gjithëve për të krijuar një perspektivë dinamike”. Që kjo të sjellë
fryte duhet formuar brezi i ri, formim, që sipas imzot Fortinos, duhet bazuar në dy
shtylla: në identitetin fetar të njeriut dhe në qëndrimin e dialogut e të bashkëpunimit. “Krijimi
i një mentaliteti të tillë – shkruan akoma meshtari i madh arbëresh – kërkon reciprocitet.
Kërkon pra, që edhe pala tjetër të bëjë përpjekje për të kuptuar krishterimin dhe
dialogun…Krijimi i një mentaliteti të tillë presupozon kontaktin e rregullt ndërmjet
përgjegjësve të bashkësive fetare… Kjo sjellje zbulon në praktikën e përditshme, pikën
e referimit të përbashkët në një Zot të vetëm”.