2015-02-19 14:55:04

Papa Françesku: t’i shërbejmë Zotit e jo kujt na ofron sende të kota


Në çdo rrethanë të jetës, i krishteri duhet të zgjedhë Zotin e të mos joshet nga sjellje e gjendje, që e largojnë prej Tij. Duke komentuar leximet e ditës, gjatë meshës në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku i këshilloi të krishterët të zgjedhin të mirën, nëse nuk duan të jenë si ata, që ai i quajti “të dështuar të suksesshëm”. Pra, njerëz të ngritur në qiell nga turma, që i sheh si të pushtetshëm, por që, në fund të fundit, nuk janë tjetër, veçse adhurues të gjërave të vogla, që kalojnë e s’lënë asgjë pas. RealAudioMP3
Në qendër të liturgjisë së sotme ishte pjesa biblike, në të cilën Zoti i thotë Moisiut: “Shiko! Unë sot po të vë përpara jetën e lumturinë po edhe vdekjen e mjerimin. …sot po të urdhëroj: ta duash Zotin, Hyjin tënd, të ecësh udhëve të tija”.

Ndjekës të zotëve të parëndësishëm
Vendimi që merr Moisiu, pohoi Ati i Shenjtë, është ai që duhet të marrë përditë çdo i krishterë. Është vendim i vështirë. Është më lehtë ta lesh veten në dorë të inercisë së jetës, të gjendjeve të ndryshme, të ngjarjeve të përditshme. Është më lehtë të bëhesh, nënvizoi Papa, shërbëtor i zotërve të tjerë:
“Të zgjedhësh ndërmjet Hyjit e zotërve të tjerë, atyre, që s’kanë fuqi të na japin gjë, vetëm gjëra të vogla, që kalojnë. E nuk është e lehtë të zgjedhësh. Ne e kemi zakon të shkojmë pas njerëzve, të bëjmë pak a shumë, si të gjithë. Si të gjithë! Të gjithë e askush! E sot, Kisha na thotë: ‘Ndalu! Ndalu e zgjidh’. Është këshillë e mirë. Do të na bëjë mirë të ndalemi e gjatë ditës, të mendojmë pak: si është mënyra ime e jetesës? Në ç’rrugë eci?”

Monument për të dështuarit
E së bashku me këto pyetje, të rrëmojmë më thellë në ndërgjegje, vijoi Papa, të pyesim ç’marrëdhënie kemi me Zotin, me Jezusin… e pastaj, me prindërit, vëllezërit, burrin, gruan, fëmijët. E këtu, Ati i Shenjtë citoi Ungjillin e ditës, ku Jezusi u thotë dishepujve se njeriut mund t’i duket sikur ka në dorë gjithë botën, por nëse e ka humbur e shkatërruar shpirtin e vet, nuk ka fituar asgjë:
“Udhë e gabuar është ajo e kërkimit të suksesit personal, të mirëqënies personale, pa menduar për Zotin, pa menduar për familjen. Këto dy pyetje: si i kam marrëdhëniet me Zotin, si i kam marrëdhëniet me familjen? Përndryshe, njeriu mund të fitojë gjithçka, por në fund të fundit, kthehet në njeri të dështuar. Sepse dështon. Ajo jetë është dështim. ‘Po jo, i kanë ngritur një monument, i kanë pikturuar një kuadër…’. Po, por je i dështuar: nuk ke ditur të zgjedhësh mirë ndërmjet jetës e vdekjes”.

Të mos vendosim vetëm
Ta pyesim veten, nguli këmbë Papa Françesku, cila është shpejtësia me të cilën jetoj e nëse me lejon të reflektoj mbi veprimet e mia. T’i lutemi Zotit për guximin e nevojshëm që të zgjedhim çdo herë. E Ati i Shenjtë këshilloi të lexohet për këtë, Psalmi 1:
“’Lum njeriu që beson në Zotin’. Kur Hyji na jep këtë këshillë – ‘Ndalu! Zgjidh sot, vendos’ – nuk na lë vetëm. Është me ne e dëshiron të na ndihmojë. Vetëm se ne duhet të kemi besim në Të. ‘Lum njeriu që beson në Zotin’. Sot, sapo ndalemi për të menduar këto gjëra e për të vendosur, për të zgjedhur diçka, e dimë se Zoti është me ne, pranë nesh, për të na ndihmuar. Nuk na lë kurrë vetëm, kurrë. Është gjithmonë me ne. Edhe në çastin e zgjedhjes, është me ne”.







All the contents on this site are copyrighted ©.