2015-02-19 15:20:34

Papa Françesku takohet me famullitarët e Romës: as meshtarë të ngurtë, as showman


Papa Françesku u takua sot, në Sallën Pali VI në Vatikan, me famullitarët e Romës. Tema e sivjetme “Ars celebrandi” i nxiti të pranishmit të reflektojnë veçanërisht mbi homelinë, së bashku me Atin e Shenjtë. Për t’u përgatitur, meshtarët kishin në dispozicion një fjalim që kardinali i atëhershëm Bergoglio pati mbajtur para Kongregatës për Kultin Hyjnor, në vitin 2005.
Duhet rizbuluar bukuria, mrekullia e kremtimit, si nga ana e meshtarëve, ashtu edhe nga ana e besimtarëve, u tha Papa të pranishmëve. Duhet hyrë në një atmosferë spontane, normale, fetare, por jo artificiale, për të kuptuar ç’ndjehet kur takojmë Zotin. Kur gjejmë Hyjin në lutje, shpjegoi Ati i Shenjtë, e ndjejmë këtë lloj mrekullie; kur nuk lutemi formalisht, e ndjejmë takimin, ashtu si apostujt. Kjo mrekulli të tërheq, të gozhdon në kundrimin e Zotit.
Kur hasim në meshtarë, që kremtojnë në mënyrë të sofistikuar, artificiale, që abuzojnë me gjestet, vazhdoi Papa Françesku, nuk është e lehtë të hyjmë në misterin e Hyjit. Po kështu, edhe kur meshtari është tepër i ngurtë, tepër sipas rregullave. Janë dy ekstreme – ai i meshtarit të ngurtë e ai i meshtarit ‘showman’, protagonist të kremtimit - që nuk na lejojnë të hyjmë në misterin e Zotit.
“Ars celebrandi – nënvizoi Ati i Shenjtë – ka të bëjë me meshtarin që ngacmon, jeton e që me sjelljen e tij, lejon që Zoti t’i ngacmojë njerëzit”.
Duke hapur takimin e sotëm, vikari i Romës, kardinali Agostino Vallini, shpjegoi se meshtarët, ipeshkvijtë e besimtarët kanë reflektuar këtë vit, sidomos mbi pikën 135 të “Evangelii Gaudium”. Kardinali përmendi rrezikun e “pështirosjes nga fjala e liturgjisë”, pasi nganjëherë, meshtarët përdorin “fjalë të përsëritura, pak të vjetëruara, të pakuptueshme, ose moraliste”. Takimi i Papës me meshtarët e Romës vijoi me dyer të mbyllura.







All the contents on this site are copyrighted ©.