2015-02-18 15:44:07

Mesazh për Kreshmët i Patrikut Bartolomeu I


Ta ndryshojmë jetën e të pajtohemi me ndërgjegjen tonë”. Këtë kërkon patriku ekumenik i Kostandinopojës, Bartolomeu I, në mesazhin e Kreshmëve, drejtuar gjithë besimtarëve ortodoksë të botës. Në qendër të mesazhit, ftesa për pendesë e shenjtëri. Për t’i shijuar me të vërtetë Pashkët me të gjithë shenjtorët e për t’i përngjarë sa më shumë Zotit, për të cilin u krijuam, shkruan Bartolomeu, besimtarët duhet ta jetojnë këtë kohë duke lypur falje, duke u bërë shenjtorë para syve të Zotit e të njerëzve, duke e rrëfyer papërsosmërinë e ligështinë e tyre e duke ndryshuar jetë, në një kohë që na kujton se pluhur ishim e pluhur do të bëhemi!
Kreshmët, zë i ndërgjegjes sonë
Si periudhë përgatitore e pendestare, vijon mesazhi, Kreshmët janë edhe zë i ndërgjegjes sonë. Zë, që bërtet fort brenda nesh, kur gabojmë. Prej këndej, secili duhet të vihet në paqe me ndërgjegjen e vet në radhë të parë. E këtë mund ta arrijë duke u penduar, duke bërë kthesë e duke ecur në rrugën e Zotit. “Vetëm atëhere, pohon në përfundim patriku Bartolomeu, mund të jetojmë si njerëz, me respekt reciprok e dashuri, larg krimeve të tmerrshme, që po i shikojmë sot në botë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.