Krezhmët kohë për të vendosur ta luftojmë të keqën me Krishtin
Të hysh në kohën shpirtërore e liturgjike të Kreshmëve do të thotë të përsëritësh
premtimin personal e komunitar për t’i bërë ballë së keqes së bashku me Krishtin.
Këtë na kujton Kisha, me ritin e përhimjes, në ditën e së mërkurës së përhime, kur
fillon kohën e përgatitjes shpirtërore të besimtarëve, për kremtimin e Pashkëve. Duke
u nisur nga realiteti i jetës së përditshme, i jetës konkrete me batica e zbatica,
Kisha na kujton edhe se Udha e Kryqit është e vetmja që çon në fitoren e dashurisë
mbi urrejtjen, të njeridashjes mbi egoizmin, të paqes mbi dhunën.
Këtë të mërkurë,
me lutje, agjërim dhe ritin e përhimjes, hymë në Kohën e Kreshmëve, e bëjmë një pyetje:
Çka do të thotë të hysh në Kreshmë? E si duhet jetuar kjo kohë që i paraprin festës
së Pashkëve?. Kisha përgjigjet duke treguar të vetmen rrugë, që duhet përshkuar në
luftën kundër së keqes. Do të thotë të fillosh një kohë impenjimi të posaçëm në luftën
shpirtërore për t’iu kundërvënë së keqes, që është e pranishme në botë, në secilin
nga ne e rreth nesh. Kjo do të thotë ta shikosh të keqen në sy e të jesh gati të luftosh
kundër pasojave e, posaçërisht, kundër shkaqeve të saj, deri në shkakun e fundit,
që është shejtani apo djalli i mallkuar.
Kuptimi i Kreshmëve, ka të bëjë edhe
me përgjegjësinë e secilit nga ne në betejën kundër së keqes. Do të thotë, pra, të
mos e shkarkosh problemin e së keqes mbi të tjerët, mbi shoqërinë, mbi bashkësinë
e mbi Hyjin, por t’i njohësh mirë përgjegjësitë personale e ta marrësh mbi vete me
vetëdije pjesën që të takon. Lidhur me këtë, për ne të krishterët tingëllon më urgjente
se kurrë thirrja e Krishtit për ta marrë secili ‘kryqin’ e vet, çdo ditë, e për ta
ndjekur me përvujtëri e besim Mësuesin Hyjnor. E mos të harrojmë se Kryqi nuk është
sinonim me gjëmën, me fatkeqësinë, që duhet të bësh çmos ta shmangësh, por mundësi
që të ecësh në gjurmët e Krishtit e kështu të fitosh forcë në luftën kundër mëkatit
e kundër së keqes. Rruga e kryqit është e vetmja që çon në fitoren e dashurisë
mbi urrejtjen, të njeridashjes mbi vetëdashjen, të paqes mbi dhunën. Po t’i shikojmë
në këtë këndvështrim e dritë, Kreshmët janë vërtetë rast i mirë impenjimi asketik
e shpirtëror, mbështetur mbi forcën e hirit të Zotit. Mesazhi që Kisha vijon t’ia
drejton besimtarëve në fillim të Kreshmëve, na kujton fjalët e Jezusit pikërisht në
fillim të misionit të tij publik, të cilat i dëgjojmë të përsëritura shpesh këto ditë
Krezhmësh. Është ftesa për t’u kthyer në rrugën e Zotit e për t’i besuar Ungjillit,
për t’u lutur e për të bërë pendesë. Ta mirëpresim ftesën e Kishës, që i bën jehonë
asaj të Krishtit, e t’i lutemi të hyjmë me fe në Kreshmë, për ta jetuar këtë kohë
me gëzim shpirtëror e impenjim bujar. Një bisedë rreth kohës së Kreshmëve e
domethënies për besimtarët, të dëgjojmë me dom Marjan Palokën.......