Françesku: në botë të jetojmë si vëllezër, përndryshe do të ketë urrejtje e mure
Pa vëllazërinë bota mbetet gjithnjë tokë përçarjesh e luftërash. Të krishterët duhet
të jenë shembull për t’u treguar të gjithëve ç’do të thotë ta duash me gjithë zemër
vëllain a motrën. Me këto porosi Papa Françesku i shtoi një kapitull të ri katekizmit
të tij kushtuar familjes, duke kryesuar sot audiencën e përgjithshme në Sheshin e
Shën Pjetrit, në praninë e mijëra shtegtarëve e besimtarëve. Dashuria për vëllezërit,
ashtu si urrejtja, janë ndjenja që bashkëjetojnë paralelisht qysh në agim të kohës.
Epërsia e njërës a e tjetrës mund ta bëjnë botën familje të vetme e familjen, oazë
paqeje, ose shkretëtirë e luftë e mure. E kuptoi mirë këtë Kaini, kur njollosi duart
me gjakun e Abelit. E dinë fare mirë edhe kainat e sotëm, që masakrojnë Abelat e pambrojtur,
deri ata që kanë të njëjtin gjak: “E dimë se kur lidhja vëllazërore këputet,
kur këputet kjo lidhje ndërmjet vëllezërve, i hapet rruga përvojave të dhimbshme të
konfliktit, tradhtisë, mllefit. Rrëfimi biblik i Kainit e Abelit është shembull i
qartë i këtij fundi tragjik. Pas vrasjes së Abelit, Hyji e pyet Kainin: ‘Ku është
Abeli, yt vëlla?’. Është një pyetje, që Zoti vijon ta përsërisë në çdo brezni”. Në
kraharorin e së njëjtës nënë Papa nisi të shfletojë, kështu, para besimtarëve,
kapitullin e vëllazërisë, në mjediset shtëpiake e në ato ndërkombëtare. Për krishterimin,
vijoi, vëllazëria është e bukur dhe kuptohet përtej lidhjeve të gjakut: “Vëllazëria
është gjë e madhe. Nuk mund të mos mendosh se të gjithë vëllezërit banuan për nëntë
muaj në kraharorin e një nëne, se janë mish e gjak, nga mishi e gjaku i një nëne.
E nuk mund të këputet kjo lidhje vëllazërie. E pra edhe këputet. Të gjithë njohim
familje, që kanë vëllezër të ndarë, vëllezër, që grinden. Të mendojmë e t’i lutemi
Zotit për këto familje, e ndoshta edhe për familjen tonë, që të na ndihmojë t’i ribashkojmë
vëllezërit, ta ndërtojmë përsëri familjen”. Vëllezër në familje, vëllezër
në botë Në kujdesin, në durimin, në dashurinë me të cilën, për shembull, e
rrethon familja një vëlla a një motër të ligshtë, me aftësi ndoshta të kufizuara,
Papa shikon fanarin, që e bën të ndriçojë vlerën e vëllazërisë: “Lidhja vëllazërore
ndërmjet fëmijëve në familje, nëse krijohet në atmosferën e zemrës së hapur, është
shkollë e madhe e lirisë dhe e paqes. Në familje, ndërmjet vëllezërve, mësohet bashkëjetesa
njerëzore, mësohet si duhet jetuar bashkë në gjirin e shoqërisë. Ndoshta jo gjithnjë
jemi të vetëdijshëm, por është pikërisht familja ajo, që e përhap frymën e vëllazërimit
në botë”. Liria pa vëllazëri është individualiste Françesku e zgjeroi
reflektimin në formë rrathësh koncentrikë, duke u ndaluar tek aftësia e dashurisë
vëllazërore për t’i kapërcyer të gjitha pengesat e gjuhës, kulturës, fesë: “Mendoni
ç’mund të bëhet lidhja mes njerëzve, edhe tejet të ndryshëm ndërmjet tyre, kur mund
t’i thonë tjetrit: ‘Eh, këtë e kam si vëlla, këtë, si motër! E bukur kjo, e bukur!
Historia e dëshmon shpesh se edhe liria e barazia, pa vëllazërinë, mund të mbushen
me individualizëm e konformizëm, e edhe me interesa”. Vëllai im, i varfri Sot,
më shumë se kurrë, pohoi Papa Françesku, është e nevojshme ta vëmë përsëri vëllazërinë
në qendër të shoqërisë teknokratike e burokratike. E balsamin për këtë, na e jep
‘vëllazëria e krishterë’, që di ta dojë të panjohurin, si ta kishte vëlla e, në mënyrë
të posaçme, nëse i panjohuri është i varfër e i padukshëm: “Më të vegjlit, më
të ligshtit, më të varfrit duhet të na mallëngjejnë: kanë të drejtë të na e pushtojnë
shpirt e zemër. Po, ata janë vëllezërit tanë e, si të tillë duhet t’i duam e t’i trajtojmë.
Kur ndodh kjo, kur të varfrit janë si të shtëpisë, vetë vëllazëria jonë e krishterë
merr jetë. E kjo, sepse të krishterët nuk shkojnë tek të varfrit e të ligshtit për
interes të ndonjë programi ideologjik, por sepse fjala dhe shembulli i Zotit, na kujtojnë
se janë tanët, se jemi vëllezër”. Në përfundim të audiencës, përshëndetjet
e shumta, për shtegtarët e shumtë. Një përshëndetje të posaçme Papa u drejtoi besimtarëve
të ardhur nga Sllovakia ku, një javë më parë, u mbajt referendumi në mbrojtje të familjes
tradicionale. Papa i quajti “Mbrojtës të mirë të familjes” Duke përshëndetur, më
pas, delegatët e lëvizjeve e të shoqatave të besimtarëve laikë, Françesku u kujtoi
fjalët e Shën Palit; “Ju lutemi, në emër të Krishtit: pajtojuni me Hyjin”. T’ia vëmë
mirë veshin, në këtë fillim Kreshmësh, kësaj porosie drejtuar personalisht secilit
prej nesh dhe ta jetojmë me bujari, kujtoi Papa sot, kur gjithë të krishterët dallohen
mes të tjerëve, nga hiri që kanë në ballë a në kokë.