2015-02-16 15:02:22

Libi: Egjipti bombardon pozicionet Is pas vrasjes së koptëve


Gjithnjë më kritike, gjendja në Libi, përballë përparimit të Shtetit të vetëshpallur Islamik. Avionët e ushtrisë egjiptiane po godasin objektivat e Is në vendin veriafrikan, duke iu përgjigjur, kështu, masakrimit të 21 koptëve nga ana e terroristëve.
Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi pati njoftuar: Kairo ka të drejtë të kundërveprojë; Universiteti al-Azhar e quajti këtë vrasje “barbari”, ndërsa nga SHBA-të, presidenti Obama pohoi se mizoritë e Is nuk njohin kufi, duke nënvizuar urgjencën e zgjidhjes së konfliktit në Libi.
Ndërkaq situata në Tripoli është kritike e milicët e Shetit Islamik janë një pëllëmbë larg qytetit, prej nga kanë nisur të kërcënojnë Italinë, me sy ngulur mbi Romën. Bota politike italiane, në përgjithësi, mendon se duhet organizuar sa më parë një ndërhyrje ushtarake ndërkombëtare, për t’i dhënë fund krimeve të terroristëve.
Akuza fare pa bazë kundër koptëve, që quhen “kryqtarët e Egjiptit”.
Të enjten e kaluar, sipas agjencisë Fides, kanali i internetit i xhihadistëve, botoi, në numrin 7 të Dabiq, revistë zyrtare e Shtetit Islamik në rrjet, fotografitë e koptëve të rrëmbyer e, më pas, edhe të vrarë, veshur me tutat ngjyrë portokalli, rrethuar nga njerëz të armatosur me fytyra të mbuluara. Lihej për t’u kuptuar se xhihadistët e kishin në mend t’i thernin pengjet. Në artikull, të krishterët koptë akuzoheshin si “kryqtarë të Egjiptit”, njerëz, që paskëshin detyruar disa gra kopte ta mohonin kthimin e tyre në fenë islame. Në tekst citohej edhe masakra e kryer më 2010 nga terroristët e al-Kaedës në katedralen siro-katolike të Bagdadit, që paraqitej si hakmarrja e parë për dhunën e kryer nga koptët e Egjiptit.








All the contents on this site are copyrighted ©.