2015-02-15 15:50:19

Papa në Engjëllin e Tënzot: të kapërcehet çdo tip mënjanimi


“Mos kini frikë ta shikoni të varfrin në sy”: kështu u shpreh Papa Françesku që, në lutjen e Engjëllit të Tënzot kërkoi të zhduket çdo tip përjashtimi shoqëror. Françesku kujtoi të gërbulurin, për të cilin flitej në Ungjillin e Markut. Shoqëria e kishte mënjanuar, por Jezusi e shëroi, sepse dashuria e Krishtit mund t’i prekë e t’i shërojë të gjithë nga e keqja e nga mëkati. Pastaj, një mendim për banorët e Lindjes së Largët, që përgatiten të kremtojnë vitin e ri hënor, nën shenjën e vëllazërisë. E akoma Ati i Shenjtë u kërkoi besimtarëve të panumërt, që krijonin një pranverë ngjyrash në Shesh, një duartrokitje për kardinajtë e rinj, pa harruar ftesën e përsëritur në çdo takim me besimtarët, që të luten për të. RealAudioMP3

Krishti nuk largohet nga i gërbuluri, për t’u ruajtur nga sëmundja, nuk vepron me delegatë: ky mesazhi i Françeskut, që nënvizoi:
“Zoti nuk vjen të mbajë leksione mbi dhimbjen; e as ta zhdukë nga bota vuajtjen e vdekjen; vjen të marrë mbi vete barrën e jetës sonë njerëzore, për ta mbartur deri në fund të fundit, për të na çliruar në mënyrë të plotë e përfundimtare. Kështu Krishti lufton kundër sëmundjeve e vuajtjeve të botës: duke i marrë mbi vete e duke fituar mbi ta, me forcën e mëshirës së Hyjit”.
Në tregimin e Shën Markut Ungjilltar, i sëmuri është një nga të gërbulurit e shumtë të asaj kohe e Papa Françesku shpjegon se kjo është sëmundje ngjitëse, e pamëshirë, që e shpërfytyron njeriun, duke e shndërruar në simbol të papastërtisë. I gërbuluri duhet të jetonte larg qendrave të banuara e t’i sinjalizonte kalimtarët për praninë e tij, që të mos i afroheshin, me rrezikun që t’u ngjitej sëmundja. Ishte, pra, shtoi Papa, i lënë mënjanë, i përjashtuar nga bashkësia civile e fetare. Ishte i vdekur, që endej frikshëm ndërmjet të gjallëve.
Jezusi ka mëshirë për të gërbulurin. E kjo do të thotë, kujtoi Papa, të vuash me tjetrin. I gërbuluri, nga ana e tij, iu lut Jezusit ta prekë, për ta shpëtuar. Françesku kujtoi: “Kjo hollësi është shumë e rëndësishme” e sqaroi më pas: nëse duam të jemi dishepujt e Jezusit, duhet ta mposhtim çdo paragjykim:
“Përballë një të varfri a një të sëmuri, nuk duhet të kemi frikë ta shikojmë në sy e t’i afrohemi me dhimbsuri e mëshirë, ta prekim e ta përqafojmë… Shpesh u kam kërkuar njerëzve, të cilët i ndihmojnë të tjerët, t’i shikojnë në sy, që gjesti i ndihmës të jetë edhe gjest komunikimi…”.
E, më pas, ftesa për të kujtuar Sakramentet, që të gjithë të mund të shërohemi nga mëkati:
“Kjo ndodh sa herë marrim me besim një Sakrament: Zoti Jezus na prek e na dhuron hirin e tij. Në këtë rast mendojmë posaçërisht për Sakramentin e Rrëfimit a të Pajtimit me Zotin, që na shëron nga gërbula e mëkatit”.
E Françesku vijoi, duke i siguruar të gjithë:
“Nëse e keqja është ngjitëse, ashtu është edhe e mira. Por e mira duhet të shtohet gjithnjë më shumë në shpirtin tonë; të shumohet, gjithnjë më shumë, gjithnjë. Ta lëmë të mirën të na ngjitet e t’ia ngjitim të gjithëve të mirën tonë”.
Në përfundim, kuptimi i takimit me Jezusin:
“Veprimi i Jezusit është kundër çdo së keqeje, kundër çdo sëmundjeje, në dobi të të vuajturve në korp e në shpirt; të djemnuemve, të sëmurëve, mëkatarëve… Krishti e lufton të keqen e fiton mbi të, kudo që e takon”.
“Jezusi, vijoi Papa, nuk ruhet aspak, nuk ka frikë se mund t’i ngjiten sëmundjet tona, se mund ta prekin të këqijat tona, e kështu, pikërisht, sëmundja jonë bëhet pikë takimi: Ai, Jezusi, merr nga ne natyrën tonë të sëmurë njerëzore e ne marrim nga Ai natyrën njerëzore të shëruar e shëruese”.
Pas lutjes mariane, një urim i posaçëm i Papës për paqe e gëzim, drejtuar gjithë burrave e grave të Lindjes së Largët dhe të viseve të tjera të botës, që përgatiten të kremtojnë vitin e ri hënor. Këto kremtime, pohoi Françesku, u krijojnë rastin fatlum ta zbulojnë e ta jetojnë thellësisht vëllazërimin, hallkë e çmuar e jetës familjare e bazë e jetës shoqërore.
“Rikthimi i përvitshëm në rrënjët e njeriut e të familjes, mund t’i ndihmojë këta popuj të ndërtojnë një shoqëri në të cilën lidhen marrërrëdhënie ndërpersonale të rëndësishme, mbi bazën e respektit, drejtësisë e dashurisë”.
Në përfundim, Papa përshëndeti romakët e shtegtarët e, në mënyrë të posaçme, ata që kishin ardhur me rastin e Koncistorit, për t’i shoqëruar kardinajtë e rinj me këtë rast kaq të hareshëm. Pa harruar të falënderojë vendet e pranishme në këtë ngjarje të madhe, përmes delegacioneve zyrtare.
Një mendim për shtegtarët spanjollë, ardhur nga San Sebastián, Campo de Criptana, Orense, Pontevedra e Ferrol; për studentët e Campo Valongo e Porto, nga Portugalia e për ata të Parisit; pastaj, përshëndetja drejtuar “Forit të Institucioneve të krishtera” të Sllovakisë; besimtarëve të Buren (Holandë), ushtarakëve amerikanë me qëndrim në Gjermani dhe bashkësisë së venezuelanëve, me banim në Itali. E edhe grupeve të shumta, ardhur për të kremtuar në këtë ditë të madhe për Kishën, në Sheshin e Shën Pjetrit. Për të gjithë, inkurajimi “të jenë dëshmitarë gazmorë e guximtarë të Jezusit në jetën e përditshme”.
E edhe pëshëndetja e posaçme e Françeskut:
“Të gjithëve ju uroj të diel të gëzuar. E, mos harroni të luteni për mua. Drekën e mirë e mirupafshim!”.
E ndërsa Papa largohej ngadalë nga dritarja, në Shesh vlonte kënga e vallja, që u përhap, pastaj, nga Shën Pjetri, në sheshet e rrugët e Romës së lashtë, sikur të donte t’i përcillte gjithë botës harenë e ngjyrat e kësaj pranvere të dyfishtë: në natyrë e në Kishë!












All the contents on this site are copyrighted ©.