Kisha më 14 shkurt kujton Shenjtorët Çirili e Metodi
Kisha kremtoi më 14 shkurt Shenjtorët Çirili e Metodi, apostuj të Lindjes së krishterë,
bashkëpajtorë të Evropës. Shën Çirili, murg dhe Shën Metodi, ipeshkëv -vëllezër,
bashkëpajtorë të Evropës e Shën Valentini, ipeshkëv. Pra sot më 14 shkurt Kisha katolike
përkujton festën e Shën Cirilit, murg dhe Shën Metodit, ipeshkëv –
vëllezër, bashkëpajtorë të Evropës, Apostuj të Popujve sllavë.
Përkujtimi
liturgjik i Shën Cirilit e Metodit, në këtë periudhë historike na ndihmon në përforcimin
e lidhjes shpirtërore, përmes fesë e vlerave shpirtërore ndërmjet banorëve të Kontinentit
të Vjetër dhe për të kërkuar mbrojtjen e tyre qiellore, që zgjerimi i Bashkësisë Evropiane
të ndihmojë për të marrë frymë me të dyja mushkëritë. Shën Cirili, murg
dhe Shën Metodi ipeshkëv, më 31 dhjetor të vitit 1980 me Letrën Apostolike “Egregiae
virtutis” u shpallen “Pajtorë të Evropës” nga Gjon Pali II së bashku me Shën Benediktin,
të cilin më 24 tetor 1964 e pati shpallur “Pajtor i Evropës” Papa Pali VI me Letrën
Apostolike “Pacis Nuntius”. Cirili e Metodi vëllezër të një gjaku e të një
feje, lindën në Thesalonia ( Selanikun e sotëm në Greqi) në fillim të shekullit IX-të.
Me kulturë bizantine, hyjnë në marrëdhënie të ngushta me Kishën e Kostandinopojës,
u bënë misionarë, së pari ndër Katarët e Krimesë e më vonë ndër popujt e Panonisë
e të Moravisë së Madhe. Krijuan alfabetin sllavë dhe përkthyen në këtë gjuhë Shkrimin
e Shenjtë ( Biblën) si dhe tekstet e liturgjisë latine, për t’ia hapur popujve të
ri thesaret e Fjalës së Zotit e të Sakramenteve. Për këtë mision apostolik,
pësuan mundime e vuajtje të çdo natyre, por i përballuan të gjitha vështirësitë me
besnikëri e dashuri të patundur duke predikuar Ungjillin e Krishtit e duke përhapur
Mbretërinë e Zotit. Papa Adriani II e pranoi veprën e tyre duke miratuar gjuhën sllave
për shërbime liturgjike. Me fjalë tjera, Papa Adriani II lejoi që gjuha e re sllave
të përdorët në kremtime të Liturgjisë Hyjnore ndër popujt sllavë. Shën Cirili
vdiq në Romë më 14 shkurt të vitit 869, në moshën 42 vjeçare dhe është varrosur në
Bazilikën e Shën Klementit gjithnjë në Romë. Shën Metodi, i shuguruar ipeshkëv i Sirmios
( Sremska Mirtovicës së sotme në Serbi) qe emëruar legat i Papës pranë Sllavëve, ndërsa
vdiq në Velehrad ( Cekinë e sotme) më 6 prill 885. Këtyre dy shenjtorëve
të mëdhenj, misionarëve të palodhur që tërë jetën ia kushtuan përhapjes së Ungjillit
ndër popujt sllavë, e që përpiluan dy alfabete për ta: çirilicen dhe gllagolicen,
për ta bërë Fjalën e Zotit të kuptueshme nga popujt e përmendur, dhe për t’i mishëruar
vlerat ungjillore në jetën e tyre, Papa Gjon Pali II më 2 qershor 1985 ua kushtoi
njërën prej Enciklikave të tija : “Sllavorum Apostoli”. Po përfundojmë duke thënë
se me të drejtë Shën Cirili e Shën Metodi konsiderohen Etër të krishterimit e të kulturës
së popujve sllavë, urëlidhëse për bashkimin e plotë ndërmjet Kishave më të lashta
me Kisha e reja. Kisha kremtoi më 14 shkurt Shenjtorët Çirili e Metodi,
Dy vëllezërve selanikas, Papa Benedikti XVI u ka kushtuar katekizmin në audiencën
e përgjithshme të 17 qershorit 2009, si dhe disa reflektime, posaçërisht në audiencat
e përvitshme me delegacionet bullgare e maqedonase, ditën e festës së shenjtorëve.
Të dëgjojmë disa nga mendimet e Papës për Shenjtorët Çirili e Metodi: Të ndiqet
shembulli i Shenjtorëve Çirili e Metodi, ungjillëzues të palodhur e pararendës të
inkulturimit të Ungjillit. Është kjo nxitja e Papës Benedikti XVI, i cili e ka ftuar
disa herë Evropën, e posaçërisht popujt sllavë, t’i japin gjallëri të re rrënjëve
të krishtera të Kontinentit të Vjetër. Papa vë theksin mbi misionin përtëritës të
vëllezërve selanikas të cilët, 1200 vjet më parë, e kumtuan Lajmin e mirë, duke e
paraqitur me fjalë që i kuptonin plotësisht popujt e Moravisë së Madhe, sepse e përkthyen
Shkrimin Shenjt në gjuhët sllave: “Çirili e Metodi ishin të bindur që popujt nuk
mund të mendonin se e kishin përvetësuar plotësisht Zbulesën, në se nuk do ta dëgjonin
në gjuhën e tyre e nuk do ta lexonin me shkronjat e alfabetit të tyre “(Audienca
e përgjithshme, 17 qershor 2009)”. Papa ndalohet tek metoda që ndoqën Shenjtorët
Vëllezër e nënvizon se ata arritën të frymëzonin e të përhapnin parimet e inkulturimit
të Ungjillit, posaçërisht duke i përmbledhur dogmat e krishtera në libra të shkruar
në gjuhët sllave: “Në fakt Çirili e Metodi përbëjnë një shembull klasik të asaj,
që sot njihet me termin ‘inkulturim”: çdo popull duhet t’ia përshtasë kulturës së
vet mesazhin e zbuluar e t’i shprehë të vërtetat shëlbuese me gjuhën e vet. Kjo kërkon
një punë shumë impenjative për përkthimin, sepse duhen gjetur termat e përshtatshme
për ta propozuar, pa e tradhtuar, pasurinë e Fjalës së zbuluar”(Audienca e përgjithshme
, 17 qershor 2009). E kjo që na dhanë Shenjtorët, vijon Papa, është dëshmi shumë
e rëndësishme edhe për Kishën e sotme, e cila vijon të frymëzohet nga veprimtaria
e tyre. E më pas, Benedikti XVI pohon se ajo që i frymëzoi dy ungjillëzuesit, të cilëve
iu desh të përballonin vuajtje, mungesa e armiqësi, ishte shpresa e pamposhtur në
Zotin. Shpresë që edhe sot e kësaj dite jep frytet e veta në Bullgari: “Përmes
një veprimtarie të palodhshme ungjillëzuese, të aktualizuar me zell të vërtetë apostolik,
shenjtorët Çirili e Metodi e rrënjosën providencialisht krishterimin në shpirtin e
popullit bullgar, kështu që ai u lidh pazgjidhshmërisht me këto vlera ungjillore,
të cilat fuqizojnë gjithnjë identitetin e pasurojnë kulturën e një kombi” (Audiencë
delegacionit bullgar, 22 maj 2010). Posaçërisht e lidhur me Shenjtorët Çirili e
Metodi është edhe Maqedonia, së cilës Papa i kërkon ta ruajë trashëgiminë shpirtërore
të Shenjtorëve të vet Pajtorë: “Këta Shenjtorë Bashkë-Pajtorë të Evropës, të cilëve
ju, me të drejtë të plotë, u luteni, hapën një shteg njerëzor e shpirtëror, që e bën
Tokën tonë vend takimi ndërmjet kërkesave të ndryshme kulturore e fetare. Larmia paqësore
e dëshirave të popujve që e banojnë, projekton mbi Kontinentin evropian një skenar
ballafaqimi faktik e pjellor, të cilin Selia e Shenjtë e shikon me dashamirësi”(Audiencë
me delegacionin maqedonas, 24 maj 2007). Shenjtorët Çirili e Metodi, pohon Papa,
duhet t’i inkurajojnë të krishterët e Evropës, t’i ruajnë e t’i fuqizojnë lidhjet
ndërmjet Ungjillit dhe identiteteve përkatëse kulturore:“Ashtu si dishepujt e Zotit,
duke respektuar reciprokisht traditat e ndryshme kishtare, jemi të thirrur të japim
dëshminë e përbashkët të fesë sonë në Jezusin, në emër të të cilit fitojmë shëlbimin”(Audiencë
me delegacionin bullgar, 22 maj 2010).