2015-02-15 17:42:05

Halebi i harruar: situata humanitare, katastrofike


Lufta në Siri vijon pa pushuar për asnjë çast. Ndeshjet ndërmjet ushtrisë e fraksioneve të rebelëve, trondisin rëndë gjithë vendin. Konflikti vijon prej katër vjetësh, duke shkaktuar, deri tani, vdekjen e më se 210 mijë vetëve. Më se 2 milionë e gjysëm, sirianët e shpërngulur brenda vendit ose jashtë tij, në gjendje refugjati. Dramatike, situata në Haleb, siç na njofton rregulltari marist, atë Georges Sabe, me telefon nga qyteti i martirizuar, gjithnjë më i pranishëm në kronikat e përgjakshme të botës:RealAudioMP3

Përgjigje: - Situata humanitare në Haleb është katastrofike në të gjitha aspektet. Nuk kemi dritë: vjen vetëm një orë në ditë. Mungon gazi e edhe karburanti, taman tani, kur ngricat e dimrit krijojnë një gjendje të padurueshme. E njëjta gjë vlen edhe për benzinën. E si të mos mjaftonin gjithë këto të zeza, mbi kokën tonë, bashkë me dëborën, vijojnë të reshen bombat. Nga toka, predhat e murtajave godasin pa mëshirë civilët, nga të dyja frontet. Shumë të rinj kanë gjetur vdekjen e edhe më shumë familje mendojnë të largohen përgjithmonë nga qyteti. Horizonti i Halebit është mbyllur. Urojmë të mos jetë përgjithnjë. E sidomos, ta rifillojmë jetën normale. Të marrë fund zgjimi i frikshëm, ngritja nga krevati me mendimin se në mbrëmje do të jesh duke fjetur nën dhe!

Pyetje: - A shpresoni në planet e OKB-së, që kërkon të pranohen ndihmat humanitare?

Përgjigje: - Ju them se në këtë çast banorët e Halebit janë si Shën Toma. Kur t’i shohim, atëherë do të besojmë. Jemi ngopur me premtime, duam paqe, jo premtime për paqen. Ndërkaq besojmë fort në solidaritetin ndërmjet njerëzve. Ndërmjet nesh ka shumë solidaritet. E, kemi edhe një besim tjetër të madh, pa të cilin nuk e di si do të vijonim jetën në këto vise, me horizont krejt të mbyllur.








All the contents on this site are copyrighted ©.