2015-02-15 13:10:55

Françesku: logjika e Kishës është t’i kërkojë, pa paragjykime, njerëzit


Papa kardinajve të rinj: kërkojini të largëtit pa frikë, mos u izoloni brenda kastës, sepse udha e Kishës është të shkojë e t’i kërkojë pa paragjykime e pa frikë të largëtit. Kështu u shpreh Françesku, në një nga fragmentet më të forta të homelisë së apasionuar, mbajtur gjatë Meshës me 20 kardinajtë e rinj, në Bazilikën e Shën Pjetrit. Papa i nxiti kardinajtë ta ndjekin Krishtin, që i dha fund mendësisë së mbyllur në frikë e të vetëkufizuar nga paragjykimet, e të impenjohen në shërbimin ndaj njerëzve të shtypur e të lënë mënjanë nga shoqëria në kohët tona. U tërhoqi, më pas, vëmendjen, të ruhen nga tundimi i mbylljes brenda kastës që, kujtoi me qortim, nuk ka asgjë të përbashkët me Kishën.

Jezusi ka mëshirë për të gërbulurin, që e lut ta pastrojë e ta shërojë. Françeku e shtjelloi homelinë duke u mbështetur pikërisht mbi faqen e Ungjillit të së dielës, që krijon një nga figurat më të fuqishme të mëshirës hyjnore. I gërbuluri, kujtoi Papa, duke iu drejtuar posaçërisht 20 kardinajve të rinj, ishte i braktisur nga familjarët, i mënjanuar nga njerëzit e tjerë, i përjashtuar nga shoqëria. Shikohej si njeri i papastër e qëllimi i izolimit të tij ishte të shpëtoheshin të shëndoshët, të mbroheshin të drejtët nga rreziku i ngjitjes së sëmundjes së tmerrshme.
Por Jezusi fiton mbi paragjykimet dhe e rikthen të gërbulurin e mënjanuar, në radhët e shoqërisë, nënvizoi Papa.
Prej këndej, duke kujtuar dy logjikat e mendimit e të fesë: frikën se mund të humbasin të shëruarit dhe dëshirën për t’i shpëtuar të humburit, Françseku i porositi kardinajtë ta dikojnë mëshirën e Hyjit në shpirtin e të gjithë atyre, që e kërkojnë me zemër të sinqertë.
“Edhe sot na ndodh, nganjëherë, të gjindemi në udhëkryq të këtyre logjikave: asaj të doktorëve të ligjit, domethënë të largimit nga njeriu i mënjanuar, e asaj të Zotit që, me mëshirën e tij, e rrok dhe e mikpret, duke e ripërfshirë në gjirin e shoqërisë e duke e shndërruar të keqen në të mirë, dënimin në shpëtim, përjashtimin në kumt”.
Theksoi, në vijim, se udha e Kishës është t’i kërkojë ata, që janë larg, pa frikë e pa paragjykim, t’i ndihmojë njerëzit, që vuajnë, pa u izoluar brenda kastës. I ftoi kështu, kardinajtë e rinj, t’i shërbejnë Kishës në një mënyrë të tillë, që të krishterët, të përforcuar nga kjo dëshmi, të mos tundohen të rrinë me Jezusin, por jo me të mënjanuarin, duke u izoluar në një kastë, që nuk ka asgjë të përbashkët me të krishterin.
Mbi Ungjillin e të përjashtuarve mbështetet besueshmëria jonë
“Nuk mund ta zbulojmë Zotin, nëse nuk e mikpresim vërtetësisht të përjashtuarin”, theksoi Françesku. I nxiti, prandaj, kardinajtë, t’i shërbejnë Krishtit të kryqëzuar në çdo njeri të mënjanuar, për çfarëdo lloj arsyeje, ta shikojnë Zotin në çdo njeri që ka uri, etje, që është i zhveshur. Zoti, shtoi Papa, është i pranishëm edhe në ata, që e kanë humbur fenë, ose që deklarojnë se janë ateistë”.
Përmes Ungjillit të të përjashtuarve dëftohet besueshmëria jonë. Nuk mund ta zbulojmë Zotin, nëse nuk e mikpresim vërtetësisht të mënjanuarin, përsëriti Papa, duke kujtuar Shën Françeskun, që nuk pati frikë as ndot, kur përqafoi të gërbulurin dhe strehoi ata, që vuanin nga gjithfarë plagësh, fizike e shoqërore. “Në të vërtetë, përfundoi Françesku, mbi Ungjillin e të përjashtuarve luhet, zbulohet e dëftohet besueshmëria jonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.