2015-02-14 16:27:47

Koncistori. Françesku: kardinali është njeri i dashurisë së krishterë e i shpresës


Dinjiteti kardinalor nuk është “dekorativ”, sepse kush u thirr, duhet të ketë vetëm një fjalë-udhëheqëse: dashurinë e krishterë. Kështu iu drejtua Papa Françesku 20 kardinajve të rinj, të krijuar gjatë Koncistorit, kryesuar sot paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit. Në kremtim merrte pjesë edhe Papa i nderit, Benedikti XVI.

Kësula e kuqe nuk është stoli e vënë mbi kokën e njeriut, që drejton, por simbol i atij, që thirret për një shërbim më të madh. Të madh, sa dashuria e krishterë, që mbron drejtësinë, që është e rrëmbushur me dashamirësi, përplot me shpresë, gati për të falur. Njeri, që nuk ka dashuri tjetër, veç Kishës, së cilës i shërben si një Krisht tjetër e Papës, që e ndihmon si vëlla.
Nuk jeni stoli
Papa Françesku e vuri veten dhe 20 kardinajtë e rinj - 19 të pranishëm në Bazilikë, me një mungesë të vetme, atë të kardinalit kolumbian nëntëdhjetëvjeçar Pimiento Rodriguez - para identikitit të të krishterit të përsosur, ashtu siç e përshkruan Shën Pali në “Himnin e dashurisë”. Prej këtij Himni, sidomos, nënvizoi Ati i Shenjtë, kardinali mëson si duhet të jetë. E më pas, Papa vijoi përshkrimin e figurës së kardinalit të vërtetë, duke realizuar gati-gati një përkufizim të dinjitetit kardinalor, i cili…:
“… është natyrisht dinjitet, por jo titull nderi. E thotë vetë emri ‘kardinal’ që të kujton fjalën ‘cardine”, themel e menteshë, pra jo diçka plotësuese, dekorative, që të bën të mendosh për nderimin, por një shtyllë, një pikë mbështetjeje dhe lëvizjeje, themelore për jetën e bashkësisë”.
Duani, pa kufij
Ceremonia nisi e vijoi me solemnitet të madh, pa duartrokitje, jo pse mungonte entuziazmi, por pse ndjehej më shumë se kurrë nevoja për t’u përqëndruar plotësisht në lutje, në heshtje të plotë. Para elterit, më të majtë, në mes të gjysëm rrethit të kuq të kardinajve, qe ulur Papa Benedikti, i veshur me të bardha.
Françesku u nis nga “Himni i Dashurisë”, për të numëruar virtytet e veçanta, që ka një zemër, e cila rreh me ritmin e dashurisë për Kishën. Duke nisur nga shpirtmadhësia e dashamirësia:
“Sa më shumë zgjerohet përgjegjësia në shërbim të Kishës, aq më shumë duhet hapur zemra, duke u zgjeruar sipas masës së Zemrës së Krishtit. Shpirtmadhësia, në një farë mënyre, është sinonim i katolicitetit: e kjo do të thotë të dish të duash pa kufij, por njëkohësisht, me besnikëri ndaj situatave të veçanta e me gjeste konkrete. Të duash gjithçka është e madhe, pa harruar kurrë edhe atë, që është e vogël; t’i duash gjërat e vogla, në horizontin e të mëdhave (…). Të dish të duash me gjeste dashamire. Dashamirësia është vullneti i patundur e i përhershëm për të dashur të mirën, gjithnjë e për të gjithë, edhe për ata, që nuk na duan” .
Interesi juaj të jetë e mira e të gjithëve
Dashuria, përveç tjerash, është e durueshme, është e mirë dashuria; nuk është smirzezë dashuria, nuk mburret, nuk fryhet. Tundime, kujtoi Papa, nga të cilat nuk përjashtohen as dinjitarët kishtarë. E pastaj nuk mungon në respekt, nuk kërkon leverdinë e vet, nuk zemërohet, nuk e mban mend të keqen që i kanë bërë!... (1 Kor 13, 1.4-5). Në këtë rast problemi lind në atë njeri që, vërejti Françesku, përqendrohet mbi vetveten aq, sa të mos e përfillë fare dinjitetin e të tjerëve:
“Kush e vë veten në qendër, shikon, natyrisht, vetëm interesin e vet. E kjo i duket si diçka krejt normale, madje si detyrë. Ky “interes” mund të mbulohet pas ndjenjave të fisme, por nën to fshihet gjithnjë interesi vetjak. Ndërsa dashuria e krishterë të shpërqendron nga vetvetja e të vë në qendrën e vërtetë, që është vetëm Krishti. Atëherë mund të jesh njeri, që di të respektosh e të shikosh kryesisht të mirën e të tjerëve”.
Dashuria e krishterë është tepër kërkuese, sepse buron nga dashuria e plotë e Krishtit për ne: është dashuri që ngulmon, që na pret, na përqafon, na mbështet deri në tronditje, pse e detyron secilin nga ne të mos jetojë më për vetveten, i mbyllur në egoizmin e tij, por për ‘Atë që vdiq e u ngjall për ne”(cfr 2 Kor 5,15).
Zoti na shpëtoftë nga mllefi
Transparent, Papa Françesku, kur vuri theksin mbi dashurinë, që nuk zemërohet, nuk e mban mend të keqen, që i kanë bërë!.. Natyrisht, pranoi, bariut, i cili jeton ndërmjet njerëzve, nuk i mungojnë rastet për t’u zemëruar. E akoma më shumë, nuk i mungojnë në marrëdhëniet me vëllezërit, sepse ne nuk mund të shfajsohemi aq lehtë. Por edhe këtu, pohoi, është dashuria e krishterë e vetëm dashuria e krishterë, që na çliron:
“Na çliron nga rreziku për të reaguar në mënyrë të papërmbajtur, për të bërë e për të thënë gjëra të gabuara, e, sidomos, na çliron nga rreziku vdekjeprurës i mllefit të fshehur, që ‘klloçit’ përbrënda, që të nxit ta mbash mend të keqen e bërë. Jo! Kjo është e papranueshme për njeriun e Kishës. Nëse mund të falet një çast zemërimi, që shpërthen pa dashje e shuhet sakaq, nuk mund të themi të njëjtën gjë për mllefin, që ndryhet në zemër. Zoti na shpëtoftë e na çliroftë prej tij”.
Njerëz të faljes e të shpresës
Njeriu, që është plot me dashuri të krishterë, nuk kënaqet për padrejtësinë, gëzohet vetëm për të vërtetën, tha në vijim Françesku, duke theksuar se kush është i Zotit, magjepset nga e vërteta, që e gjen në korpin e Krishtit. Komenti përfundimtar ishte mbi katër virtytet e dashurisë së krishterë, që fal gjithçka, gjithçka beson, shpreson e duron:“Dashuria e Krishtit, e dikuar në zemrat tona nga Shpirti Shenjt, na krijon mundësinë të jetojmë kështu, të jemi kështu: njerëz të aftë për të falur gjithnjë; për të besuar gjithnjë, sepse, plot me besim në Zotin; të aftë për të ngjallur gjithnjë shpresë, sepse plot me shpresë në Zotin; njerëz, që dinë të mbartin me duresë çdo situatë e çdo vëlla e motër, në bashkim me Jezusin, që mbarti me dashuri barrën e të gjitha mëkateve tona”.
Gjatë Koncistorit të sotëm, Papa u dorëzoi 20 kardinajve të rinj kësulën, unazën dhe titullin përkatës të diakonisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.