2015-02-14 12:44:52

Austri. Shën Valentini, ndërmjet ungjillëzimit e solidaritetit


Sot kremtohet festa liturgjike e Shën Valentinit, që po bëhet gjithnjë më shumë një nga festat më të dashura në mbarë botën. Festë e dashurisë, e luleve, e pranverës në fasha…
E tani që u shembën shumë perde të hekurta, ëndrrat mund të shtegtojnë lirisht nëpër botë,e të ndalen atje, ku u pëlqen më shumë ta kremtojnë festën. E jo vetëm ëndrrat.
Për ta përkujtuar Shenjtin, po shkojmë simbolikisht sot në kryeqytetin e Austrisë, në Vjenë. Sigurisht nuk është Parisi i shumëndërruar, por gjithsesi Vjena, me atmosferën e saj të veçantë, me Danubin Blu, me muzikën e mjeshtrave të mëdhenj, me kishat e saj gotike, edhe sivjet është një nga vendet më të vizituara në Festën e Shenjtit. Prej këndej, dioqeza e kryeqytetit austriak vitet e fundit e ka vënë në qendër të vëmendjes punën përgatitore për martesën e krishterë, Pajtor i së cilës është Shenjti i shumëkremtuar.

Festa e Shën Valentinit, tejet e përhapur në Evropën qendrore, ka nisur të kremtohet që nga Mesjeta (posaçërisht në Francë, Belgjikë, Gjermani, Austri), aq sa Shenjti ipeshkëv i Ternit, pajtor i të dashuruarve, në këto troje është po aq popullor sa Shën Nikolli e Shën Martini. Sipas Fair Trade Austria, në “Valentins tag”, ditën e Shën Valentinit shiten aq lule, sa gjatë gjithë vitit. Vetëm Krishtlindja e festa e nënës mund të krahasohen me të, për lulet, që ndjellin pranverën e re, duke stolisur kudo mjediset e kryeqytetit. E vetëm trëndafilë, në vendin e yjeve alpine, shiten më se 110 milionë.
Bashkësia e krishterë nuk mund të mos e shfrytëzojë një atmosferë të tillë festive, për ungjillëzimin e ri, për t’u kumtuar të dashuruarve Fjalën e Zotit kushtuar dashurisë njerëzore. Prej këndej, ideja e “Letrave të dashurisë nga ana e Hyjit”, që shpërndahen brenda famullive, por më shumë rrugëve, në të katër anët e qytetit: stacione autobusi, trena, metropolitana, sheshe e qendra tregtare; çdo skaj e skutë mund të shfrytëzohet që të shpërndahen fletët me një fjalë biblike për dashurinë e bashkëshortëve, që Zoti e do dhe e bekon.
Por kjo nuk mjafton: ata që dëshirojnë, mund të marrin pjesë edhe ndër takime të organizuara nga famullitë, në çaste lutjesh, mund të kërkojnë bekimin, të meditojnë për Fjalën e Zotit mbi çiftet, në atmosferën e festës, para a pas drekës a darkës, një nga çastet magjiplote të saj.
Ideja e Zotit që bekon dashurinë njerëzore, e një kishe, që i pret me gëzim të dashuruarit është larg imagjinatës kolektive, së cilës i shkon menjëherë mendja tek koncepti moralistik, urdhërimet, ndalesat. Por ata, që sodisin e vizitojnë katedralen e Shën Shtjefnit, në Vjenë e marrin bekimin me vendosjen e duarve mbi kokë, në përfundim të një koncerti romantik, organizuar nga Orkestra e famshme Simfonike, nuk do ta harrojnë këtë çast për gjithë jetën.
Të dashuruarit dalin nga kisha me një trëndafil në dorë, ardhur nga Afrika qendrore-lindore ose nga Jugu i Amerikës. Është gjest solidar për të ndihmuar të dashuruarit e këtyre viseve, që e kalojnë festën me punë të rënda, të shpërblyera keq, ose për të ndihmuar shkollat, familjet në vëshirësi në vende si Armenia, Rumania e edhe Kosova. Sepse në botë ka ende shumë vende, ku njerëzit kanë nevoja të jashtëzakonshme e festimin e Shën Valentinit në Vjenë e shikojnë si ëndërr tepër të bukur, por krejt të parealizueshme.
Sidoqoftë sot mund ta ëndërrojnë veten në Shën Shtjefën, të bekuar e të mbushur me tinguj. Ëndrrat e të dashuruarve nuk mund t’i ndalojë askush, e nuk blihen me para. Do t’i ndihmojë vetë Shenjti i tyre Pajtor, ta mbushin këtë ditë me mendimet më të fisme e më të paharrueshme, atje ku jetojnë, edhe pa shkuar në Vjenë a në Paris.








All the contents on this site are copyrighted ©.