2015-02-13 17:35:11

Koncistori: mbledhja e Kolegjit Kardinalor, që thirret e kryesohet nga Papa i Romës


Koncistor quhet mbledhja e Kolegjit Kardinalor, që thirret e kryesohet nga Papa i Romës.
Emri
Fjala Koncistor, vjen nga latinishtja. Shfletojmë, prandaj fjalorin e gjuhës latine e lexojmë shpjegimin. “Consistorium” do të thotë mbledhje, asamble, këshill, aty ku jemi të gjithë së bashku. Fjala u përdor fillimisht për të përcaktuar “sallën e pritjes” e, pastaj, mbledhjen formale të kolegjit të këshilltarëve të një sovrani.
Lashtësia romake
Perandorët romakë kishin këshilltarët e tyre, që mblidheshin në “kolegjin e shenjtë”, apo “sacrum consistorium”. Ata ishin bashkëpunëtorët më të ngushtë, si kreu i administratës së perandorisë (magister officiorum), ministri i financave (comes sacrarum largitionum), ministri i drejtësisë (quaestor sacrii palatii), ministri i tokave – pronë private (comes rerum privatarum). Mund të merrte pjesë, por jo gjithmonë, edhe çambelani i madh (praepositus sacri cubiculi).
Lashtësia kishtare
Fjala “koncistor” nisi të përdorej në Kishë, që në lashtësi, njëherësh me termin “sinod”. Tregonte mbledhjen solemne të të gjithë kardinajve, kryesuar nga Papa, për trajtimin e çështjeve me rëndësi, që kanë të bëjnë me qeverisjen e Kishës. Mbahej në Selinë e Papës, që nuk ka qenë gjithnjë Vatikani, e kishte përherë edhe vlerë këshillimore, jo vetëm vendimmarrëse.
Mesjeta
Që në shekullin XI, Koncistori nisi të zëvendësojë sinodin romak, që thirrej herë pas here nga Papët për të diskutuar për problemet kryesore të Kishës. Në fillim, në koncistor, që thirrej rregullisht, sipas programit të caktuar, diskutoheshin të gjitha problemet me rëndësi, si në fushën kishtare, ashtu edhe në atë shtetërore e koncistori shërbente edhe si gjykatë për procese të ndryshme gjyqësore.
Sesa rëndësi kishte koncistori në mesjetë, e dëshmojnë mbledhjet e tij të shpeshta. Aleksandri III (1159-1181) e mblidhte një herë në muaj; Inoncenci III (1198-1216) nisi ta mblidhte tri herë në javë.
Pas themelimit të Kongregacioneve romake, aty nga fundi i shekullit XVI, koncistori fitoi shumë solemnitet, por duke e humbur mjaft rëndësinë, që kishte më parë. Mblidhej vetëm me rastin e ngjarjeve të mëdha të Kishës.
Epoka moderne
epokën moderne nisën të mbahen tre tipe koncistoresh: publik (i jashtëzakonshëm), gjysëmpublik dhe i fshehtë (ose i zakonshëm).
Në të fundmin merrnin pjesë vetëm kardinajtë. Para se të fillonte, portat mbylleshin e dëgjohej ftesa extra omnes, në mënyrë që të gjithë, veç kardinajve, të dilnin jashtë.
Ndërsa në të tjerët, pjesëmarrës mund të ishin edhe kishtarë e shekullarë, me detyra të ndryshme në Kishë ose për Kishën.
Sot
mblidhen koncistorë të zakonshëm e të jashtëzakonshëm, forma që kanë zëvendësuar ato më të lashtat: koncistorin publik, gjysëmpublik dhe të fshehtë.
Koncistori i zakonshëm mblidhet kryesisht për krijimin e kardinajve të rinj dhe në të duhet të marrin pjesë të gjithë kardinajtë, që ndodhen në Romë.
Ndërsa, koncistori i jashtëzakonshëm mblidhet për konsultime mbi argumente me rëndësi të veçantë, për të shpallur akte, që pasqyrojnë nevojat urgjente të Kishës në atë çast, ose u përpiqen të zgjidhin probleme jashtëzakonisht të rënda. Në të duhet të marrin pjesë të gjithë kardinajtë, pa përjashtim.
Sipas së drejtës kanonike (neni 353), kardinajtë kanë për detyrë ta ndihmojnë Atin e Shenjtë në udhëheqjen e Kishës, përmes koncistorëve, në të cilat thirren nga vetë Papa.







All the contents on this site are copyrighted ©.