2015-02-12 17:30:50

Papa pret zëvendës-presidenten iraniane


Papa Françesku priti sot paradite në audiencë, në studion e Sallës Pali VI, zonjën Shahindokht Molaverdi, zëvendës-presidente e Republikës Islamike të Iranit.
Për herë të parë në historinë e marrëdhënieve dypalëshe, një zëvendës-presidente iraniane, Shahindokht Molaverdi, kryesoi një delegacion të përbërë vetëm prej grash, ardhur në Vatikan për të biseduar me Papën dhe dikasteret e Selisë së Shentjë mbi mbrojtjen e vlerave tradicionale të familjes dhe thellimin e rolit të gruas në shoqërinë e në politikën ndërkombëtare. Molaverdi dhe imzot Vincenzo Paglia, kryetar i Këshillit Papnor për Familjen, në një takim me gazetarët, nënvizuan se u përfitua shumë nga bisedimet. U fol, pohoi imzot Paglia, rimarrë nga agjencia ANSA, për angazhim të përbashkët kundër plagës së abortit, por edhe kundër metodave riprodhuese artificiale, si për shembull mitra e dhënë me qera e, më në përgjithësi, për ligështimin e identitetit seksual si mashkullor, ashtu edhe femëror.
“Të ecësh së bashku, është më mirë se të ecësh vetëm. Mbrojtja e familjes përbën një nga sfidat më të mprehta globale”, komentoi zëvendës-presidentja iraniane.
Përsa i përket rolit të grave në politikë e në shoqëri, Molaverdi vërejti se në Iran, që nga revolucioni i 1979-tës, janë bërë shumë hapa përpara, ndonëse udha që duhet përshkuar është ende e gjatë. Nëse në fushën e arsimit barazia është pothuajse e plotë, madje më se 60% e popullsisë universitare përbëhet nga gratë, sektorët e tjerë të ekonomisë e të politikës lënë akoma shumë për të dëshiruar. Qeveria i njeh mirë këto probleme, shpjegoi zëvendës-presidentja iraniane, aq sa tashmë është në fuqi një ligj, që synon t’i japë hov pranisë femërore në fushën drejtuese e mendohet edhe që të rritet numri i deputeteve në parlamentin iranian, duke nisur që nga zgjedhjet e ardhshme.
Në bisedimet me Papën Françesku, tregon Molaverdi, u vu theksi sidomos mbi rëndësinë e pranisë femërore në instancat e pushtetit ndërkombëtar. Papa, vijoi përfaqësuesja e Iranit, është i bindur se po të kishte më shumë gra në qendrat vendimarrëse, do të jetonim në një botë më të qetë e më me pak kriza.
Në audiencë u prekën edhe tema të tjera, nga dhuna terroristike, tek bisedimet për programin bërthamor iranian. Françesku pohoi se është e palejueshme ta përdorësh dhunën në emër të fesë; ndërsa zëvendës-presidentja iraniane shtoi se është po aq e papranueshme ta prekësh tjetrin, aty ku i dhemb më shumë: në fe.
Përsa i përket programit bërthamor iranian, Papa Bergoglio, nënvizoi Molaverdi, uroi të arrihet një marrëveshje, që të respektojë interesat e të gjitha palëve. Zëvendës-presidentja iraniane shprehu optimizmin e saj lidhur me perspektivën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Teheranit e SHBA-ve. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë e të mos e trazojmë më Papën”, komentoi me këtë batutë, duke iu përgjigjur pyetjes mbi një kërkesë të mundshme për ndërmjetësimin e Françeskut, si në rastin e Kubës.








All the contents on this site are copyrighted ©.