Papa Françesku: reforma me transparencë, për një kolegjialitetit të vërtetë
Reforma e Kuries Romake” nuk është thjeshtë një synim në vetvete”, por një mjet që
ndihmon për të “dhënë një dëshmi të fortë të krishterë “. Kështu pohoi Papa Françesku
në hapje të Koncistorit, në Sallën e Re të Sinodit, sot në Vatikan, duke folur për
zhvillimet e punimeve të grupit C9 të kardinajve, që janë duke përpiluar një Kushtetutë
të re Apostolike. Papa Bergoglio falënderoi Komisionin e nëntë kardinajve për punën
që ka bërë e në mënyrë të veçantë koordinatorin, kardinalin Oscar Maradiaga dhe sekretarin
e organizmit, imzot Marcello Semeraro. Në fillim të takimit, Papën e përshëndeti
dekani i kardinajve Angelo Sodano. “Sa punë e mirë e gjë e bukur është kur vëllezërit
jetojnë së bashku”. Me këto fjalët të Psalmit 133 Papa Françesku hapi Koncistorin
e sotëm për të vërë theksin mbi mënyrën dhe shpirtin e bashkimit vëllazëror e të kolegjialitetit,
e në vijim menjëherë përshëndeti 20 kardinajtë të cilët të shtunën e ardhshme do të
marrin kësulën e kuqe kardinalore. Duke iu referuar temës së Koncistorit, Papa
Bergoglio vuri në pak se para Kolegjit kardinalor tani prezantohet “sinteza” e një
pune që është bërë, ajo për përpilimin e një “Kushtetute të re apostolike për reformën
e Kuries”, e teksti ka pasur parasysh dhe ka vlerësuar “shumë sugjerime, edhe nga
ana e krerëve e të përgjegjësve të dikastereve të ndryshëm të Vatikanit, e po kështu
edhe sugjerimet e ekspertëve të fushës”: “Caku që duhet arritur është gjithmonë
favorizimi i një harmonie sa më të madhe në punë, ndërmjet dikastereve e zyrave të
ndryshme, në mënyrë që të realizohet kështu një bashkëpunim më i suksesshëm në transparencën
absolute, që ndërton sinodalitetin dhe kolegjialitetin e vërtetë. Reforma nuk synon
të jetë cak, por mjet për të dhënë një dëshmi të fortë të krishterë; për të favorizuar
një ungjillëzim sa më të suksesshëm; për të promovuar një atmosferë më të frytshme
ekumenike; për të inkurajuar një dialog më pozitiv me të gjithë”. “Reforma, e kërkuar
dhe e dëshiruar nga pjesa dërmuese e kardinajve gjatë Kongregacioneve (mbledhjeve)
të përgjithshme të Konklavit – kujtoi Papa Françesku – do të duhej të përkryente edhe
më shumë identitetin e vet Kuries Romake”. Identitet që thelbësisht qëndron në “ndihmesën
e Pasardhësit të Pjetrit në ushtrimin e misionit të tij suprem baritor për të mirën
dhe shërbimin e Kishës universale e të Kishave të veçanta”. Kështu tha pra, Papa
Françesku në Koncistorin e sotëm me Këshillin e nëntë kardinajve, që është duke punuar
në reformën e Kuries Romake, sipas dëshirës së vet Papës Bergoglio e të kardinajve.
Sot më 12 shkurt, me fjalën e hyrjes të kardinalit Rodrigues Maradiaga, i gjithë
Kolegji Kardinalor punon në koncistor, në Sallën e re të Sinodit. Pas fjalës së hyrjes
të kardinalit Rodriguez Maradiaga dhe relacionit të sekretarit të Këshillit të nëntë
kardinajve, ipeshkvit Semeraro, punimet vijojnë me kontributin e të gjithëve, si kardinajtë
Pell e O’Malley e të tjerë, në praninë e Papa Françeskut.
Po cili është kuptimi
i reformës që dëshiron Papa? Mendojmë edhe për fjalimin e rëndësishëm, mbajtur kohët
e fundit para Kuries… Atë Federiko Lombardi jep këtë përgjigje:
“Papa
ka vënë në lëvizje, që nga fillimi i papnisë, një projekt për reformimin e Kuries
Romake. Por kjo duhet kuptuar mirë, sepse është vetëm një pjesë e planit për përtëritjen
e Kishës, plan shumë më i gjerë, të cilin ai e formuloi në Nxitjen apostolike “Evangelii
Gaudium”: ai i Kishës në dalje, i Kishës misionare, Kishës, që angazhohet e tëra në
fushën e Ungjillëzimit, në shërbim të të cilit është edhe Kuria Romake, mjet për ta
ndihmuar Kishën në misionin e saj. Reflektimi lidhur me këtë reformë me karakter edhe
organizativ të Kuries, vijon sipas rregullave e sipas kohës së nevojshme për reflektim
e këshillim që, natyrisht, është mjaft e gjatë. Por ajo, që më duket e rëndësishme
për t’u theksuar, është se për Papën zemra e çdo reforme, është shpirtërore: reformat
nisen nga zemra. Kujtojmë Jezusin, që thotë: “Sendet e mira e ato të këqija, vijnë
nga zemra”, prandaj që aty duhet të nisesh për të rinuar e për të shëruar, kur ka
ndonjë pengesë a vështirësi. Atëherë edhe fjalimet që mbajti para Krishtlindjes, si
ai drejtuar Kuries, ashtu edhe Punonjësve të Vatikanit, fjalimi, që mbajti në përfundim
të Sinodit, e thonë qartë si e drejton Kishën edhe me gjykim shpirtëror, për t’i shëruar
në thellësi sjelljet tona, duke na bërë më besnikë ndaj Ungjillit; e me këtë, pastaj,
mund ta ushtrojmë më mirë gjithë shërbimin tonë, gjithë veprimtarinë tonë të ungjillëzimit
ose të shërbimit kishtar. Ja, pra, reforma është temë e përhershme e jetës së krishterë,
temë e kthesës, e pendesës së të krishterit, e nuk duhet të jetë diçka e cekët, e
sipërfaqshme, diçka thjesht organizative. Papa e ka thënë shumë herë se problemet
nuk kanë të bëjnë kryesisht me prapavijën ose me organizimin, edhe në se këto mund
të ndihmojnë, por kanë të bëjnë kryesisht me shpirtin, me thellësitë e zemrës njerëzore.
Atëherë, këto fjalime të mëdha, sipas meje, vunë shumë mirë në dukje, në llojin e
tyre, në mënyrën si u shtruan, kujdesin parësor të Papës Françeskut për të shëruar
në thellësi zemrën: të gjitha problemet ose pengesat, që mund të hasim, nganjëherë,
jo vetëm me përmasë a karakter organizativ, kanë të bëjnë edhe me sjelljen, me aftësinë
të dëgjuar, për të dialoguar, për të shërbyer, për të pastruar shpirtin. Ja, këto
janë përmasat për të cilat e dëgjojmë Papën të flasë çdo mëngjes edhe në homelitë
e mbajtura në Shën Martë në Vatikan, në të cilat ai shpreh karakterin e tij plot madhështi
shpirtërore, si prijës me frymën e traditës së ushtrimeve shpirtërore injaciane. Prej
këndej, unë besoj se është shumë e rëndësishme të kuptohet kjo: se çdo reformë e vërtetë,
që është problem i përhershëm në jetën e Kishës, duhet të gjejë pikënisjen e vet në
thellësinë e zemrës, në përtëritjen e dritës së Ungjillit. Këtë na thotë Papa Françesku
e na e kujton vazhdimisht”.