2015-02-12 16:09:20

Kurrë më homeli të mërzitshme: Kulti Hyjnor boton Drejtuesin


Me miratimin e Papës, Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve hartoi “drejtuesin homelitik”. Nuk është udhëzim oratorie, as shfaqjeje, e aq më pak qortim për ndokënd. Po atëherë ç’është, homeli? E cilat janë rregullat për një predikim të mirë? RealAudioMP3
Për t’iu përgjigjur kësaj kërkese, që ndjehet prej kohe në Kishë, Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve e botoi Drejtuesin homelitik, duke e shpërndarë përmes Shtëpisë Botuese të Vatikanit, në gjuhën angleze, si gjuhë origjinale e duke e përkthyer edhe në italishten zyrtare. Dy përkthime të tjera, në spanjisht e frëngjisht, do të shërbejnë si bazë për Konferencat e ndryshme ipeshkvnore, të cilat kanë përgjegjësinë ta përhapin në këto gjuhë të tjera.
Teksti u paraqit më 10 shkurt, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, gjatë një konference shtypi, drejtuar nga zëvendës-drejtori, atë Ciro Benedettini.
Mjet i pritur, që nuk lindi nga një ‘pse?’, kujtoi prefekti i Kongregatës, kardinali Robert Sarah. Kërkesa për ta përmirësuar shërbimin e predikimit liturgjik u diskutua që në Sinodin e ipeshkvijve të vitit 2005-së e, më pas, edhe në atë të 2008-tës. Benedikti XVI, pastaj, foli për nevojën e tij në Verbum Domini, ku e quan predikimin “art, që duhet kultivuar”.
E Papa Françesku, në Evangelii gaudium nënvizon se nuk mund të “mbyllen veshët” përballë ankimeve, që vijnë për këtë shërbesë kaq të rëndësishme”.
Në të vërtetë, vijoi kardinali Sarah, nuk është e lehtë të flasësh si duhet, ashtu siç është e vërtetë edhe se për predikimin “nuk mjafton teknika”. Homelia duhet të shprehë gjithnjë jetën e meshtarit. Prifti duhet të flasë për atë, që e jeton. E sidomos, të përgatitet gjithnjë në dialog me Hyjin në lutje.
Kështu, pra, Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve e botoi “Drejtuesin”, me miratimin e Papës.
I përbërë nga dy pjesë - njëra kushtuar homelisë në fushën liturgjike e tjetra përqendruar mbi artin e predikimit, dokumenti synon t’i pajisë meshtarët e seminaristët me koordinatat e metodologjisë e të përmbajtjes, që duhen pasur mirë parasysh në përgatitjen e edhe në mbajtjen e homelisë. Folëm për këtë me Sergio Tapia-Velasco, pedagog në Fakultetin e Komunikimit shoqëror pranë Universitetit Papnor të Shenjtes Krygjë e koordinator i kursit “Arti i predikimit”:

Përgjigje: - Në të vërtetë gjithçka nis me Gjon Palin II kur, më 1990, thirri një Sinod për të studiuar si mund të përmirësohej formimi i meshtarëve dhe i seminaristëve. Që në këtë çast lindi ideja se duhej bërë diçka për t’i ndihmuar meshtarët që të predikojnë më mirë. Më pas Papa Benedikti XVI, në dy çaste të rëndësishme, gjithnjë në përfundim të një Sinodi, atij kushtuar Eukaristisë, që përfundoi me Nxitjen “Sacramentum Caritatis” në vitin 2007, foli për homelitë e mërzitshme, sepse tepër të përgjithshme ose abstrakte. Ishte Benedikti XVI ai, që u kërkoi krerëve të Kongregatës së Kultit Hyjnor, të hartonin një Drejtues Homelitik në këndvështrimin teorik, por gjithsesi, me vlera drejtuese. Këkesën e bëri pas Sinodit kushtuar Fjalës së Zotit, më 2010, duke shkruar Nxitjen Apostolike “Verbum Domini”, në numrin 6° të saj.

Pyetje: - Mund të na e shpjegoni më konkretisht për çfarë bëhet fjalë?

Përgjigje: - Bëhet fjalë për vijat udhëheqëse, që mund t’i frymëzojnë si meshtarët, në shërbesën e Fjalës, ashtu edhe rektorët e seminareve, në përgatitjen e seminaristëve të tyre për këtë art të bukur, por edhe tejet të vështirë të predikimit. Pa dyshim që të mund të përmirësohemi në këtë drejtim, por ata, që përgatiten për meshtari, duhet ta marrin shumë seriozisht përsosjen e tyre në këtë fushë.

Pyetje: - Si mund e si duhet bërë një homeli e realizuar?
Përgjigje: - Duhet të bësh pyetjet e duhura, për të hartuar një homeli: ç’u intereson me të vërtetë besimtarëve? Ç’kërkon të thotë teskti? Ç’i thotë ky lexim zemrës sime? Siç na kujton Papa Françesku, ka rëndësi të mos u përgjigjemi pyetjeve, që nuk i bën askush: inter-lectio ka për qëllim “depërtimin në brendi të tekstit”, synon të arrijë në zemër të asaj, që dëshiron të thotë teksti, asaj, që dëshirojnë të dëgjojnë besimtarët e, sidomos, të asaj, që më thotë mua! Përndryshe homelia tingëllon pa vërtetësi e, natyrisht edhe pa art. Rëndësi ka të kemi një pyetje, që i jep shtysën nisjes së homelisë e ndërtimit të saj, duke ndjekur retorikën klasike, pa harruar kurrë edhe format e komunikimit bashkëkohor.







All the contents on this site are copyrighted ©.