2015-02-11 18:57:49

Takimi i Këshillit të kardinajve për reformën e Kuries Romake


Përfundoi, sot pasdite, 11 shkurt, takimi treditor i Këshillit të nëntë kardinajve, që punojnë për reformën e Kuries Romake, sipas dëshirës së Papës Françesku. Kardinajtë do të mblidhen përsëri më 13 e 15 prill. Njoftimin e dha, gjatë takimit me gazetarët, drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi. Nuk parashikohet, shtoi atë Lombardi, botimi i shpejtë i ndonjë dokumenti: kohët, natyrisht, janë të gjata, duke pasur parasysh se po punohet për një kushtetutë të re, e jo për përditësimin e së mëparshmes.
Sot, dita e fundit e punimeve, Këshilli u angazhua, së pari, me përgatitjen e Koncistorit, që do të mblidhet nesër, më 12 shkurt, si dhe me fjalën e hyrjes, që do të mbahet nga kardinali Rodrigues Maradiaga. Gjithnjë gjatë ditës së sotme, në mungesë të Papës Françesku, që ishte i zënë me audiencën e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, kardinali Pell i njohu kardinajtë me të rejat e veprimtarisë, me organizimin e Sekretarisë dhe të Këshillit për ekonominë.
Pasdite, në praninë e Papës, foli kardinali O’Malley, që referoi për plenaren e sapopërfunduar të Komisionit për mbrojtjen të miturve.
Nga e enjtja, 12 shkurt, i gjithë Kolegji Kardinalor do të mblidhet në koncistor, në Sallën e Sinodit. Paraditja, shpjegoi Atë Lombardi, do të nisë me lutjen e Orës së Tretë e do të hapet me një përshëndetje të shkurtër të Papës Françesku, ndjekur nga fjalimi i Dekanit të Kolegjit, kardinalit Sodano. Para se të nisin diskutimet, kardinajtë do të dëgjojnë fjalën e hyrjes, mbajtur nga kardinali Rodriguez Maradiaga dhe relacionin e sekretarit të Këshillit, ipeshkvit Semeraro. Gjatë punimeve parashikohen fjalimet e kardinajve Pell e O’Malley.







All the contents on this site are copyrighted ©.