2015-02-11 17:19:49

Përfaqësuesit e Komuniteteve Fetare kryeministrit Rama: të parandalohet cenimi objekteve të Kultit në Shqipëri


Përfaqësuesit e Komuniteteve Fetare kryeministrit Rama: të parandalohet cenimi objekteve të Kultit në Shqipëri
Prej kohësh, Komuniteti Katolik Shën Piu X i Elbasanit është përfshirë në një situatë absurde prej një procesi gjyqësor po të tillë. Kujtojmë se famullia kishtare e Shën Piut X në Elbasan është ndërtuar 20 vite më parë në respekt e përputhje me kërkesat e ligjeve të Shtetit duke blerë dhe zotëruar me çertifikatë pronësie truallin dhe objektet që janë ndërtuar nga vetë Kisha Katolike.
Në vitin 2007 një qytetar ngre pretendimin për truallin dhe padit në gjykatë famullinë kishtare të Shën Piut X të Elbasanit, gjë të cilën ky komunitet, si Kishë Katolike, e ka refuzuar pasi është aty me të drejtën që miratohet nga ligjet e Shtetit shqiptar dhe konform marrëveshjeve ndërshtetërore.
Së fundmi, më 5 shkurt 2015, Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë, vendosi lirimin e truallit nga ana e Kishës katolike Shën Piu X në Elbasan megjithëse kjo është ligjërisht pronare e çertifikuar dhe e legalizuar nga Shteti Shqiptar.
Kështu, sot me 11 shkurt 2015, Përfaqësuesit e Komuniteteve Fetare të Elbasanit kërkuan nga kryeministri Shqipërisë Rama një zgjidhje të drejtë të truallit të Kishës Katolike në këtë qytet.
I nderuar Kryeministër i Shqipërisë Z. Edi Rama
Për dijeni: Kryetarit të Parlamentit të Shqipërisë, Z. Ilir Meta
Të nderuar përfaqësues të mediave:
Ne, Komunitetet Fetare të Elbasanit ju vëmë në dijeni dhe njëkohësisht kërkojmë ndihmë të menjëhershme nga institucionet që ju përfaqësoni për cenimin në mënyrë abuzive nga përfaqësues me pushtet të familjes Karaosmani të pronës së Kishës Katolike në Elbasan.
I nderuar Kryeministër, rasti i Famullisë Shën Piu X e cila i tejkalon kompetencat e një famullie të Klerit Katolik, është precedent për të gjithë objektet e tjera të Kultit në qytetin tonë. Ky rast cenon rëndë ushtrimin e besimit, imazhin publik të Shqipërisë për shkak të një të kaluare të egër të persekutimit të Klerit dhe dhunon të drejtën themelore të ushtrimit të besimit, diçka kjo e ezauruar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
I nderuar Kryeministër, së fundmi më 5 shkurt 2015, Gjykata e Lartë në Republikën e Shqipërisë vendosi lirimin e truallit nga ana e Kishës Katolike, megjithëse ajo është ligjërisht pronare e certifikuar, e legalizuar nga Shteti Shqiptar dhe realisht ushtron aktivitetin e saj prej 23 vitesh.
Ankesa jonë nuk ka të bëjë me mos njohjen e vendimit të gjykatave, por duke njohur mënyrën se si funksionon ligji në Shqipëri dhe duke pasur parasysh se familja pretenduese është e veshur me pushtet, neve na lind dyshimi të mendojmë që ky vendim është i ndikuar, jo i drejtë dhe jo transparent.
I nderuar Z. Kryeministër për sa më sipër do të informojmë tërë institucionet klerikale në botë, jo për të cenuar imazhin e vendin tonë, por për të parandaluar njëherë e përgjithmonë cenimin e objekteve të Kultit në Shqipëri dhe luajtjen e herë pas hershme me ndjenjat e besimtarëve.
Për këtë, Ju lutemi z. Kryeministër të ushtroni ndikimin tuaj për të shmangur këtë precedent të rrezikshëm, të krijuar artificialisht.
Zoti e ndihmoftë dhe e bekoftë Shqipërinë.
Përfaqësuesit e Komuniteteve Fetare të Elbasanit:
Myftiu Agim Duka e Arben Ramkaj Myftinia Elbasan
Atë Stavri Çipi e Atë Gjergji Trebicka Kisha Orthodokse Elbasan
Dervish Ardit Selmani Bashkësia Bektashiane Elbasan
Don Emilio Valente e Sokol Lulgjuraj Kisha Katolike Elbasan







All the contents on this site are copyrighted ©.