2015-02-11 19:03:56

Papa Kristo Negovani, martir i fesë e i atdhedashurisë


Papa Kristo Negovani (1875-1905) lindi dhe vdiq në fshatin Negovan të rrethit të Follorinës. U shkollua në Athinë. Pas përfundimit të shkollës, u kthye menjëherë në vendlindje dhe nisi punën si mësues. Ra në kontakt me lëvizjen kombëtare për çlirim nga Turqia, e cila mishëronte pikërisht idealet e tij: dashurinë për atdhe, krenarinë kombëtare, lidhjen e ngushtë me traditat e, sidomos, dëshirën e zjarrtë për lëvrimin e gjuhës shqipe. E ktheu menjëherë shkollën ku jepte mësim, në vatër të shqiptarizmës. Nisi t’u mësonte të shkruanin e të lexonin shqip fëmijëve, të rinjve e të moshuarve, burrave e grave. Po shkolla iu duk e ngushtë për misionin e tij. U dorëzua, prandaj, prift, duke menduar se bashkfshatarët do ta kuptonin më mirë Fjalën e Krishtit, në se kjo Fjalë u shpallej në gjuhën e tyre. Si prift i Kishës Ortodokse, nisi menjëherë ta thotë Meshën shqip. Iu desh të përkthente shumë copa të librave liturgjike, ose të shfrytëzonte s’kishin përkthyer të tjetër. Nisi të merrej me katekizmin e njëkohësisht të shkruante vjersha e tregime, të përshtaste fabula e gjithçka i hynte në punë për misionin e dyfishtë të mësuesit e të priftit.
Veprimtaria e tij atdhetare ngjalli reagime të fuqishme si nga pushtuesi turk ashtu edhe nga Kisha greke. Nisën kërcënimet. Po ai nuk hoqi dorë nga idealet e tij. Më 12 shkurt 1905, ditë a acartë dimri, me dëborë e ngrica të forta, Priftin e arrestuan së bashku me të vëllain. Nuk pritën të arrinte në burg: e masakruan rrugës dhe e lanë të copëtuar mbi dëborë.
Sipas kronistëve të asaj kohe, vrasja e mësuesit Atë Papa Kristo Negovani, preku përvajshëm gjithë kombin shqiptar dhe sidomos djalërinë kryengritëse të saj dhe gjithë poetët tanë të kohës, si Loni Logori, Asdreni, Çajupi, Siliqi etj. I kushtuan nga një elegji plot shpirt e zemër këtij martiri, që edhe sot kujtohen vargjet e tyre antologjike.

Papakristonë e vranë
Dhe s′ra për të një kambanë
Dhe mallet e Shqipërisë
Dhe shpellat e malësisë
Thërrisnin anembanë
Papakristonë e vranë
Të afërmit, të shqetësuar nga mungesa e tij, u nisën ta kërkonin. Në pejzazhin e bardhë, dalluan diçka që i ngjiste shqiponjës në fushën e flamurit: ishte rasua e zezë e priftit Papa Kristo Negovanit që shpalosej në një fushë dëbore të gjakosur.
Ky është trashëgimi më i çmuar që na la. Veprat i mbetën të shpërndara nëpër gazeta e revista të ndryshme të kohës. Nga krijimtaria e tij kujtojmë: “Vjershë shkresëtoreje” ; “Hijtore istori me urata të thëna”; “Prishëja e Hormovës”, “I vogëli Donat Argjëndi”; “I drunjëti kryq”; “Istorishkronja e Plikatit”; “Istori e dhjatës vjetërë”; “Bënjatë e shënjtorëvet dërgimtarë” që sot do të tingëllonte si “Bëmat e Apostujve” e tjera..







All the contents on this site are copyrighted ©.