2015-02-11 14:37:12

Papa: fëmijët janë dhuratë; shoqëria, që nuk i pranon, është e lodhur


Fëmijët janë dhuratë, që Zoti i bën familjes e botës e duhen lindur me bujari e përgjegjësi. Ndërsa familja a shoqëria, që nuk di t’i mirëpresë, është koprrace dhe e lodhur. Këtë mendim shprehu sot Papa në katekizmin e audiencës së përgjithshme, kryesuar në Sheshin e Shën Pjetrit. Françesku e përfundoi takimin, duke kërkuar lutje për Koncistorin, që do të hapet nesër.RealAudioMP3

Të pashembullt, të papërsëritshëm, që duhen para se të dalin në dritë. Të rinojnë e të hapin udhën e së ardhmes, nëse i mirëpret, ndërsa ta mbyllin këtë udhë, duke të krijuar një zbraztësi të padurueshme, nëse i shikon si barrë e i refuzon. Fëmijët i japin jetë shoqërisë, nëse përbëhet nga njerëz, që e duan jetën, ndërsa e depresionojnë, kur bie viktimë e vetëmbylljes. Këtë sjell, a nuk sjell me vete, lindja e fëmijëve.
Dhuratë e Zotit, jo pronë e prindërve
Pasi foli për nënat e baballarët, Papa arriti tek fryti i dashurisë së tyre, me një katekizëm përplot me pasion baritor. U ndalua, së pari, tek lidhja e ngushtë ndërmjet breznive, të cilën e shikon si shpresë e burim harmonie për një popull.
Gëzimi i fëmijëve i bën të rrahin hareshëm zemrat e prindërve e u hap udhën drejt së ardhmes. Fëmijët janë gëzimi i familjes dhe i shoqërisë. Fëmijët nuk janë problem i biologjisë riprodhuese, as një nga mënyrat për t’u realizuar. E, aq më pak, pak pronë e prindërve. Jo! Jo! Fëmijët janë dhuratë. Dhanti. Kuptuat? Fëmijët janë dhuratë.
Dhuratë për familjen dhe shoqërinë
Fëmija është dhuratë, pohoi përsëri Françesku, e jo sepse është i bukur, sepse mendon si unë, sepse mishëron dëshirat e mia. Fëmija duhet menjëherë, sepse është jetë nga jeta jonë, vijoi të kujtone Ati i Shenjtë, është lindur për të mirën e vet, të familjes, të shoqërisë, të njerëzimit mbarë. E megjithatë, e gjithë kjo bukuri, shpesh nuk kuptohet:
“Sot duket më e vështirë për bijtë të përfytyrojnë ardhmërinë e tyre. Baballarët, siç e kam cekur në katekizmat e kaluara, kanë bërë, ndoshta, një hap mbrapa e, prej këndej, bijtë janë bërë gjithnjë më të paqartë në përpjekjen e tyre për të bërë hapa përpara. Mund ta mësojmë lidhjen e mirë ndërmjet breznive nga Ati ynë qiellor, që e lë të lirë secilin nga ne, por nuk na lë kurrë vetëm. E nëse gabojmë, Ai vijon të na ndjekë me durim, pa e harruar për asnjë çast dashurinë e tij për ne”.
Shoqëritë që nuk i nderojnë prindërit, janë pa nder
Atësia e Hyjit, vërejti Françesku, na lë të kuptojmë edhe shenjtërinë e lidhjes së prindërve me bijtë. Të njëjtin mendim e ndeshim në Urdhërimin e katërt, i cili vjen menjëherë pas tre urdhërimeve, që kanë të bëjnë me vetë Zotin. E kjo na nxit të mendojmë se në rrënjën e respektit për prindërit, ka diçka hyjnore.
Shoqëria, që nuk i nderon prindërit, është shoqëri pa nder; kur nuk i nderon prindërit, humbet edhe nderimin për vetveten. Bëhet shoqëri me të rinj të akullt e të pangopur. E edhe shoqëri dorështrënguar, që nuk i mirëpret breznitë e reja. Që nuk dëshiron ta shikojë veten të rrethuar nga fëmijët. Që i shikon më shumë si shqetësim, sesa si gëzim; si barrë, më shumë se si lehtësim; si rrezik, më shumë se si shpresë. Një shoqëri e tillë është e lodhur, e depresionuar.
Bujarë e të përgjegjshëm, jo egoistë
Secili nga ne të mendojë e t’i përgjigjet, kujtoi Papa, faktit që Evropa ka një përqindje lindshmërie, që nuk e kalon 1 %.
“Nëse një familje bujare, e rrethuar me një kurorë fëmijësh, shikohet si të ishte barrë e rëndë, këtu ka diçka që nuk shkon. Breznia e bijve duhet të jetë plot përgjegjësi, si mëson edhe Enciklika Humanae vitae e të Lumit Papës Pali VI, por të kesh shumë fëmijë nuk mund të bëhet automatikisht zgjedhje e papërgjegjshme. Ndërsa të mos kesh fëmijë, do të thotë se ke zgjedhur rrugën egoistike. Jeta rinohet e fiton energji duke u shtuar e duke u shumuar; pasurohet, nuk varfërohet!”.

Zoti bekon prindërit e fëmijët
Figura e fundit është ajo e Papës në heshtje, në lutje, me sytë e mbyllur e dorën mbi zemër, pasi i drejtoi këtë ftesë turmës:
“Shumë nga ju kanë bij, e të tërë ne jemi bij. Të bëjmë një minut heshtje. Secili të mendojë, në zemër të vet, për të bijtë, nëse i ka, e t’i kujtojë në heshtje. E të gjithë të mendojmë për prindërit tanë e ta falënderojmë Zotin për dhuratën e jetës. Në heshtje, ata që kanë fëmijë, të mendojnë për ta; e të gjithë, për prindërit tanë (Heshtje). Zoti i bekoftë prindërit tanë e fëmijët tuaj”.Një lutje tjetër, ishte ajo e Françeskut, në përfundim të audiencës së përgjithshme, në prag të Koncistorit: “Shpirti Shenjt, u lut, qoftë i pranishëm në punimet e Kolegjit Kardinalor e i shndritët kardinajtë e rinj dhe shërbimin e tyre ndaj Kishës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.