Dy fjalë për jetëshkrimin e kardinajve të rinj: imzot Júlio Duarte Langa
Imzot Júlio Duarte Langa (Hulio Duarte Langa) ipeshkëv nderi i dioqezës së sotme
të Shai-Shai, lindi më 27 tetor 1927, në Mangunze. Ndoqi studimet një herë në seminarin
e Magudes, pastaj në atë të Namaacha-s, në kryedioqezën e asokoshme të Lourenço Marques
(sot Maputo). U shugurua meshtar në katedralen e Lourenço Marques (tani Maputo),
më 9 qershor 1957. Zëvendës-famullitar e më pas famullitar në Misionin e Malaisse-s,
u emërua, më pas, Këshilltar dioqezan, anëtar i Këshillit Presbiteral e, së fundi,
Mëkëmbës i Përgjithshëm i dioqezës. Njohës i madh i të folmeve vendase, u kujdes
për përkthimin e teksteve të Koncilit II të Vatikanit. Më 31 maj 1976 Papa Pali
VI e emëroi Ipeshkëv të dioqezës së João Belo, e cila nga 1 tetori i të njëjtit vit,
e ndërroi emrin në Shai-Shai. Shugurimin ipeshkvnor e mori më 24 tetor 1976. Vijoi
të shërbejë në dioqezën e Shai-Shai për 28 vjet, duke u bërë ipeshkëv nderi më 24
qershor 2004.