2015-02-11 13:18:16

Dita e të Sëmurit. Papa Françesku: jeta, gjithnjë e shenjtë, edhe kur është e brishtë


Në përfundim të audiencës së përgjithme, sot, kur kremtohet Dita e 23-të Botërore e të Sëmurit, Papa Françesku kujtoi gjithë të sëmurët, duke ua besuar Zojës Lurdë, në festën e saj liturgjike. Në mesazhin e rastit, Papa Bergoglio nënvizon rëndësinë e “dijes së zemrës” për t’i shërbyer vëllait, që vuan.RealAudioMP3

“Pranë njeriut të vuajtur, duke shpresuar, në kundërshtim me çdo shpresë!”. Në përfundim të audiencës së përgjithshme, Françesku përshëndeti anëtarët e Shoqatës së prindërve të onkologjisë pediatrike. Ia nguli sytë turmës, Papa, si të donte të kërkonte, ndërmjet shtegtarëve që kishin pushtuar Sheshin e Shën Pjetrit, nënat e baballarët, të cilët jetojnë një provë, që të zë frymën: provën e një biri a të një bije të prekur nga tumori. Atyre, ashtu si edhe të sëmurëve të vegjël, nën kujdesin e Motrave të Shën Jozefit, si dhe vullnetarëve të Unitalsit, Papa u drejtoi fjalë inkurajuese. E i ftoi të gjithë të rriten përherë në dashurinë për Zotin, në dijen e zemrës e në shërbimin bujar ndaj të afërmit, që vuan në korp e në shpirt.

Sy për të verbëtin e këmbë për të shqeptin
Fjalët marrin një kuptim të veçantë, sepse shqiptohen sot, kur kremtohet Dita e 23-të Botërore e të Sëmurit, e themeluar me dëshirën e Gjon Palit II, nën mbrojtjen e Zojës Lurdë që, pikërisht sot, festohet me devocion të posaçëm nga të sëmurët.
“Të dashur të rinj, tha Papa, duke iu drejtuar të rinjve të pranishëm në Shesh: Bëhuni sy për të verbëtin e këmbë për të gjymtuarin”.
“Të dashur të sëmurë, duhet ta ndjeni gjithnjë veten të mbështetur nga lutja e mbarë Kishës”.
“E ju, të dashur bashkëshortë të rinj, duajeni jetën, që është gjithnjë e shenjtë, edhe atëherë kur preket nga brishtësia e nga sëmundja”.

Koha e kaluar pranë të sëmurit është e shenjtë
Shprehja e përdorur nga Papa “sy për të verbëtin e këmbë për të shqeptin”, shkëputur nga Libri i Jobit, është në qendër të vëmendjes në Mesazhin për këtë Ditë, të cilën Françesku ia kushtoi “dijes së zemrës”, që na shtyn t’i shërbejmë vëllait, me vetëdijen se “koha e kaluar pranë të sëmurit, është kohë e shenjtë”. Në dokument, Papa pohon edhe se “mashtrimi të çon deri atje, sa të besosh se jetët e prekura rëndë nga sëmundja, nuk janë të denja të jetohen”. Ndërsa, pohon me forcë në vijim, pikërisht njerëzit e pushtuar nga misteri i vuajtjes e i dhimbjes, pranuar me besim të thellë në Zotin, mund të bëhen dëshmitarë të gjallë të fesë.







All the contents on this site are copyrighted ©.