Papa Françesku: Zoti kërkohet, të krishterët “që rrinë ulur” nuk e shohin
Për të takuar Zotin duhet të rrezikojmë personalisht e të vihemi për udhë, sepse një
i krishterë “i qetë” nuk mund ta njohë kurrë fytyrën e Atit Qiellor. Ky qe reflektimi
i Papës Françesku në homelinë e meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës në
Vatikan. Nëse i krishteri
dëshiron ta njohë identitetin e vet, nënvizoi Ati i Shenjtë, nuk mund të qëndrojë
ulur rehat në kolltuk, duke shfletuar ndonjë libër, sepse s’ka enciklopedi, që të
ketë brenda imazhin e Zotit. E as s’mund të besojë në Zotin, që i leverdis atij e
që i bindet rregullave, të cilat s’kanë të bëjnë aspak me Hyjin.
Të shqetët
do ta shohin Zotin Leximi i Librit të Zanafillës, që flet për krijimin e njeriut
në shembëlltyrë me Zotin, i sugjeron Papës një meditim mbi udhën e drejtë, ose të
gabuar, që hapet para të krishterit, i cili dëshiron të dijë origjinën e vet. Imazhi
i Hyjit, theksoi Françesku, nuk gjendet në kompjuter e as në enciklopedi. Për ta gjetur,
duhet të kuptoj kush jam, cili është indentiteti im. Kjo mund të bëhet vetëm duke
u vënë për udhë: “Kush nuk vihet për udhë, nuk do ta njohë kurrë imazhin e Zotit,
nuk do ta gjejë kurrë fytyrën e Hyjit. Të krishterët që rrinë ndenjur, të krishterët
e qetë, nuk do ta shohin fytyrën e Zotit: nuk e njohin. Thonë: ‘Zoti është kështu
e ashtu…’, por nuk e njohin. Të qetët... Për të ecur përpara është i nevojshëm ai
shqetësim, që Zoti vetë na e ka vënë në zemër e që na nxit të ecim për ta kërkuar”.
“Karikatura”
e Zotit Natyrisht, vijoi reflektimin Papa Françesku, të vihesh për udhë do
të thotë ta lësh Zotin të të sprovojë. E megjithatë, gjigantë si Elia profet, Jeremia,
ose Jobi sfiduan rreziqet, u ndjenë madje edhe të lodhur e të shkurajuar, por nuk
u ndalën. Por, vuri në dukje Ati i Shenjtë, ekziston një mënyrë tjetër për të mos
lëvizur, për të mos e ndërmarrë udhën e kërkimit. E ajo është shtrembërimi i idesë
së vënies për udhë. Papa kujtoi episodin ungjillor ku skribët e farisenjtë e kritikojnë
Jezusin, sepse dishepujt e tij hanin pa bërë më parë ritet e rastit: “Në Ungjill,
Jezusi takon njerëz, të cilët kanë frikë të vihen për udhë dhe ‘i përshtaten karikaturës
së Zotit. Është kartë e gënjeshtërt identiteti. Këta jo të shqetë e kanë bërë të heshtë
shqetësimin e zemrës, e përvijojnë Hyjin me urdhërime dhe e harrojnë: ‘Ju, duke e
lënë mënjanë urdhërimin e Zotit, ndiqni traditën e njerëzve’[u thotë Jezusi] e kështu,
këta largohen nga Zoti, nuk ecin drejt Hyjit e kur janë të pasigurtë, shpikin ose
bëjnë një urdhërim tjetër”.
Hiri për t’u vënë për udhë Kush sillet
në këtë mënyrë, përfundoi Papa Françesku, bën një udhë në thonjëza, një udhë të qetë,
që nuk e çon përpara: “Sot, liturgjia na bën të reflektojmë për këto dy tekste:
dy karta identiteti. Për atë, që e kemi të gjithë, sepse kështu na ka bërë Zoti, për
atë që na thotë: ‘vihu për udhë e do ta njohësh identitetin tënd, sepse ti je imazh
i Zotit, je bërë në përngjasim me Hyjin. Vihu për udhë e kërkoje Zotin’. E tjetra:
‘Jo, rri rehat: plotësoji këto urdhërime e ky është Zoti. Kjo është fytyra e Hyjit’.
Zoti na dhashtë të gjithëve hirin e guximit për t’u vënë gjithnjë për udhë, që të
kërkojmë fytyrën e Zotit, atë fytyrë, të cilën do ta shohim një ditë, por që këtu,
në Tokë, na duhet ta kërkojmë”.