2015-02-10 10:17:02

Papa Françesku në Sarajevë, për të forcuar dialogun e paqen


Menjëherë pas njoftimit të papritur për shtegtimin e Papës në Sarajevë, ku do të jetë më 6 qershorin e ardhshëm, kryeipeshkvi i qytetit, kardinali Vinko Puljiç, u takua me myftiun e madh të bashkësisë islamike të Bosnjës e Hercegovinës, Husein Kavazoviç.
Bisedim i përzemërt, sipas agjencisë së shtypit katolik kroat Ika, që njoftoi se gjatë takimit, prijësi shpirtëror mysliman e siguroi kryeipeshkvin se bashkësia myslimane është e gatshme të japë ndihmesën e vet në organizimin e vizitës papnore, që të mund të realizohet në një mënyrë sa më dinjitoze.
Dialogu pasqyron harmoninë e thellë ndërfetare, që karakterizon prej shekujsh historinë e Sarajevës, ndërprerë vetëm nga koha e tmerrshme e luftës vëllavrasëse. Nuk është e rastit që, nësa jepte njoftimin për këtë shtegtim, në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 1 shkurtit, Françesku shtoi, jashtë tekstit, disa fjalë, me të cilat saktësoi qëllimin e vizitës: forcimin e vëllazërisë, të paqes, të dialogut ndërfetar e të miqësisë në këtë zonë.
Sarajeva, që do të vizitojë Papa Françesku, nuk është më qyteti martir, ku shkeli Papa Gjon Pali II, më 1997. Nuk është “Jerusalemi i lindjes”, siç e pati quajtur Papa polak, duke nënkuptuar edhe identitetin e tij si ishull ndërfetar e ndëretnik. Sarajeva sot është qytet simbol ku, megjithatë, mbetet detyrë urgjente nxitimi i hapit për të arritur tek caku aq i dëshiruar: pajtimi e paqësimi.
Takimi i kryeipeshkvit me myftinë e madh, pohon edhe një herë karakterin ndërfetar të shtegtimit njëditor të Papës në Sarajevë.







All the contents on this site are copyrighted ©.