Më 10 shkurt kalendari kujton Shën Skolastiken, virgjër. Lindur në Norcia
të Italisë rreth vitit 480 - e vdekur në Piumarola më 10 shkurt 547, qe motra e Shën
Benediktit. Nga jeta e saj njihen vetëm pak ngjarje, shkruar në "Librin e Dialogeve"
të Shën Gregorit të Madh. Dihet me siguri se pak vjet para e të vdiste, banonte pranë
Montecassinos, ku i vëllai drejtonte manastririn e famshëm, që edhe sot e kësaj dite
sundon mbi kodrën me të njëjtin emër. Së bashku me një grup vajzash, vendosi të ndiqte
gjurmët e të vëllait, për t'i shërbyer Zotit jo duke u larguar e duke u fshehur nga
bota, por duke jetuar në bashkësi të mirorganizuar e duke e kaluar kohën me lutje,
punë e studim. Kështu me Shën Skolastikën lindte monakizmi femëror perëndimor. Gjithsej
ajo jetoi e vdiq nën hijen e vëllait të saj të madh, madje edhe u varros në të njëjtin
varr me Shën Benediktin. Shumë shpejt për nder të saj u ngritën kisha e kapela, ndërsa
tradita popullore e njohu si ndërmjetëse të njerëzve që rrezikohen nga rrufetë ose
që kërkojnë të bjerë shi. Faqja më e bukur e jetës së saj, është ajo e takimit
me Benediktin, që ruhet kështu në kujtesën e përshpirtërisë popullore: “Skolastika
shpejton hapin e nuk ndalohet për të soditur kodrinat mahnitëse të Italisë qendrore.
Do të takohet me vëllain binjak, Benediktin, takim që po e pret që prej treqind e
gjashtëdhjetë ditësh. Në të vërtetë, Benedikti e Skolastika, ndonëse i kanë themeluar
kuvendet pak kilometra larg njëri-tjetrit, takohen vetëm një herë në vit. Benedikti
zbret nga Mali i Kasinos, e motra del nga kuvendi i ndërtuar në luginë e takohen në
një shtëpizë në gjysmë të rrugës. Ia lejojnë vetes një takim të tillë që të çmallen
e të bisedojnë për gjithçka i lidhë e, sidomos, për Zotin, që është zemra e jetës
së tyre. Benedikti e Skolastika janë binjakë në gjak e në shpirt. Që të vegjël
kishin të njëjtat prirje, të njëjtën ëmbëlsi, të njëjtin durim e të njëjtën dëshirë
për t’iu afruar Zotit. Kur Benedikti shkroi Rregullën e vet të njohur murgare, Skolastika
e përshtati menjëherë për kuvendin ku jetonte me simotrat e veta, që ia kishin kushtuar
gjithë jetën Hyjit. Skolastika është rregulltarja e parë benediktine. “Dita do
të fluturojë” - psherëtin motra, duke shpejtuar hapin. Zemra i thotë se ky do të jetë
takimi i tyre i fundit. Është vetëm gjashtëdhjetë e tri vjeçe, por ndjen në trup frymën
e acartë të vdekjes. Prandaj dëshiron që kjo ditë, e larë me rreze dielli, e 7 shkurtit
të vitit 543, të jetë dita më e gjatë e të gjitha viteve. Dy binjakët takohen,
merren ngrykë, zhyten në një bisedë të këndshme, të pafund. Harrojnë se koha shket
e shkon. Pas disa orëve, çuditen kur shohin se dielli dalë-nga-dalë fshihet pas malit.
Benedikti ngrihet e bëhet gati për t’u nisur. Motra, e ngashëryer, i lutet: “Vëllai
im, rri edhe pak… E sikur të flasim gjithë natën?”. Benedikti tund kokën. Dëshiron
të ndalet, po në kuvend e presin. Skolastika trishtohet. Por – mrekulli – pikërisht
në atë çast shpërthen një rrebesh i tërbuar. Shiu i rrëmbyer e përmbyt menjëherë oborrin
rreth shtëpizës së vogël, ku vëlla e motër përgatiten të ndahen. Benediktit i duhet
ta kalojë natën aty. Në fund të fundit i duket si dhuratë, prandaj rinis bisedën,
filli i së cilës vijon të zhdridhet, pa u këputur për asnjë çast, tërë natën. Tri
ditë pas këtij takimi të paharrueshëm, vëllai merr lajmin e vdekjes të së motrës.
Ishte takimi i tyre i fundmë! Benedikti i falet nderës Zotit për stuhinë e papritur.
Shumë
artistë kanë realizuar kompozime të mrekullueshme, që paraqesin lidhjen e ngushtë
të vëllait me motrën. Në shumicën e këtyre pikturave shihet Shën Benedikti, që shikon
shpirtin e Skolastikës duke fluturuar drejt qiellit në formën e pëllumbit.