Dom Mikel Beltoja, martir, në përvjetorin e pushkatimit
Si sot, më 10 shkurt 1974, u pushkatua nga komunistët prifti 29 vjeçardom
Mikel Beltoja, martir i Kishës katolike dhe i vlerave kombëtare në Shqipëri. Për ta
bërë të heshtte në sallën e gjyqit pasiqë e kanë zhveshur, e therën disa herë me zumça.
Jeta e dom Mikelit qe një dëshmi heroike, për këtë edhe nderohet nga ata që e kanë
njohur. Secili prej atyre që ranë nën tehun e shpatës, gjithnjë të mprehur të diktaturës
komuniste, mund të cilësohet me një epitet të veçantë. Njëri "martir i Rrëfimit",
tjetri " i Pagëzimit", një tjetër akoma, i butësisë ungjillore, i vlerave kombëtare
e kështu me radhë.
Në këtë ushtri njerëzish, të armatosur me fjalë ungjillore
e uratë Rruzareje që meritojnë epitetet më fisnike, Dom Mikeli është dëshmitari sypatrembur
i Krishtit e i kombit. I doli zot në gjyq idealeve të tij me një guxim të tillë, që
e radhit në radhët e para të atyre pak njerëzve fisnikë, të cilët nga banka e të akuzuarit,
u kthyen në akuzues. E pra nuk kishte pasur mundësi të përgatitej në vende të zgjedhura,
ku qenë edukuar një pjesë e madhe e meshtarëve katolikë shqiptarë.
Nuk i dha,
prandaj, kulturës shqiptare, çka i dhanë shumë klerikë të tjerë. Nuk mund ta radhisim
as ndër radhët e poetëve, as të enciklopedistëve, as të publicistëve e as të muzikantëve
të shquar. E megjithatë ai meriton një vend nderi ndërmjet klerikëve të mëdhenj të
Kishës katolike, për zellin e guximin e tij. Ndjeu thirrjen për rrugën e meshtarisë,
kur kjo rrugë konsiderohej plot rreziqe, kur dukej pa të ardhme, kur furra ishte ndezur
për të djegur në të, sipas shprehjes së diktatorit "çdo zakon prapanik e paragjykim
fetar", e bashkë me doket e zakonet, edhe ata që do të guxonin t'i mbronin. Dom
Mikeli lindi më 1935 në fshatin Beltojë, në Shkodër. Sot do të ishte 72 vjeç, po të
mos e kishin martirizuar. Ndoq shkollat shtetërore në vendlindje e njëkohësisht u
përgatit për meshtar nga Imzot Çoba. Nisi, menjëherë pas shugurimit, shërbimin meshtarak
ndër fshatra, në malësi e qytet, kudo iu kërkua nga të parët. Fliste thjeshtë, por
në mënyrë bindëse; përzemërsisht, por me vendosmëri e sidomos, thoshte gjithnjë të
vërtetën.
E jetonte më parë, pastaj e predikonte Ungjillin. Një bashkëvëlla,
që vuajti së bashku me të në birucat e sigurimit, shkruan: “Çdo njeri asht i përbâmë
prej trupit e prej shpirtit. Po dom Mikeli ishte vetëm shpirt. Nuk dinte çka âsht
fjala e keqe, as mendimi i keq. Mendonte e flitëte vetëm mirë e për të mirë, aq sa
shumëkush besonte se kishte natyrë tepër fëminore”. Meshën e fundit në një ndërtesë
kishtare e kremtoi në Kishën e Barbullushit, të cilën ia mbyllën më 1967. Por kjo
s'e trembi Dom Mikelin. Përkundrazi, ia ndezi edhe më tepër zellin, e s' pati gjë
që ta ndalonte në shërbimin ndaj Zotit, i cili po kryqëzohej rishtas. Tashti Kishë
për tê ishte gjithë Shqipëria.
Me shtat të lidhur e të fuqishëm, si bujk i
vërtetë, s'do të ndjente kurrë lodhje, s'do të prehej kurrë. Do të gjendej ditë natë
në shërbim, ditë natë pranë njerëzve që kishin nevojë për një fjalë të mirë, për një
shpresë. Gjithnjë me sakramentet shenjte fshehë nën veladon, atje ku i rrihte zemra
e mirë e e vendosur, deri te Kryqëzimi. Natyrisht nuk vonuan ta arrestonin. Ishte
data 19 prill 1973, kur i vunë prangat. Kaloi gjashtë muaj hetuesie të llahtarshme. Përballoi
një gjyq heronjsh. Foli aq hapur kundra diktatorit e diktaturës, sa kriminelët nuk
mundën ta përmbanin veten. Si s' kishte ngjarë kurrë, nuk pritën të kthehej rishtas
në birucën e vdekjes. Iu vërsulën aty, në sallën e gjyqit dhe nisën ta torturonin
me mjete primitive.
Ia bënë trupin vrima-vrima me biza, duke tmerruar të madh
e të vogël në sallën e mbushur me njerëz, që i kishin sjell aty me detyrim. Ndërsa
derdhej përdhe gjaku i martirit, gjykatësit e shndërruan vendimin nga 7 vjet burgim,
në dënim me vdekje. U pushkatua më 10 shkurt 1974. Ishte vetëm 29 vjeç.
Njeri i thjeshtë, u bë i madh para Zotit e para njerëzve, sepse Zotit e njerëzve ia
kushtoi gjithë vetveten, deri në flijimin e jetës.