2015-02-09 14:38:50

Papa: ruajtja e Gjithësisë është e të gjelbërve? Jo, është e krishterë!


Të krishterët janë të thirrur ta ruajnë Gjithësinë. Këtë nënvizoi Françesku në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Papa u ndal posaçërisht tek “krijimi i dytë”, i kryer nga Jezusi që “ri-krijoi” çka ishte rrënuar nga mëkati.RealAudioMP3

Hyji krijoi Gjithësinë, por krijimi nuk mbaron. “Ai e mbron gjithnjë çka krijoi”. Papa Françesku e shtjelloi homelinë duke u ndaluar tek fragmenti i Librit të Zanafillës, në Leximin e Parë, që përshkruan krijimin e universit. Në Ungjillin e sotëm, komentoi më pas, shikojmë “krijimin tjetër të Hyjit”, atë të Jezusit, që vjen të ri-krijojë ç’u rrënua nga mëkati.
Si i përgjigjemi krijimit të Hyjit
E shohim Jezusin ndërmjet njerëzve, tha Papa, e shikojmë edhe se, kur e prekin, shpëtojnë: “është ri-krijimi”. Ky “krijim i ri”, nënvizoi Françesku, është edhe më i mrekullueshëm se i pari: kjo punë e dytë është më mahnitëse. Së fundi, është edhe një punë e dytë, ajo e ngulmimit në fe, që e bën Shpirti Shenjt:
“Hyji punon, vijon të punojë, e ne mund të pyesim si mund t’i përgjigjemi këtij krijimi të Hyjit, që lindi nga dashuria, sepse Ai punon për dashuri. ‘Krijimit të ri’, vijoi Françesku, duhet t’i përgjigjemi me përgjegjësinë, që na e jep vetë Zoti: “Toka është juaja, çojeni përpara; sundojeni, bëjeni të rritet’”.
Edhe ne kemi përgjegjësinë ta bëjmë tokën të rritet, ta bëjmë të rritet gjithësinë, ta ruajmë e ta zhvillojmë sipas ligjeve të veta. Ne jemi kujdestarë të Gjithësisë, jo padronë të saj.
I krishteri e ka për detyrë ta ruajë Gjithësinë
Papa vërejti se duhet të kemi kujdes e të mos kthehemi në padronë të Gjithësisë, por ta çojmë përpara, besnikë ndaj ligjeve të saj. Pra mund të themi se kjo është përgjigjja e parë që duhet t’i japim punës së Hyjit: të punojmë, për ta ruajtur Gjithësinë.
“Kur dëgjojmë se njerëzit bëjnë mbledhje për të menduar si duhet ruajtur Gjithësia, mund të themi: “Po jo, ç’punë kemi ne? Janë të gjelbërt, ata që mendojnë për këtë!”. Jo, nuk është punë, që u takon të gjelbërve! Kjo është e krishterë. Është përgjigjja, që i japim “krijimit të parë” të Hyjit. Është përgjegjësia jonë. Një i krishterë, që nuk kujdeset për krijimin, që nuk punon për zhvillimin e tij, është i krishterë, të cilit nuk i bëhet vonë fare për punën e Hyjit, këtë punë të lindur nga dashuria e Hyjit për ne. E kjo është përgjigjja, që i jepet krijimit të parë: ta ruajmë Gjithësinë, ta bëjmë të rritet.
Ta lëmë Jezusin të pajtohet me ne
Françesku vijoi me pyetjen. “Si i përgjigjemi krijimit të dytë?”. Shën Pali, kujtoi, na thotë ta lëmë Zotin të pajtohet me ne, të ecim në rrugën e pajtimit të brendshëm, të ripajtimit komunitar, sepse pajtimi është vepër e Krishtit.
E akoma, duke i bërë jehonë Apostullit të Popujve, Papa theksoi se nuk duhet ta trishtojmë Shpirtin Shenjt, që është në ne, që është brenda nesh e punon brenda nesh. E shtoi se ne besojmë në një Zot personal: është vetja e Atit, vetja e Birit e vetja e Shpirtit Shenjt.
“E të tre punojnë në këtë krijim, në këtë ri-krijim, në këtë ngulm të ri-krijimit. E të treve ne i përgjigjemi: ta ruajmë e ta bëjmë të rritet Gjithësinë, ta lëmë Jezusin të pajtohet me ne, ta lëmë Hyjin, në Jezusin, në Krishtin, të pajtohet me ne çdo ditë e të mos e trishtojmë Shpirtin Shenjt, të mos e dëbojmë: është mysafir i zemrës sonë, është Ai, që na shoqëron e na bën të rritemi”.
“Zoti, përfundoi, na dhëntë hirin ta kuptojmë se Ai është në veprim e edhe hirin t’i përgjigjemi si duhet”.










All the contents on this site are copyrighted ©.