2015-02-09 11:51:57

Françesku në famulli: lufta, vepër e djallit, vetëm Jezusi është paqja


Shumë luftëra vijojnë në botë, të gjitha, vepër e djallit, por i vetmi, që sjell paqen e mbjell unitetin, është Jezusi, të cilin duhet të mësohemi ta dëgjojmë çdo ditë në Ungjill. Është ky, thelbi i mesazhit të Papës, drejtuar bashkësisë famullitare të Pietralatës, në veri të Romës, të cilën e vizitoi dje pasdite. Papa, sipas zakonit, takoi disa grupe famullitare dhe përfundoi me kremtimin e Meshës. Por vizita nisi me një takim tjetër, jashtë programit.RealAudioMP3

Mbi pallton e bardhë u ngulën një mori sysh, të mrekulluar nga e papritura. Turma laragane u lëshua vrap, me britmën gazmore: “El Papa. El Papa!”. Françesku hyri papritur në një “qytezë mjerimi”, pak metra larg Anienes, në mes të një grumbulli barakash, të njohura me emrin “Kampi i Ylberit” , ku banojnë të pastrehë nga Afrika, Amerika Latine e, tani, edhe nga Ukraina e Rusia.
Françesku u rrethua menjëherë nga banorët e “ylbertë” të kampit, që u shtrënguan fort rreth tij, nisën ta prekin, t’i shtrëngojnë duart, të shkëmbejnë dy fjalë miqësore, deri te Atyna e thënë në spanjisht. Ishin dhjetë minuta, që ngrohën zemrat e të pastrehëve të vjetër e të rinj.
Nisi kështu, në skajin e një periferie, vizita e Papës në famullinë e Shën Mëhillit Kryeengjëll. Nisi me këtë të papritur, njëqind metra larg kishës, në formën e kasolles, që lartohet mbi një truall ku njëqind vjet më parë ngriheshin kasolle e baraka fshatarësh, të shndërruara më pas në “fshat të të përjashtuarve”, me strehë për të varfër të të gjitha ngjyrave. Por tani kasollet janë zhdukur e mbi to lartohen pallate të larta. Tetë mijë familje, të gjitha të mbledhura para kishës, e brohoritën një zëri Papën e periferive, ardhur aty për t’i takuar në shtëpinë e tyre.
E famullitari krijoi pikërisht atmosferën e shtëpisë. I priu Atit të Shenjtë më parë në takimin me të sëmurët, të cilëve Françesku u la mesazhin: “Edhe kur gjithçka duket e errët, është gjithnjë i pranishëm Ati, që na do e nuk na zhgënjen kurrë”. Pastaj takimi me të pastrehët: “Fakti që njerëzit nuk jua dinë emrin e ju quajnë “të pastrehë”, flet vetë për kryqin tuaj, duresën tuaj”. Por është diçka në zemrën e ju të gjithëve: të jeni të sigurt: është Shpirti Shenjt”.
Françesku kaloi në një dhomë tjetër, ku u takua me prindërit e fëmijëve të pagëzuar gjatë vitit: “Edukojini mirë në fe, i nxiti, sepse ka shumë fëmijë të krishterë, që nuk dinë të bëjnë as shenjën e kryqit”. Pastaj ishte radha e skautëve, që i dhuruan Papës pesë dyshekë alpinistësh e i vunë në qafë shallin e tyre simbolik. Më pas, takimi me fëmijët më të rritur, shndërruar në mësim themelor katekistik:
“Luftërat nuk janë vetëm ato, që vrasin fëmijë në Irak, Ukrainë, Afrikë - u kujtoi. Luftërat lindin shumë më parë në njerëz të pa Zot. Kush është babai i luftërave? Fort (fëmijët: djalli). Sepse djalli është babai i urrejtjes. Dakord? Është babai i gënjeshtrave, babai i mashtrimeve, eh? E pse? Sepse nuk e do unitetin! Ndërsa Zoti do unitet (…). Nëse ju keni në zemër xhelozi kundër tjetrit, ky është fillimi i një lufte. Xhelozitë nuk kanë të bëjnë me Zotin”.
Mësim, ky, që Françesku e rikujtoi me thjeshtësi edhe gjatë homelisë së Meshës, që e kryesoi rreth orës 18.00, pasi rrëfeu disa besimtarë të famullisë. Fjalët të kujtonin ato që tha gjatë Engjëllit të Tënzot, nga dritarja mbi Sheshin e Shën Pjetrit e që tingëlluan me forcë të veçantë në heshtjen e thellë të kishës së vogël të periferisë:
“Është gjë e trishtueshme kur në familje vëllezërit nuk flasin me njëri-tjetrin për sende të kota, sepse djalli merr një marrëzi e bën një botë. Pastaj armiqësitë vijojnë për vjet e vjet, eh? E kjo familje shkatërrohet: prindërit vuajnë, sepse fëmijët nuk u flasin, ose nuk flasin kunatat, sepse janë grindur. E kështu xhelozitë, zilitë… Këtë farë mbjell djalli. E i vetmi, që i dëbon djajtë, është Jezusi. I vetmi, që i shëron këto plagë, është Jezusi. Prandaj po ju them: ‘Lëreni Jezusin t’ju shërojë!’”.
Edhe fjalët e fundit, që Papa i formuloi në emër të të gjithëve, ishin një pjesëz e shërbesës së tij papnore, nga më të dashurat, që sot tingëlluan rishtas nga elteri i Shën Martës: “Duhet të mësohemi ta dëgjojmë Jezusin në ‘kanalin’ e vetëm, që e transmeton gjithnjë: ‘në Ungjill’”:
“Duhet të mësohemi me këtë: me dëgjimin e fjalës së Jezusit në Ungjill. Të lexojmë një fragment, të mendojmë çfarë thotë, çfarë më thotë mua. Nëse shikoj se nuk më thotë gjë, kaloj te faqja tjetër. Gjithnjë në takim të përditshëm me Ungjillin. Në lutje, me Ungjillin. Sepse kështu Jezusi më predikon mua, më thotë me Ungjillin, atë që dëshiron të më thotë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.