2015-02-08 15:19:01

Ati i Shenjtë në Engjëllin e Tënzot: trafiku, plagë e turpshme e shoqërisë


Trafiku i qenieve njerëzore është “plagë e turpshme, e padenjë për një shoqëri civile”. E kujtoi sot Papa, menjëherë pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, në ditën e sotme, kushtuar lutjes dhe reflektimit kundër trafikut të njerëzve.
Ndërsa në lutjen mariane, Ati i Shenjtë reflektoi për “kuptimin dhe vlerën e sëmundjes”: edhe sot e kësaj dite, theksoi, pavarësisht nga fitoret e shumta të shkencës, njeriu nuk pushon së bëri një mori pyetjesh mbi vuajtjen, dhimbjen, vdekjen.RealAudioMP3

Secili nga ne duhet të angazhohet për të qenë zë i vëllezërve e motrave të prekur në dinjitetin e tyre, sepse viktima të trafikut, të skllavërimit të njeriut nga njeriu. Papa Françesku nënvizoi, kështu, edhe një herë, atë që në të kaluarën e ka quajtur krim kundër njerëzimit e, në festën liturgjike të Shën Gjyzepina Bakhitës, murgeshës sudaneze, viktimë dramatike e trafikut, menjëherë pas Engjëllit të Tënzot, kujtoi Ditën e sotme të lutjes e të reflektimit kundër trafikut të njerëzve.
Trafiku i njerëzve, plagë e turpshme
“I inkurajoj të gjithë ata, që angazhohen t’i ndihmojnë burrat, gratë e fëmijët e skllavëruar, të shfrytëzuar, të shpërdoruar si mjet pune a dëfrimi e shpesh, edhe të torturuar e të gjymtuar. Uroj që krerët e qeverive të përpiqen me vendosmëri për t’i zhdukur shkaqet e kësaj plage të turpshme: vërtet, nuk mund ta quajmë ndryshe, veçse plagë e turpshme, e padenjë për shoqërinë civile”.
Lutje për imzot Zimowskin
Në lutjen mariane, Papa foli edhe për Ditën e ardhshme botërore të të sëmurit që, sipas traditës, do të kremtohet më 11 shkurt, në festën e Zojës Lurdë. Ndërmjet nismave, lidhur me të, kujtoi posaçërisht lutjen mbrëmësore, që do të mbahet të martën mbrëma, në Romë. Më pas, një mendim e një lutje për kryeipeshkvin Zygmund Zimowski, kryetar i Këshillit Papnor për Punonjësit e Shëndetësisë, që dergjet nga një sëmundje e rëndë, në Poloni:
“Një lutje për të, për shëndetin e tij, edhe sepse ishte ai, që e përgatiti këtë Ditë e ai, që na shoqëron, edhe me vuajtjen e tij. Një lutje, pra, për imzot Zimowskin”.
Pyetje për sëmundjen, dhimbjen, vdekjen
Reflektimi i Atit të Shenjtë u ndalua fort mbi kuptimin dhe vlerën e sëmundjes, duke u nisur nga Ungjilli i Shën Markut, përqendruar tek Jezusi, që shëron një numër të madh njerëzish të munduar e të prekur nga gjithfarë lëngatësh: fizike, psikike, shpirtërore. E Kisha, nënvizoi Françesku, vijon veprën shpëtimtare të Zotit, sepse në rrugën e saj gjen vazhdimisht të sëmurë e të munduar, të cilët i shikon si udhë e zgjedhur për të takuar Krishtin, për ta strehuar, për t’i shërbyer:
“Të mjekosh të sëmurin, ta mikpresësh, ta kujdesosh, shtoi, do të thotë të mjekosh, të mirëpresësh, të kujdesosh vetë Krishtin: është korpi i Krishtit, i sëmuri!”.
Kjo ndodh edhe në kohët tona, kur, pavarësisht nga arritjet e mëdha të shkencës, vuajtja shpirtërore dhe fizike e njerëzve, vijon të krijojë një mori pyetjesh. Njerëzit vijojnë të pyesin ç’ kuptim ka sëmundja? Dhimbja? Pse lindim? E, sidomos, pse vdesim?
Kisha e besimtarët ndezin dritën e Ungjillit në zemra
Janë pyetje ekzistenciale, këto, shpjegoi Papa, të cilave veprimtaria baritore e Kishës duhet t’u japë përgjigje në dritën e fesë, duke pasur parasysh Kryqin, ku duket i tërë misteri shëlbues i Hyjit Atë i cili, nga dashuria për njerëzit, nuk kurseu as Birin e vet të vetëm:
“Secili nga ne është i thirrur t’u çojë dritën e Fjalës së Zotit dhe forcën e hirit, atyre që vuajnë e edhe atyre, që u rrinë te koka: familjarë, mjekë, infermierë, që shërbimi ndaj të sëmurit të kryhet gjithnjë me ngrohtësinë njerëzore, me dashurinë ungjillore, me dhimbsurinë e Zotit. Kisha nënë, përmes duarve tona, i ledhaton vuajtjet, i mjekon plagët e këtë e bën me dhimbsurinë e nënës”.
Dhimbsuria e Hyjit
Papa i lartoi Zotit lutjen që çdo njeri i sëmurë, falë kujdesit të atij, që i rri pranë, të mund të provojë pushtetin e dashurisë së Hyjit e ngushëllimin, që buron nga dhimbsuria e Tij. Nga ana tjetër, shtoi, Jezusi zbriti mbi tokë për ta kumtuar e për ta realizuar shëlbimin për secilin njeri e për të gjithë:
“Jezusi i do në mënyrë të veçantë njerëzit e plagosur në korp e në shpirt: të varfrit, mëkatarët, të djemnuemët, të sëmurët, të shtypurit. Kështu ai bëhet mjek i shpirtit e i korpit, Samaritan i mirë i njeriut. Jezusi është Shëlbuesi i vërtetë: Jezusi shpëton, Jezusi mjekon, Jezusi shëron!”.Në përfundim të lutjes, përshëndetjet drejtuar grupeve të shumta, mbledhur rreth Papës në Sheshin e Shën Pjetrit. Kryesisht spanjollëve të Caravaca de la Cruz, koreve të kryedioqezës Modena-Nonatola dhe grupeve ardhur nga Letonia e Brazili.







All the contents on this site are copyrighted ©.