2015-02-07 12:06:00

Papa Françesku: gratë protagoniste në jetën shoqërore e kishtare


Gratë protagoniste, “pjesëmarrëse me të drejtë të plotë në fusha të ndryshme të jetës shoqërore e kishtare”. Kështu pohoi mes tjerash Papa Françesku, gjatë audiencës, në Vatikan, me pjesëmarrësit e Asamblesë plenare të Këshillit Papnor të Kulturës, që sot përfundoi punimet mbi temën “Kulturat femërore: barazitë e dallimet”. Në qendër të punimeve ishte roli i gruas: “bëhet fjalë për studimin e kritereve e të modaliteteve të reja në mënyrë që gratë të ndjehen jo mysafire por pjesëmarrëse me të drejtë të plotë në fusha të ndryshme të jetës shoqërore e kishtare. Kjo – vuri në pah Papa Bergoglio – është sfida e cila nuk mund të shtyhet më”. “Kulturat femërore: barazitë e dallimet”, “e kam shumë përzemër këtë çështje”, shtoi Ati i Shenjtë. Një mesazh pra i fortë dhe i qartë që Papa Françesku u drejton: “barinjve të komuniteteve të krishtera, por edhe të komuniteteve laike që në mënyrë të ndryshme janë të angazhuara në kulturë, në edukim, në ekonomi, në politikë, në botën e punës, në familje, në institucione fetare”.
“Jam i bindur se duket t’u ofrojmë urgjentisht hapësirë grave në jetën e Kishës e t’i pranojmë, duke pasur parasysh tiparet dhe sensibilitetin e veçantë të tyre kulturor e shoqëror”, tha Papa në audiencën plenare të dikasterit papnor të Kulturës. “Uroj, tha mes tjerash, një prani femërore më të madhe, më të fuqishme e më të rëndësishme në Komunitete, në mënyrë që të mund të shohim më shumë gra të përfshira në përgjegjësitë baritore, në përcjelljen e njerëzve, të familjeve e të grupeve, e po kështu edhe në reflektimin teologjik”, shtoi Papa.
Për herë të parë një këshill papnor, ai i Kulturës udhëhequr nga kardinali Ravasi, i kushton një sesion temës së barazisë ndërmjet gjinive në struktura kishtare. Me kërkesë të Papa Françesku, në takim morën pjesë anëtarë të dikasterit vatikanas e shumë përfaqësuese të botës femërore: sociologe, filozofe, teologe, historiane e tjera. Sugjerimet e reflektimet e kësaj asambleje shërbejnë për Sinodin e ardhshëm kushtuar Familjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.