2015-02-07 11:33:46

Karnavalet në Shkodër


Festa e karnavaleve ne Shkodër krijon një atmosferë magjepëse. Të apasionuarit pas karnavaleve u gëzohen qysh herët ditëve që u kushtohen. E nisur që në vitin 1860, tani festa e karnavaleve ka krijuar portretin e saj shkodran, mbi bazën e traditave. Kostume nga më të larmishmit, këngëtarë e qytetarë, të gjithë me maska. Paradë shumëngjyrëshe, që shpaloset nga qendra, përgjatë rrugës muzeale “Kolë Idromeno”.
Karnavalet e Shkodrës kremtojnë përsëri këto ditë rilindjen, pas vdekjes së gjatë a tjetërsimit, njëherësh me shumë tradita. Patën lindur në vitin e largët 1860, qenë dukur në fototekën “Marubi” më 1913, patën lulëzuar deri më 1943, për t’u zhdukur në vitet e zymta, kur njerëz me maska shiheshin për ditë në të katër anët e Qytetit të Veriut, veç në ditën e festës së tyre, jo!
Thuhet se Festën e maskave në Shkodër e sollën dy zanatçi të huaj: një hungarez e një dalmat, të cilëve askush nuk ua mban mend emrin.
Për karnavalet e Shkodrës kanë shkruar disa shkodranë. Po kujtojmë vetëm Filip Ndocën, Gjon Karmën, Sandër Gerën, Gjush Sheldinë, Kolë Gurashin, Lec Shllakun e Andre Skanjetin.
Mbas vitit 1943 Karnavalet erdhën duke u zbehur, thjesht për arsye politike. Në vitet 1975-80, nuk qenë më festë popullore, por agjitative komuniste. Nuk respektohej më as dita e fillimit të festës e as periudha 40 ditore.
U ridukën në vitin 1998, falë Shoqatës “Illyricum” të françeskanëve e nisën ta gjallërojnë vit për vit Qytetin e Veriut, para se të nisë Koha pendestare e Kreshmëve, kur lagjet katolike të qytetit vishen me ngjyrë vjollcë, për t’u riveshur me të gjitha ngjyrat e Pranverës në shpërthim, në Festën e Ngjalljes së Zotit, për Pashkë!







All the contents on this site are copyrighted ©.