2015-02-06 14:32:33

Papa, prefektëve: emigracioni, respektimi i normave dhe dinjitet për njerëzit


Bindje, dëgjim, durim. Janë këto, çelësat për të kapërcyer “krizën e autoritetit” në shoqërinë bashkohore, e cila, në fushën e emigracionit, duhet të garantojë respektimin e të drejtave themelore të çdo njeriu. Ky ishte thelbi i fjalës së Papës Françesku për prefektët e Italisë, të cilët, të shoqëruar nga Ministri i Brendshëm, Angelino Alfano, e takuan në Sallën Klementine në Vatikan.
Detyra e prefektëve, sipas Atit të Shenjtë, është ta bëjnë të pranishëm autoritetin e qeverisë qendrore në çdo lokalitet, sidomos përsa i përket ruajtjes së rendit dhe të sigurisë publike. E për të pasur parasysh fytyrën konkrete të çdo burri e gruaje të territorit, së bashku me problemet e shpresat e secilit, prefektët dhe vartësit e tyre duhet t’i binden ligjit e të kenë parasysh kriteret e humanitetit, në bazë të tij:
“Kriza e autoritetit, që shoqëria jonë eksperimenton në fusha të ndryshme, sa publike aq edhe private, me pasoja të rënda, sidomos për edukimin e brezave të rinj, ka si shkak pikërisht mungesën e predispozicionit bazë ndaj bindjes, dëgjimit e durimit”.

Respektimi i të drejtave themelore të njeriut
Ushtrimi i autoritetit, nënvizoi Papa Françesku, duhet të ketë si objektiv “të mirën e përbashkët”. Një ndër problemet specifike të Italisë është ai i emigracionit, i njëjtë edhe me shumë vende të tjera, pasi lidhet me konfliktet e me pasojat e tyre mbi njerëzit e mbi ekonominë. Ati i Shenjtë u dha rëndësi përmirësimit të kompetencave në këtë fushë:
Ato kërkojnë që gjatë marrjes së përditshme me situata, shpesh emergjence, të gjendet ai zbatim i drejtë i normave, që garanton, së bashku me besnikërinë ndaj ligjit e dispozitave në fuqi, respektimin e përpiktë të të drejtave themelore të çdo njeriu”.

T’u jepet zë atyre, që nuk e kanë
Kisha mund ta ndihmojë shtetin në këtë detyrë, natyrisht, duke respektuar fushën e ndërhyrjes së tij, por duke zbatuar mësimet e Krishtit për mikpritjen e të varfërve dhe të të pastrehëve. Prefekturat, përfundoi Papa Françesku, mund të çojnë para autoriteteve qendrore situata të veçanta e të vështira, që kërkojnë zgjidhje, duke u dhënë kështu zë, atyre që nuk e kanë:
Sa më tepër qytetarë ta ndjejnë se pushteti synon të gjejë me bujari përgjigje për nevojat e tyre e dëshiron të mbrojë të drejtat e tyre, aq më shumë do të jenë të gatshëm për t’i pranuar direktivat e tij me zell për të bashkëpunuar me respekt”.







All the contents on this site are copyrighted ©.