2015-02-06 17:17:23

Dita e lutjes kundër trafikut të njerëzve: luftë e fortë për dinjitetin


Sot, 8 shkurt, u kremtua Dita e parë ndërkombëtare e lutjes dhe e reflektimit kundër trafikut të njerëzve, e dëshiruar fort nga Papa Françesku, organizuar nga Bashkimi ndërkombëtar femëror e mashkullor i eprorëve dhe eproreve të përgjithshme rregulltare.
U ndez, kështu, një dritë, kundër tregtisë së njerëzve, pikërisht në ditën kur Kisha kremton festën e shenjtores sudaneze Jozefina Bakhita, që kaloi nga skllavëria, në liri, për të zgjedhur, më pas, rrugën e jetës së kushtuar. Figurë prekëse, që të bën të reflektosh për këtë plagë, e cila edhe sot e kësaj dite i shndërron në skllevër miliona njerëz nëpër botë: gra, fëmijë e burra. Tregtia e njerëzve, pohojnë rregulltaret që janë në ballë të luftës kundër këtij fenomeni, e plagos dinjitetin e njeriut, i shpërfytyron viktimat, bren jetë e histori individuale e familjare.
E diela e sotme është edhe ditë për të këputur vargonjtë e frikës, të padijes, të mohimit e të indiferencës, që bashkëpunojnë në heshtje me këtë fenomen të tmerrshëm, me nxjerrjen e njeriut në treg.

Dëshmia e motër Gandinit
Motra Valeria Gandini, misionare komboniane, prej disa vitesh në Palermo, e njeh nga afër dramën e emigracionit e të formave të ndryshme të trafikut njerëzor. Ajo dha një dëshmi prekëse kushtuar kësaj dite, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, të martën e kaluar, kur po paraqitej programi i kremtimit të sotëm.

Prostituta të mitura
Kohët e fundit vajzat e rrugës janë shtuar, e janë gjithnjë më të mitura. Vijnë nga të katër anët, me gomone. E ndodh që edhe në qendrat e strehimit disa grupe punojnë me më të rejat për t’i flakur, pastaj, në rrugë të madhe. I takojmë në skajet e skutat e qytetit e mësojmë prej tyre se kanë ardhur nga qendrat e strehimit të Sicilisë. Po ç’tregojnë këto-gra ende fëmijë? Të zhveshura, në pritje, nëpër udhët tona, në të gjitha orët e ditës e të natës? Ç’na thonë? Me ç’emër t’i quajmë “klientët” e tyre, që janë gjyshat, bashkëshortët, të fejuarit, bijtë, vëllezërit tanë?”.
Klientët, shpjegon motër Gandini, kanë një përgjegjësi shumë të madhe. Janë shfrytëzuesit e parë të vajzave, njerëz që e pagujanë seksin me paratë, të cila më pas kalojnë në xhepat e organizatave kriminale, të fshehura pas vajzave të mitura.

Tregtarë skllevërish, “të paprekshëm”
Ne, që shkojmë nëpër këto rrugë, i shikojmë. Janë përgjegjës të gjithë, apo jo? Është një mungesë e hatashme përgjegjësie. Përtallen, shfrejnë e pastaj kthehen pa pikë turpi në jetën e tyre të përditshme. Unë e kam thënë gjithnjë: një burrë, që ka nevojë të blejë seksin, nuk mund të jetë burrë i vërtetë. Edhe ai është skllav. Skllav i seksit, e nuk kujtohet. E bëhet, kështu, shfrytëzuesi i parë i vajzave të varfra, edhe të atyre që janë ende të mitura. Më tmerrojnë klientët! Njëlloj si trafikantët, këta shfrytëzues, që megjithatë enden të lirë, ku e si i do qejfi. Doemos. Janë në rregull e nuk arrestohen. Ne i njohim, po i njeh edhe policia. I njeh e nuk i prek. Pret t’i padisin vajzat e dhunuara, viktima të tyre. Po vajzat kanë probleme të rënda e nuk guxojnë as të hapin gojën. Kanë frikë për familjet e tyre, kanë frikë nga presionet, që pësojnë e, nganjëherë, edhe nga krimet.

Flitet me shifra
E pas dëshmisë së rregulltares, po cekim vetëm disa të dhëna të OIM (Organizata ndërkombëtare e emigrantëve) që kujton se sot në botë më se 2 milion e 500 mijë njerëz, janë viktimë e trafikut dhe e katandisjes në gjendje skllavi. 70% prej tyre, janë gra e fëmijë.

Ligje më efikase
Në këtë Ditë, në mbarë botën buçet fort thirrja për të siguruar arsim për të gjithë, për ta mundur varfërinë, sepse nuk mund t’i mbrosh viktimat, pa guximin e vendosmërinë për t’i bindur shtetet të miratojnë ligje të suksesshme, që i kundërvihen trafikut e i ndalojnë organizatat kriminale. E, mos të harrojmë, në tregjet e njerëzve, emri i Shqipërisë zë një vend, që nuk e zë në asnjë lëmë tjetër të zhvillimit. E prej këndej dalin shpesh edhe paratë, që pastrohen pastaj, në mënyra nga më të ndryshmet.

Lutje, në mbarë botën
Sot është dita e mbrëmësoreve të lutjes në mbarë botën. Edhe në të gjitha kishat e trevave shqiptare. Në Romë mbrëmësorja u kremtua më 6 shkurt, në Bazilikën e Apostujve. Veç këtyre kremtimeve, çdo njeri vullnetmirë mund të marrë pjesë aktive në këtë nismë, përmes faqes së internetit www.slavesnomore.it, duke ndezur kështu, një dritë e duke dërguar një histori shprese.







All the contents on this site are copyrighted ©.