Ardian Ndreca: komunizmi edukoi një brez me ideale çnjerëzore e shkatërroi vlerat
kombëtare
Kujtojmë sot 6 shkurtin e vitit të kobshëm 1967, kur Shqipëria u shpall i vetmi shtet
ateist në botë. Nisi kështu etapa më tragjike e një populli të tërë, nxitur nga fjalimi
famëkeq kundër zakoneve prapanike dhe paragjykimeve fetare, mbajtur nga diktatori
komunist më 6 shkurt 1967, përmes të cilit u shkatërruan vlerat e vërteta të traditës
shqiptare e u vendosen themelet e një ferri të vërtetë. Me profesor Ardian
Ndrecën, profesor i filozofisë e drejtor i Institutit të studimeve mbi ateizmin pranë
Universitetit Papnor ‘Urbaniana’ në Romë, po e kujtojmë sot këtë datë e këtë ngjarje
të kobshme që përjetoi populli shqiptar, i cili në mikrofonin e Radio Vatikanit mes
tjerash pohon se “komunizmi edukoi një brez te tanë me ideale çnjerëzore, me mungesën
e respektin për personin, me mungesën e respektin për lirinë e tjetrit, e fut një
frymë që nuk ishte as fryma e as tradita kombëtare shqiptare dhe as tradita e humanizmit
evropian”. Ta dëgjojmë intervistën e dom David Gjugjës me prof. Ardian Ndrecën..... Në realitet
mund të thuhet se, diktatori e komunizmi nuk e duronin dijen dhe besimin e njerëzve
në Hyjin, madje kishin një frikë të tmerrshme nga inteligjenca dhe forca shpirtërore
e njerëzve e posaçërisht të atyre personaliteteve që ishin më të ngritur, më largpamës,
më guximtar e më atdhedashës se ata. Udha e mënyra e vetme për t’u liruar nga këta
njerëz të ngritur, të ditur, të urtë, atdhetarë të vërtetë që përhapnin dritën e përparimit
të vëllazërimit tek populli besimtar, ishte vrasja dhe persekutimi deri në internime
e zhdukje fizike. 6 Shkurti i vitit 1967, na kujton pra ditën kur Enver Hoxha
mbajti fjalimin me titull ”Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”,
fjalim ky me të cilin ai filloi luftën kundër ”ideologjisë fetare” e ”zakoneve prapanike”,
duke e shpallur me ligj Shqipërinë kundër Zotit, si vendin e parë dhe të vetëm ateist
në historinë botërore. Ky veprim i regjimit komunist të Enver Hoxhës do të ishte qesharak
— siç përqeshej ky vendim në median botërore të kohës dhe më vonë — po të mos ishte
për pasojat e rënda që ky vendim i regjimit komunist shqiptar pati mbi shoqërinë shqiptare
atëherë, pasojat e të cilit ndihen ende sot. Megjithëse shtypjet kundër fesë kishin
filluar ç’prej vitit 1945, sidomos kalvari i Kishës Katolike e udhëheqësve të saj
kishte qenë tepër i egër gjatë dy dekadave pas ardhjes së komunistëve në fuqi. Megjithëse
rrethanat e numri i të përndjekurve nga regjimi komunist, shumë prej tyre klerikë
katolikë shqiptarë por edhe të dy feve të tjera, myslimanë dhe ortodoksë, u vranë
ose vdiqën nën tortura të pa-imagjinueshme nepër burgjet e kampet komuniste të regjimit
hoxhist, nga viti 1945-1960. Numri i klerikëve të vrarë ose të vdekur nëpër burgje
e kampe përqendrimi– katolikë, myslimanë e ortodoksë — nën torturat më ç’njerëzore
gjatë asaj periudhe, ndoshta nuk do të dihet kurrë.
Kështu më 19 shkurt 1967
u ndalua kremtimi i Meshës Shenjte i orës 10 në Katedralen e Shkodrës. Françeskanët
shkodranë morën urdhrin të zbraznin Kuvendin e Gjuhadolit, duke mbartur gjithë ç’kishin
në Kuvendin e Arrës së Madhe. Pas një kontrolli të rreptë të sigurimit, u mbyll edhe
Argjipeshkvia katolike. Njëkohësisht nisën mbledhjet komuniste nëpër lagje për demaskimin
e klerit, ndër të cilat u dha sinjali i sulmit për mbylljen e të gjitha Kishave. Më
4 mars u mbyll Kisha katedrale e Shkodrës e mbas saj, njëri pas tjetrit, të gjithë
tempujt e Zotit. E fundmja u mbyll Kisha e fshatit Delbinisht, ku fshatarët rezistuan
derisa nisën arrestimet. Të Premten e Madhe të Pashkëve të vitit 1967 qeveria
komuniste e Tiranës i ngarkoi mbi shpinë Kishës katolike shqiptare Kryqin e Krishtit.
Nisi kështu ngjitja në Kalvar, deri në kryqëzim e deri në ringjallje, në të tretën
ditë. E gjatë kësaj ngjitjeje të mundimshme, pati edhe meshtarë si Atë Pjetër Meshkalla,
jezuit e intelektual shqiptar, që morën guximin ta shpallnin haptas të vërtetën mbi
diktaturën komuniste, anti-shqiptare, anti-demokratike, duke u bërë shembull për qëndrimin
që duhet të mbajë çdo shqiptar përballë mashtrimit e gënjeshtrës qeveritare në çdo
kohë.